Vjersha e dytë për atdheun

Kultura

Vjersha e dytë për atdheun

Nga: Agron Shabani Më: 21 qershor 2022 Në ora: 21:46
Agron Shabani

Atdheu
nuk është sall dhembje e mall
që e bart me plaçkat poshtë e lart planetit
Nuk është sall plagë
që e merr me vete kur nisesh
Atdheu është edhe qortim
qortim i rëndë
sa herë ia kthen shpinën

Atdheu është i durueshëm
edhe pas njëqind vjetësh
edhe pas njëmijë motesh
mund të shkruash vjershën për të
nuk je i tepërt
nuk je i vonuar

Ç'është Atdheu?

Ai që më vjen çdo të dytën natë
tek dritarja në Bahnstrasse 14
në Aveny 68 Road 9
në Menhatan
në Champion Forest dr.
e kudo që gjendem
e unë
Unë nuk mund t'i shkoj asnjëherë

Atdheu
është zgjim i cemtë i vetmuar i huaj
kur shikon këmbët e tua prej plumbi
që nuk mund ta kalojnë Urën e Qabesë

Atdheu është edhe Druri
nga rruga ku je rritur
është ylberi dhe përroi
ku e ke takuar për herë të parë
ujin dhe gurin
është qielli blu
të cilin e ke pritur të hapet
Natën e Madhe

Atdheu është gjithnjë
pendim i madh
vrasje në ndërgjegje.

1992

P.S. Biografi e shkurtër për Agim Malën:

Agim Mala u lind në Gjakovë më 17 tetor 1951, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinë, ku për një kohë studioi edhe gjuhën angleze. Me krijimtari letrare u paraqit në fillim të vjetëve ’70. Ka punuar gazetar e redaktor në gazetën e studentëve të Kosovës “Bota e re” (1976 - 1978), në të përjavshmen “Zëri i rinisë” (1978 - 1981) dhe në revistën “Fjala" etj.

Kurse një kohë qe drejtor i Radio Televizionit të Prishtinës (1987 - 1990).

Nga viti 1990 Agim Mala jetoi në mërgim, në fillim në SHBA dhe në Kroaci, pastaj në Zvicër.

 Në vitin 1993 ka nisur të organizojë botimin e shtypit shqiptar të Kosovës në Europë, duke qenë bashkëbotues ose botues i disa titujve: “Eurozëri” (1993 - ), “Bota sot” (1995 - ), “Java shqiptare” (1998 - ) dhe “Zëri ditor” (1999 - ).

Ka botuar librat me poezi: “Fjalë e vetmi”, “Rilindja”, Prishtinë, 1978; “Dritarja që s’hapet”, “Rilindja”, Prishtinë, 1981; “Pamjet pa ne”, “Rilindja”, Prishtinë, 1984; “Gjak në ëndërr”, “Rilindja”, Prishtinë, 1990. Librin me tregime: “Kortezhi i lagur”, “Rilindja”, Prishtinë, 1987. Dramat: “Ventrusët”, “Jeta e re”, Prishtinë, 1986 dhe “Teatri obskur”, “Jehona” Shkup, 1990(?). Poezitë e tij janë përkthyer në sllovenisht, hungarisht, turqisht, rumanisht, anglisht, suedisht, kurse në gjuhën serbokroate i është botuar libri “Shtëpia në savanë”, “Jedinstvo”, Prishtinë & ”Svetlost”, Sarajevë, 1985.
Vdiq më 2 tetor 2007 në Bern dhe u varros më 5 tetor 2007 në Luzern të Zvicrës.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat