"Ecje nëpër kujtime", ecje në kohë të shkuara!

Kultura

"Ecje nëpër kujtime", ecje në kohë të shkuara!

Nga: Adem Lushaj Më: 19 qershor 2022 Në ora: 19:27
Autori Adem Lushaj duke folur në promovimin e librit të tij

Asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja se ndonjëherë do jem autor i shkrimeve të ndryshme nëpër gazeta. Aq më pak nuk kisha menduar se me shkrime të këtilla do të merresha jo më pak se 13 vjet të plota. Arsyetimi për këtë angazhim timin mbështetet në fjalën e urtë, të njohur nga të gjithë, që thotë: “Me kënd të rrishë i tillë do të bëhesh”.

Pas luftës së fundit në Kosovë, angazhimi im në aktivitete të shoqërisë civile, u ndërlidh shumë me punën shumë serioze e shumë dinamike të gazetarëve që raportonin nga Deçani, për mediet e ndryshme të vendit. E, duke ndenjur me ta në aktivitete të ndryshme, në ndeja dhe në ballafaqimet e pushtetit me komunitetin vendës, “u bëra si ata”. Të paktën kështu mendoj unë!

Zhvillimet që po ndodhnin në Komunën e Deçanit në këtë periudhë, por edhe gjetkë, padashtë po grishnin reagimin tim publik. Kështu, duke qenë pjesë e këtyre zhvillimeve dhe për më shumë duke u bërë pjesë e komunitetit të gazetarëve deçanas, që përbëhej nga emra të respektuar në gazetarinë kosovare, në fillim me përkrahjen e tyre shkrova artikullin e parë për gazetën “Koha Ditore”. Artikulli mbante titullin “Kush humbi e kush fitoi në zgjedhjet e 17 nëntorit në Deçan” dhe ishte publikuar më 19, 20 dhjetor 2007. Ditën e botimit ndjeja emocion, por edhe përgjegjësi. Që në ditën e parë po e kuptoja peshën e fjalës publike. E rëndë se duhej të ishte e vërtetë. E rëndë se kërkoheshin burime e argumentime. E rëndë se “atmosfera” e pasluftës vetë ishte e rëndë. Qëndrova. U bëra si të tjerët. Si gazetarët Curr Mazrekaj, Zekë Sinanaj, Gani Kurmehaj, Murteza Osdautaj, Haki Hysenaj, Ajete Beqiraj, Shkëlzen Tahirsylaj, Yllarta Thaqi.... Kështu pandehja e po ecja gjurmëve të tyre. Mësimeve të tyre.

Edhe sot kur po e shkruaj këtë pjesë të këtij libri, ndjej nevojën t’u falënderohem tashmë ish-kolegëve të përmendur më sipër. U detyrohem me përkushtim për nxitjen dhe ndihmën që më patën dhënë për t’u futur në botën e pafund të gazetarisë e të publicistikes.

Një përkushtim dhe faleminderit të posaçëm e ruaj për gazetat “Bota sot”, “Koha Ditore” etj. Ato mediume më hapën, jo vetëm dyert e komunikimit me publikun, por më zgjeruan edhe dimensionet profesionale për gazetari.

Libri ”Ecje nëpër kujtime” është dedikim jo thjesht ndaj vetvetes. Tejkalon këtë synim. Botimi i tij ka objektiva edhe më të gjera. Ndër to do të përmendja qëllimin tim primar që shkrimet që lidhen më ngjarje të caktuara, intervistat, reportazhet dhe zhanre të tjera të botuara në mediumet e përmendura të mblidhen, të sistemohen dhe të “arkivohen” në një libër që do të shërbente si “dokument” i kësaj periudhe. Ngjarjet dhe shkrimet e tjera ndonjëherë tejkalojnë kufijtë territorialë të Republikës së Kosovës dhe pasqyrojnë zhvillime të ndryshme në Mal të Zi, në Maqedoninë Veriore dhe në Shqipëri.

Librat e këtillë janë të zakonshëm në vendet që kanë kaluar nëpër kriza, konflikte dhe luftëra. Dhe, vendet nga burojnë shkrimet kanë përjetuar kriza të ngjashme, prandaj vendimi ynë për t’i grumbulluar, sistematizuar dhe botuar ato, mendoj se arsyeton qëllimin.

Por, për këtë fjalën e ka lexuesi!

“Ecja nëpër kujtime” është ecje në kohën e shkuar.

(Prof. Dr. Haki Hysenaj, të jemi falënderues për ndihmën e dhënë)!

 

Ps. Parathënie e librit "Ecje nëpër kujtime", libër i promovuar më 15 qershor 2022, në kuadër të aktiviteteve për shënim të çlirimit të Deçanit, organizuar nga Zyra e Kryetarit, Bashkim Ramosaj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat