Vargu më heshti, më mbeti në hije

Kultura

Vargu më heshti, më mbeti në hije

Nga: Jahe Fida Më: 25 qershor 2022 Në ora: 12:52
Jahe Fida

Ngreu Naim, të lutem më thuaj

si të duken fushat, arrat mbetur djerë

dhe malet e prera a ngjajnë si të huaj

bjeshka pa blegërima a duket e mjerë?!

 

Ngreu Millosh, i madhi Migjen

Më thuaj të lutem nëse kam gabim

“ Lula të Vocër “ vallë veç nji gjenë

a mos prej tyre  pushtuar e sheh vendin tim?!

 

Dhe ti këngëtar që rinisë i këndoje

ngreu e më thuaj si të duket rinia

a mos vallë në vende të tjera i doje

e pa rini të mbetej Shqiperia?!

 

Mendova sot të bëhesha Naim

Migjenit t’i thoja që kishte gabuar

dora m’u dridh, në shpirt trishtim

e lash penën, këngëtarin jo ftuar!

 

Me “  Lulat e Vocër “ loti më pushtoi

rinisë shqiptare i shpura fjalë

kthehuni tek nëna vendi të ndryshoj

për Ju nënën Shqipëri e këputi mall!

 

Dhe fushat e malet rininë kërkojnë

brigjet, gërxhet, livadhe lulëzuar

rinia vëmendjen tek ata të drejtojnë

duan gjallëri, mos ndjehen trishtuar!

 

S’u bëra Naim, pena m’u thye

me helmin e shpirtit, Migjenin kujtova 

vargu më heshti, më mbeti në hije

u ndjeva fajtor, s’di nëse gabova?!!!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat