Kur intelektuali rri gatitu përballë injorantit!

Kultura

Kur intelektuali rri gatitu përballë injorantit!

Nga: Hejza Art Më: 1 korrik 2022 Në ora: 10:16
Foto ilustrim

A ka më keqe se kur pushteti ta vë përballë injorantin dhe ti, për shkak të një interesi mikroskopik, shkel mbi dinjitetin personal dhe i rri gatitu injorantit, duke i thurë elozhe, mbase edhe duke e bërë publike përmes rrjeteve sociale, si një e arritur e veçantë.

Ja deri ku ka arritur sot intelektuali ynë i mjerë, që nuk sheh asgjë të keqe, që nuk çan kokën për asnjë devijim, që nuk e ngre zërin ndaj përbaltjes së vlerave të kulturës sonë, të cilat vlera pothuaj janë zhbërë.

Qëndron përballë injorantit që e ul partia në karrigen që ka përgjegjësi të madhe, ndërkaq ai, pra injoranti, në atë karrige ia fut gjumit dhe përmendet vetëm kur i shkojnë ca alamet intelektualë, të cilët e mbulojnë me komplimente vetëm e vetëm për të marrë ndonjë kockë nga shteti, jo për ndonjë projekt konkret, por për aso projekte që paralajmërohen zëshëm, por që në heshtje i përpin harresa.

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala intelektual ka këtë shpjegim: Ai që ka një përgatitje të veçantë në një fushë të shkencës, të teknikës, të kulturës e një formim të gjerë arsimor dhe merret kryesisht me punë mendore, njeri i punës mendore.

Ndërkaq për Aristotelin identifikoheshin si intelektuale ato virtyte që bënin pjesë në shkencë, njohuri, art dhe punë mendore, e që i lejonin shpirtit të arrijë të vërtetën.

Pra, thelbi ndërlidhet me të vërtetën.

Ata që ishin të denjë shpirtërisht dhe në shërbim të identitetit kombëtar, ata nuk e kursyen as jetën për të vërtetën. Ndaj shumë prej tyre u vanë, u pushkatuan e u torturuan në mënyrë çnjerëzore vetëm e vetëm pse mbrojtën kauzën të vërtetës.

Prandaj, intelektualët e vërtetë, të cilët në këto kohë të turbullta i kemi me bollëk, nuk duhet të heshtin para një morie të madhe të dukurive negative, të cilat janë të zeza, por që, për shkak të shitjes së shpirtit, si në kor thonë: janë të bardha.

Pra, kur intelektuali ulet përballë injorantit politik, atëherë është më se e sigurt se vdes e vërteta dhe i hapet shtegu gënjeshtrës, e cila të bardhen në çdo kohë e bën të zezë.

Në vend që këta intelektualë ta ngrenë zërin, edhe atë zëshëm, për ofendimin që ua bëjnë partitë politike duke vënë në pozicione të rëndësishme injorantë të dëgjueshëm, ata presin radhë, edhe më orë, vetëm e vetëm për t’u takuar me injorantin, për ta bindur atë se ai është i vërteti që i ka munguar edhe kulturës shqiptare.

Duhet të jetë e qartë: injoranti nuk mund të prodhojë asgjë pos injorancës, të cilën, fatkeqësisht një pjesë dërmuese edhe e intelektualëve shqiptarë (për interesa të imta) e trajtojnë si vlerë.

Më keq se kjo nuk ka...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat