“Më ka marrë malli për hijen e manit në oborrin tim”

Kultura

“Më ka marrë malli për hijen e manit në oborrin tim”

Nga: Baki Ymeri Më: 23 qershor 2022 Në ora: 08:49
Kopertina

Malësori i Sharrit, Jusuf Hamzai i Bukureshtit, njihej përmes akteve zyrtare si Gheorghe Ivanescu. Në formularët e policisë ai thekson se u lind në Siniçan të Tetovës, duke e vënë në kllapa emrin Albania jo Maqedonia, gjë që tregon se ishte patriot. Fill pas revolucionit rus, kishte milituar për idealet bolshevike rrugëve të Bukureshtit. Policia mbretërore e kishte zënë duke shpërndarë trakte në qendër të qytetit (1924). “Po qe se kaq shumë të pëlqen politika, shko në Bullgari e merru atje me politikë, dhe na le neve të qetë!” – i kishin thënë. Dhe ai ashtu pat vepruar. E lë Bukureshtin dhe kalon në Ruse. Megjithatë, autoritetet bullgare, në vend që t’ia tërheqin vërejtjen siç kishin bërë rumunët, e dënojnë me 20 vjet burg të rëndë, duke ia ndëruar emrin. Nga Jusuf Hamzai e bëjnë Gjorgji Ivanov.

Në bazë të një dokumenti të Drejtorisë së Policisë së qytetit Ruse (Oblasno Upravlenie na Narodna Milicia), kuptojmë se “Gjorgji Iusufov Ivanov, gëzon lirinë e qarkullimit”. Çertifikata mban titullin “Otkrita Lista”, nr.591 dhe datën 1 shkurt 1945. Pas daljes nga burgu, kthehet në Rumani, te farefisi i vet. Shquhej për trimëri dhe aftësi ushtarake. Martohet me një hungareze, inkuadrohet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe bëhet shok i ngushtë me presidentin e parë komunist të këtij vendi (Gjorgje Gjorgjiu Dezh).

Është karakteristik fakti se si pasojë e mospasjes mundësi për t’u shkolluar, për të qenë zot i vetvetes, për të siguruar ekzistencën me djersën e ballit, pa u bërë viktimë partishë politike apo shërbimesh sekrete, një numër i konsideruar i mërgimtarëve tanë, ndërlidhen me forcat e forta të djallit, që nga Lindja e deri në Perëndim. Disa si pasojë e frikës, do tjerë si pasojë e interesit për të gjetur punë, apo për ta ndjerë veten më të sigurtë, disa për të shpëtuar nga dhëmbët e hekurt të ligjit si pasojë e ndonjë vepre penale, disa për të bërë tregti “ilegale”, ndërsa do tjerë, për të justifikuar atdhedashurinë ndaj vendit përkatës.

Infiltrimi vullnetar apo i sforcuar në rrjetin e shërbimeve të fshehta është çështje e karakterit. Jo ky është obligim elementar, siç pretendonin komunistët, por forca morale dhe besimi ndaj Zotit. Të themi se edhe Jusufi, Refeti, Ibrahimi, Jahishi, Kurtishi, ndonjë rojtar pylli apo shtypshkronje, ishin të këtillë, kjo është punë e të drejtave dhe lirive të njeriut. Po qe se e ndjen veten të pamëkatshëm, askush nuk mund të të detyrojë të jesh informator apo dezinformator. Pos kujtimeve orale, këto i justifikon edhe fotodokumentacioni: “Në shenjë kujtimi. Dita e 23 tetorit 1953 ka qenë dita më e bukur që do të mbetet e paharruar. Me dashuri të zjarrtë, për më të dashurit që kemi. Daut Memishi, Sllatinë” (23 tetor 1953).

Çka thotë shtypi rumun për Jusuf Hamzain?

Publicisti Toma Roman Jr Thekson: Një nga xhelatët më të mëdhenj në Ballkan, nuk ishte bullgar por shqiptar. Kur them ekzekutor, unë do të thoja dikush që vret me dorën e tij. Në mesin e profesionistëve komunistë të cilët ishin vrasës njerëzish të pafajshëm, janë emra të njohur si Gheorghe Pintilie Pantiusa, Alexander Nicolschi ose në vitet e fundit, dhe Ion Alexandru Vişinescu që ka marrë dënimin tepër vonë. Vë bast, megjithatë, se vështirë që dikush ka dëgjuar për Jusuf Amzanë (George Ivanov dhe George Ivănescu). Në fakt, është i njëjti person… Nga dokumentet kam mësuar se Jusufi u bë Gheorghe Amza Ivănescu. Në janar të vitit 1952 ishte dekoruar si Kapiten nga Republika Popullore e Rumanisë. Profesioni bazë i tij ishte "Punëtor i pakualifikuar".

Jusuf Hamzai u lind më 15 shkurt, 1896 në komunën Siniçan të Tetovës (Republika aktuale e Maqedonisë Veriore), me kombësi shqiptare. Ai kaloi 20 vjet (1924-1944) në burg në Bullgari për një "akt revolucionar", të cilën ai e përshkruan veten e tij, pa presje: "Unë u dënova me vdekje, sepse kam vrarë një bandit armik të madh, kapitalist të popullit". Faktikisht unë mendoj se ai e ka vrarë "kapitalistin e madh" për ta grabitur. Pastaj dënimi me vrasje iu ndryshua me burgim të përjetshëm. Në burg ai erdhi në kontakt me komunistët bullgarë, kurse në vjeshtën e vitit 1944, pasi bolshevikët bënë grusht shteti në Sofje, që u mbajt më 9 shtator, 1944, na u bë fashist në Rusçiuc (Ruse). Faktet flasin se ai e bëri numrin më të madh të viktimave.

Partizanët komunistë bullgarë filluan ekzekutimet kur morën pushtetin. Iusuf Amza, Gheorghe Ivanov apo Gheorghe Ivanescu, në fakt është një dhe i njëjti person. Rastësisht e gjeta regjistrimin e tij autobiografik nga çeqet e anëtarëve të partisë midis viteve 1951 dhe 1952. Duke kërkuar me emër, fillova të bëj disa deduksione logjike. Nga dosja mësova se Iusuf Amza, i cili u bë Gheorghe Ivănescu, ishte kapiten i Ministrisë së Brendshme të Rumanisë në janar 1952, dhe kishte marrë "dekorata" (sic!) „Steaua Republicii” („Ylli i Republikës”) Klasa e 5-të. Po e përsëris se ai kishte kaluar 20 vjet (1924-1944) në burgun e Bullgarisë për një “vepër revolucionare” që vetë e përshkruan pa fjalë: “Më dënuan me vdekje për vrasjen e një banditi, një armik të madh kapitalist të popullit”. Kjo më bëri të mendoj se ai në fakt po vriste "kapitalistin e madh" për ta grabitur. Dënimi i tij u ndryshua në burgim të përjetshëm.

Në burg ra në kontakt edhe me komunistët bullgarë të burgosur dhe u shërbeu, sepse në vjeshtën e vitit 1944, pas grushtit të shtetit bolshevik në Sofje, që ndodhi më 9 shtator 1944, u bë “udhëheqës i kampit fashist" nga qyteti Rusciuc (Ruse). Këtu besoj se ka bërë më së shumti viktima. Ndryshe nga Rumania, ku agjentët e Moskës morën gradualisht pushtetin, ata kryen gjenocid në vendin fqinj. Për shkak se janë “fashistë”, ekzekutuan nga 20 deri në 40 mijë njerëz në tre muajt e parë të pushtetit, pa gjyq, shumica prej tyre politikanë demokratë, pronarë biznesi, fermerë të pasur, priftërinj, intelektualë.

Ata eliminuan shpejt të gjithë kundërshtarët e tyre. Kur ekzekutimet nuk bëheshin në mes të rrugës, ato bëheshin në kampe të improvizuara. Amza ishte kreu i një institucioni të tillë në Ruse. Ishte aq sadiste sa në vitin 1945, kur u vendos pushteti komunist në vendin fqinj, nuk dukej mirë. Kishte një lloj marrëveshjeje mes komunistëve rumunë dhe bullgarë për mbrojtjen dhe fshehjen e disa “personazheve delikate”.

Kështu mbërriti Iusuf Amza në Bukuresht ku filloi karrierën si kriminel partie, me një emër tjetër. Ai u punësua si "nëpunës administrativ" në selinë qendrore të PCR CC në Aleea Alexandru. Në fakt, kjo ishte një mbulim. Disa rrëfime të krimeve komuniste të kryera në Rumani midis viteve 1944 dhe 1946 kanë një farë "Bulgaru" si karakter qendror. Pikërisht në ekipin e Pantiushës e likuidoi Ştefan Foriş-in dhe ilegalistët e akuzuar si informatorë të sigurimit, Petre Melinte dhe Ion Pârgaru, me gradën në selinë aktuale të ambasadës polake.

Ai gjithashtu dyshohet se ekzekutoi Marcu Schon-in, një avokat ilegal gjerman i akuzuar për tradhti. I njëjti "Bulgaru" provokoi një masakër duke hapur zjarr me automatik ndaj një grupi studentësh dhe të rinjsh që po protestonin kundër komunistëve më 8 nëntor 1945, ditën e mbretit Mihai. Pati mbi 10 viktima. Andrei Şiperco, i cili deri më tani ka botuar në tre vëllime ("Rrëfimet e Elitës Komuniste 1944-1965: Rivaliteti. Represioni i krimit… Arkivi Alexandru Şiperco" - Akademia Rumune, Instituti Kombëtar për Studimin e Totalitarizmit) në dy vëllimet e para në "Bulgaru" si njëfarë Ivanov.

Nga dëshmia e ilegalistit Valeriu Bucicov mësojmë se: “Marcu Schon-i ishte matanë rrugës. Gheorghe (Ivanov) e likuidoi atë. Harnoza është Gheorghe “Bulgaru”, i cili likuidoi pronarët e tokave që iu dhanë në mbrojtje. Në vitin 1944 likuidoi një grup pronarësh tokash. Ai në fakt ishte një shqiptar muhamedan. Ai erdhi tek ne. Në vjeshtën e vitit 1945 Neciu dhe Gheorghe e likuiduan Melinte-n. Shënimet e Shiperco seniorit i përktheva si vijon: “Gheorghe Ivanov (Ivănescu) ishte në fakt një shqiptar, i cili në vitin 1944 vrau një grup pronarësh tokash në Bullgari. Ai errdhi këtu dhe i vrau Schon-in dhe Melinte-n. I njëjti Bucicov rrëfen një episod nga 8 nëntori 1945:

"Gheorghe" Bulgaru doli në rrugë dhe qëlloi në Sheshin e Pallatit. Po tërhiqnin të gjithë nga Schmeisseri. Një histori të ngjashme e gjejmë te Mircea Ioanid, në vëllimin e tretë: “Plaku (“Bulgaru-nn) kishte një “balalaică”… Ishin rreth 2.000 në rrugë. Ne ishim me dhjetëra. Kam gjuajtur vertikalisht, pjesa tjetër në ajër dy-tre të shtëna. Plaku, i çmenduri, qëlloi mbi ta.” Po kthehem me një thënie të fundit nga Bucicovi: "Mitca Neciu dhe Gheorghe" Bulgaru" që vranë të arrestuarit në Bullgari ishin ndihmësit e Pantiushës. (…) "Bulgaru" nuk është njeriu që nuk merr përgjegjësi. Ai ishte „njeriu” që vrau shumë njerëz të pafajshëm.

Ai u tha bullgarëve: “E bëra dhe çka!? Ata nuk meritonin asgjë tjetër!” Jam i bindur se Iusuf Amza, "Bulgaru", Gheorghe Ivanov dhe Gheorghe Ivanescu janë një dhe i njëjti person. Në fakt, Andrei Şiperco erdhi në këtë përfundim në parathënien e vëllimit të tretë të shënimeve të babait të tij. Një atentator psikopat shqiptar, i cili ka kaluar 20 vjet në një burg bullgar (nga këtu edhe pseudonimi „Bulgaru”), arratiset dhe kryen një sërë krimesh të tmerrshme në Bullgari dhe Rumani në emër të komunizmit. Me një vlerësim të thjeshtë, ai ka rreth 100 viktima të drejtpërdrejta. Çfarë të keqe ka kjo!?

Në vitin 1951 emërohet kapiten në MPB-në rumune. Informacioni i fundit që gjeta për të më la pa fjalë. Bëhet fjalë për Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1415 datë 14.10.1958. Ai parashikon përpunimin e një dekreti në lidhje me dhënien e një pensioni të veçantë majorit rezervist Ivănescu Gheorghe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Si do të ishte llogaritur pensioni i tij? 50 lei për çdo viktimë? Mund ta imagjinoj gjithashtu plakun e butë (në vitin 1958 ai ishte 64 vjeç), Iusuf-Gheorghe duke ngrënë pensionin e tij shumë të madh në banjat, në një shtëpi pleqsh të Ministrisë së Brendshme, ndërsa ai u tregon atyre për një birrë të rinjve me një ton të qetë, teknika e atentatit me levë. (Origjinali rumanisht i botuar në „Evenimentul istoric”, Nr. 31, Bukuresht 2020. E përktheu: B. Y.)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat