Sica dhe thika

Kultura

Sica dhe thika

Nga: Ardian Vehbiu Më: 2 gusht 2022 Në ora: 16:59
Autori Ardian Vehbiu

Një buletin etimologjik ku jam abonuar, më përmendi sot fjalën SICARIO të italishtes, me kuptimin “vrasës me porosi”, dhe që italishtja moderne e ka marrë, me rrugë librore, prej latinishtes SICARIUS, “vrasës”, kjo nga një SICA, “thikë”. Dhe aty u kujtova se latinishten SICA, një lloj thike a kame e përkulur, të cilën e përdornin rëndom gladiatorët trakë (Treccani) dhe ilirë, e kanë lidhur shpesh me shqipen THIKË: disa duke parë te fjala latine një huazim nga ilirishtja, të tjerë duke parë te fjala shqipe një huazim nga latinishtja. Kjo hipotezë e dytë nuk qëndron, për arsye fonetike – një s- nistore e latinishtes, e ndjekur nga një zanore, nuk ka dhënë kurrë th- në shqipe.

Image
Lloj thike e përkulur, të cilën e përdornin rëndom gladiatorët trakë (Treccani) dhe ilirë

Sa për latinishten SICA, Michiel de Vaan – te Etymological Dictionary of Latin and the Other Italic Languages (Brill, Leiden – Boston, 2008), nuk gjen ndonjë etimologji të kënaqshme dhe përsiat se mund të jetë “huazim”; këtë tërthorazi e mbështet edhe fakti që fjala latine nuk ka lënë gjurmë në asnjë prej gjuhëve neolatine. Edhe një tekst nga poeti Ennius (“Illyrii restant sicis sibinisque fodentes”) aludon tek origjina ilire e emrit SICA. Megjithatë, hipoteza e prejardhjes “ilire” të latinishtes SICA, e mbështetur në dëshmi historike dhe kulturore të autorëve të kohës, por tërthorazi edhe nga shqipja THIKË (që mund të vazhdojë një fjalë ilire SICA) nuk kënaq plotësisht, sa kohë që këto fjalë kulturore shpesh shtegtojnë nga një gjuhë në tjetrën, së bashku me artikujt a mallrat që shënjojnë; por edhe ngaqë ende nuk është dhënë ndonjë etimologji e kënaqshme e ilirishtes SICA. Që shqipja THIKË të ketë vazhduar një ilirishte hipotetike SICA, kjo kërkon që një sibilante e ilirishtes të jetë përthyer si th- në shqipe; përgjithësisht, pranohet se th-ja e shqipes së sotme është vazhdim i një qiellzoreje të trashëguar, i një dhëmboreje, i grupit -zd, ose ka hyrë me huazime të vona nga greqishtja, anglishtja, etj. (K. Topalli, Fonetika historike e gjuhës shqipe). Prandaj hipoteza që shqipja THIKË është vazhdim i ilirishtes SICA nuk ka premisa tërësisht te shëndosha. Çabej (SE VII) – siç mund të pritej – e pranon idenë që THIKË mund të jetë fjalë vendi, që madje gjen vend brenda ndonjë barazimi indoeuropian ; por lë hapur edhe mundësinë që kjo THIKË të jetë një shumës (i singularizuar) i THEKË, me kuptimin “majë e mprehtë”; dhe ashtu të jetë pjesë e serisë metafonike THAK > THEKË > THIKË. Te ky grup, pas këtij autori, e ka vendin edhe THEKËR, meqë THEKË shënjon, në disa të folme, halat e kallirit. Kjo hipotezë e dytë, që e shpjegon fjalën THIKË si formim të brendshëm të (proto)shqipes, bind më shumë se e para – aq më tepër që THAK/THEKË gjen vend më mirë se THIKË, në barazimet leksikore indoeuropiane. Si edhe në shumë herë të tjera, prirja metodologjike e Çabejt, për ta parë leksikun si produkt zhvillimesh dhe dinamikash të brendshme, duket më e arsyeshme se krahasimet jashtëgjuhësore të drejtpërdrejta (shq. THIKË – lat. SICA) ose përfshirjet në premisa të madhësive praktikisht të panjohura, si ilirishtja. Prandaj edhe historia etimologjike e kësaj fjale, THIKË, në lidhjet e saj aq sugjestive me latinishten SICA, pjesëmarrjen e supozuar në historinë e kontakteve kulturore mes Ballkanit dhe Romës; por nga ana tjetër edhe marrëdhëniet e saj me THAK/THEKË brenda shqipes, dëshmon dilemën e historianit të leksikut shqip: lidhjet e jashtme i japin premisa të dukshme, por jo tërësisht solide, ndërsa lidhjet e brendshme janë më bindëse, por edhe më spekulative. Ajo që bën Çabej është ku e ku më e vështirë dhe kërkon njohje të thellë të shqipes, gjë që etimologët dhe indoeuropianistët e huaj nuk e arrijnë dot dhe as mund ta arrijnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat