Monsinjor Dr. Zef Oroshi dhe persekutimi i familjarëve të tij

Kultura

Monsinjor Dr. Zef Oroshi dhe persekutimi i familjarëve të tij

Nga: Prof. Pjetër Marku Më: 3 gusht 2022 Në ora: 13:13
Shtatorja kushtuar monsinjor Dr. Zef Oroshit

Është fakt, që në analizat dhe studimet mbi figurat historike të kombit shqiptar janë përdorur gojëdhënat.*

Për Monsionjor Dr. Zef Oroshin, për veprimtarinë, misionin dhe jetën e tij, po paraqesim të dhëna të pacekura apo të padokumentuara më parë, të mbështetur në gojëdhëna të transmetuara brez mbas brezi deri në ditët e sotme. Këto të dhëna (gojëdhëna), janë ruajtur nga familjarët dhe njerëzit më të afërt të tij, pa deformime dhe ekzagjerime. Ato janë të vërteta të pamohueshme, sepse kanë dalë nga goja e nënës, vëllezërve, motra, halla, nipat, mbesat, miqtë më të afërt dhe bashkëpunëtorët e tij dhe disa prej tyre bashkëkohës të prelatit tonë katolik.

Pema gjenealogjike e familjes Monsinjor Dr. Zef Oroshit.***

Image
Pema gjenealogjike e familjes Monsinjor Dr. Zef Oroshit

Oroshi, ka dymbëdhjetë fise.* Ndër këto fise, fisi i Çokut, është ndër me të vjetrit. Ata banonin në dy vendbanime, në Lajthizë dhe në Lgjin. Sot, në këto dy vendbanime ka trashëgimtarë të fisit te vjetër. Për faktor që nuk i dimë, nga trungu i këtij fisi, emigruan në fshatin Korthpulë për të banuar Prend Pjetër Çoku, e quajtur si “Shtëpia e Madhe“. Sot, ekzistojnë familjarë dhe prona të kësaj shtëpie. Mirëpo sipas Prof. Dr. Mark Tirta,** në veprën: “Mirdita e moçme, emigrime të popullsisë së saj”, citon: “Çoku i Oroshit, përbëhet nga një degë vendase (Pal Çoku e Çokajt e Lajthizes) dhe nga ana tjetër ka degë të mbështetura, të ardhur nga Korthpula e Dibrit e nga Pulajt e Selitës (Imigrime brënda Mirditës).”

Duhet përmendur se Monsinjori është njohur me dy mbiemra, më mbiemrin Çoku (emri i fisit) dhe me mbiemrin tjetër Oroshi (fshati Orosh i Mirditës). Fisi i Çokut është nga Oroshi, ndër fiset më të vjetra. Por në të njëjtën kohë, emigrimet në disa raste nuk kanë qenë të suksesshme dhe ka patur familje që janë kthyer përsëri nga Korthpula e nga Pulajt në trojet e vjetra, duke formuar degë të mbështetura.

Paraardhësit dhe pasardhësit e Monsinjor Dr. Zef Oroshit, kanë banuar në Kaftall dhe janë njohur si familja e Gjok Prendit. Sot kjo familje e madhe është e shpërndarë në Shqipëri dhe emigracion, duke ruajtur mbiemrin Prendi.

Sot, në fshatin Kaftall, kanë pronat e tyre të trashëguara brez pas brezi. Historia e këtij fisi të lavdishëm është qindra vjeçare.

Prendi, ka trashëguar dy pasardhës: Gjoka (babai i Mons. Dr. Zef Oroshit) dhe Bardhja (halla e Monsinjorit).

Nana e prelatit tonë, Dila, është e motra e Gjon Kol Prendit nga Dushi i Epërm Bardhja (halla), ishte martuar në fshatin Gjobardhaj (lagja: Shpaze), burri i saj, Mark Zef Marku me një trashëgimtar Zef Mark Zefi. (nipi Mons. Dr. Zef Oroshi.).

Gjoka ka pasardhës: Prendin, Zefin (Monsinjorin), Ndojin dhe Luken.

Prendi ka pasardhës: Pjetrin, Gjokën, Gjonin dhe Markun.

Ndoj ka pasardhës: Marien, Daven, Nikollën dhe Ndojin.

Sot, pasardhësit, janë shtuar më të rinj e të reja dhe të shpërndarë kudo, në Shqipëri dhe emigracion.

Familjarët e persekutuar nga regjimi komunist janë: Prendi, Zefi, Ndoj, Lukja dhe pasardhësit e tyre.

Episode të jetës së Monsinjor Dr. Zef Oroshit në Shqipëri

Bekimi nga Perëndia

Nga halla Bardhe dhe motra Luke, kemi dëgjuar disa herë, në bisedat që zhvillonin së bashku, mbi jetën e kësaj familje, duke theksuar se ngjarjet që kanë ndodhur aty janë bekim nga Zoti.

Vuajtjet, vështirësitë, sakrificat për mbijetesë nga njëra anë, dhe privilegjet e të mirat të arritura, jo të dhuruara, por të fituara me dije, me mundime, të dyja së bashku bashkëjetojnë, duke plotësuar kalvarin e jetës të kësaj familje fisnikë mirditore.

Gjok Prendi (babai Monsinjorit), vdes në moshë shumë të re, duke lënë fëmijët jetim dhe Dilën e vej. Fëmijët, ishin shumë të vegjël. Por shumë shpejt troket në dere bekimi nga Zoti. Delegati i Shkodrës dom Engjëll Serreqi S.J mori Zefin e vogël në qytetin e Shkodrës, ku e regjistron në Seminarin Pontifikal (Jezuit), që përgatiste rregullisht studentë, për meshtarë të rinj.

Monsinjori, më thoshte halla Bardhe, ishte fëmijë shumë i zgjuar dhe më një zhvillim fizik shumë të mirë. Delegati i Shkodrës i kërkoi nënës Dilë ta dërgonte në shkollë dhe Nëna Dilë pranoi. Mësimet fillestare ai i mbaroi në Kaftall.

Studimet e mesme i nisi në vitin 1927, në Seminarin e njohur “Saverian”, i themeluar në vitin 1859, të “Urdhrit Jezuit” (S.J.) në Shkodër dhe i mbaroi në vitin 1937. Gjatë shkollimit ai shkëlqeu, si nxënës shumë i mirë. Në formimin e personalitetit të tij, kanë ndikuar shumë mësuesit e tij, atdhetarët e shquar si: poeti i ëmbëlsisë dom Ndre Mjeda dhe poeti kombëtar atë Gjergj Fishta O.F.M.

Nëna Dilë bashkë më fëmijët e tjerë i dhanë bekimin Zefit, për të vazhduar shkollën e lartë të Jezuitëve në Itali. Në studimet e larta ai sërish spikatë si një ndër studentët më të mirë. Në vitin 1940 mbaroi studimet e larta në Itali dhe u shugurua meshtarë, si misionar apo bari shpirtëror i kishës katolike. Ky ishte bekimi i dytë i Zotit për këtë familje fisnike.

Si i shpëtoi rrethimit te sigurimit të shtetit komunist në kishën e Ungrejt

Monsionjor Dr. Zef Oroshi, me veprimtarinë e tij fetare, atdhetare dhe antikomuniste, ishte bërë kundërshtari më i madh i pushtetit komunist. Ai kishte lidhje të ngushta me “Komitetin e Maleve”, që asokohe drejtohej nga komandanti Kapidani i Mirditës Mark Gjomarku dhe me të gjithë antikomunistët, që ishin kundër regjimit të egër komunist.

Monsinjori mbas vrasjes së dy trimave të maleve Kapidanët e Mirditës Mark dhe Llesh Gjomarku, u emërua menjëherë si komandant i “Komitetit të Maleve”. Prelati i shquar mirditor ishte misionar, frymëzues i çetave të rezistencës anti-komuniste me armë në dorë, kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Kështu sipas Zef Mark Zefit (bashkëkohës dhe nipi i tij dhe që i shërbente)****, dom Zefi kishte krijuar rrjetin e tij të njerëzve që i siguronin informacion për veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit kundër tij. Gjithmonë ai ishte një hap para atyre. Asokohe dom Zef Oroshi, po jepte meshë para popullit, brenda në kishë.

Pasi filloi mesha u bë rrethimi i kishës në mënyrë të fshehtë nga Sigurimi i Shtetit dhe kishin vendosur më përpara, që arrestimi i tij të bëhej pas meshës. Gjysmë ore para se të mbaronte mesha, dom Zefit dikush i dha një letër, duke i thënë se je i rrethuar nga forca të shumta të Sigurimi të Shtetit. Ky ishte një informacion i saktë nga njerëzit e besueshëm të tij. Dhoma e pasme e kishës kishte një derë të maskuar. Prifti ynë kishte aty pranë armë, që ishin vendosur para se me fillue mesha për çdo rast vetëmbrojtjeje.

Ai ishte në çdo kohë i përgatitur në kishë e kudo. Meshtari i fshatit tonë, ishte gjakftohtë dhe i qetë gjatë dhënies së meshës. Koha ishte e mjaftueshme për të dalë nga kisha. Para mbarimit të meshës, kaloi në dhomën e pasme dhe nëpërmjet derës së maskuar, i armatosur me pistoletë dhe granata, është larguar nga kisha, dhe është futur në qelë, ku ka takuar motrën Luke dhe i ka thënë asaj, se është i rrethuar nga forcat e ndjekjes së Sigurimit të Shtetit.

Më pas ai ka dal në pyllin pranë të mbuluar me lisa e shkurre. Terreni i pyllëzuar u ba aleat për të shpëtuar meshtarin tonë nga rrethimi. Populli i Ungrejt, një popull atdhetar, fisnik, bujar dhe i besës, i shpëtoi jetën priftit tonë, në momentet më të vështira të tij. Është rast unik në historinë e trevave shqiptare. Lavdi dhe nderim për jetë popullit fisnik të Ungrejt.

Tre javët e para në arrati, i strehuar në mal në fshatin (Gjobardhaj) lagja Shpazë

Meshtari dom Zef Oroshi, në këtë fshat ka pas të martuar hallën Bardhe në shtëpinë e Mark Zef Markut. Familja kishte vetëm një djalë, Zefin, nipin e tij, i cili i ka shërbyer me besnikëri dhe përkushtim famullitarit tonë, tek qela në Ungrej. Atje, Zefi, ka mësuar shkrim, lexim dhe aritmetikë.

Duke patur besim dhe siguri është strehuar në pyll, sipër shtëpisë se Mark Zef Markut (dhandrri). Në këtë kohë shteti komunist ishte në lëvizje natë dhe ditë. Familja e Mark Zef Markut ishte në vëzhgim, në ruajtje nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Zefi (djali), në këtë periudhë i ka shërbyer me detyrën e ndërlidhësit deri sa është larguar nga ky strehim. Ai është furnizuar më ushqim dhe veshje për tre javë nga halla Bardhe. Pasi është lidhur me bashkëpunëtorët e tij dhe kanë planifikuar e siguruar lëvizjet, janë nda rrugët përjetësisht me dhëndrin e tij, me hallen Bardhe dhe me nipin Zef. Ndarja e rrugëve ishte vendim i dom Zef Oroshit, sepse nipi ishte vëlla i vetëm dhe nuk ka pranuar ta marrë në arrati.

Veprimtaria luftarake e dom Zef Oroshit

Zefi (nipi) tregonte për dom Zef Oroshin: Kohën e lirë, ditën dhe natën, e shfrytëzonte duke studiuar shumë libra të kishës, të artit ushtarak, letërsi. Krahas leximit të tyre merrte shënime. Librat historik i studionte shumë, sidomos ato për luftërat, për gjeneralët më të shquar, për strategjitë dhe planin e luftës. Studionte elementët bazë të luftimit prita, rrethimi, çarja e rrethimit, marshimet dhe siguria në lëvizje, lëvizjet në fushën e luftimit, sulmi dhe mbrojtja. Njihte shumë mirë luftën guerile. Ai zotëronte artin ushtarak teorikisht dhe praktikisht. Merrte masa për tu mbrojtur, për të çarë rrethimin, ruajtjen dhe sigurinë e qeles. Fizikisht ishte i fuqishëm dhe shumë i shpejtë. Ishte ideator, organizator i suksesshëm dhe udhëheqës. Ishte njeriu i duhur për të drejtuar Komitetin e Malrve.

Zhvillonte takime me njerëzit më të zot të zonës Ungrej dhe Mirdite. Takimet dhe lidhjet ishin me antikomunistët, kundërshtar të regjimit komunist. Mbante lidhje me persona të veçantë të Sigurimit Shtetit. Shfrytëzonte maksimalisht miqësinë, takimet, drekat në të dy krahët, vetëm e vetëm për të siguruar informacione në shërbim të misionit të tij.

Ndër misionarët e Kishës Katolike, ishte më i veçanti. Ishte prijës, luftëtar i vërtetë, i pamposhtur dhe shumë trim.

Gjatë misionit fetarë ka zbuluar shumë intriga dhe pabesi, por i ka asgjësuar me sukses. Ai mposhti me mjeshtëri rrethimin në kishë për ta arrestuar, dy herë është plagos dhe i ka shpëtuar pritave. Sipas dëshmitarëve okular në betejë, në fushën e luftimit, në përpjekje të Kalaja Qytet me Sigurimin e Shtetit, ka shfrytëzuar zonat e vdekura të terrenit, shpejtësinë, duke vrapuar e hapur zjarr dhe ka dalë fitimtarë.

Dënimet dhe internimet e familjes në periudhën e diktaturës

Pas tetë muaj në mal, në arrati, dom Zefi arrin të arratiset në Jugosllavi bashkë më shokët e tij në muajin gusht të vitit 1952. Në këtë periudhë filloi persekutimi i familjes me burgje, internime dhe vdekje.

Prend Gjok Prendi (vëllai i madh), banonte në Sheher të Lezhës me familje. U ba arrestimi i tij në shtator 1952. Ka qëndruar në burgun e Lezhës afërsisht një vit dhe e kanë liruar. Shumë shpejt internohen familjarisht me nanën Dilë, me motrën Luke, me Pjetrin (djali i madh) në kampin e Tepelenës. Tre vite kanë qëndrue në kamp. Kjo periudhë ishte kalvar vuajtjesh në izolim. Vuajtje për ushqim, për ujë, për veshmbathje, mungesë të kushteve minimale të jetesës, presion psikologjik, të gjitha llojet e presioneve fizikë, në vëzhgim për çdo lëvizje, në pyetje për çdo dyshim. Nga kampi në Tepelenë e dërgojnë familjarisht në internim në Pluk të Lushnjës. Në fillimet e demokracisë u përqendruan në Tiranë.

Ndue Gjok Prendi (vëllai i vogël). Në të njëjtën kohë me Prendin, arrestohet nga Sigurimi i Shtetit edhe vëllai i vogël i dom Zefit, i cili banonte familjarisht në fshatin Kaftall. Arrestimi u realizua në vjeshtën e vitit 1952 dhe u burgos në burgun famëkeq të Shkodrës. Gjatë qëndrimit në burg, janë përdorur hetime, provokime, mashtrime dhe presione psikologjike.

Gjatë hetimit, hetuesit i kërkuan të bashkëpunoj me hetuesit, për të manipuluar të dhënat ashtu siç kishin qëllimin ato, por Ndoj nuk pranoj. Atëherë janë shtuar torturat. Janë përdorur tortura nga më ç’njerzore ndaj tij, siç janë: rrahjet me kamxhik, vezët e zira në sqetulla, kunjat e pishës në thoza. Ai ka qëndruar pa ushqim dhe ujë ditë të tëra. Në dimrin e vitit 1952-1953, ka qëndruar më shumë në dhomën e izolimit, i zhveshur dhe zbathur, në lagështi dhe pa ngrohje, në pisllëk dhe pa gjumë, me plagë të shumta në shtat dhe më dhimbje të padurueshme, me plagë të shumta në trup, duke e rrahur vazhdimisht me kamxhik.

Ai disa herë në burg ka kaluar në gjendje kome. Trupi i Ndojt, me shumë plagë të jashtme dhe të brendshme, me kocka të thyera, me mushkëri të ftohura, nuk i rezistoi vuajtjeve, ku dhe ndërron jetë në moshën e re 37-vjeçare, në muajin shkurt të vitit 1954. Ishte një vdekje e dhimbshme e një njeriu të pafajshëm, vetëm pse kishte vëlla dom Zef Oroshin e arratisur nga Shqipëria komuniste. Në heshtje, miqtë, shokët, njerëzit e gjakut dhe populli kishin krijuar një urrejtje dhe indinjate të thellë ndaj regjimit komunist. Familja e Ndojit, nana Dilë mbeti e vej, kurse dy vajzat dhe dy djemtë mbetën jetime.

Persekutimi vazhdoi. U mohuan disa të drejta themelore të njeriut nga shteti komunist. Nuk kishin të drejtën e fjalës, të shkollimit në shkollën e mesme dhe në universitet, të drejtën për tu zgjedh dhe për të zgjedh (gjatë votimeve) dhe as për të punuar në asnjë lloj pune.

Gjoni (djali i Prendit), për shumë arsye të ndryshme, por në veçanti, nuk lejohej për të vazhduar shkollën e lartë (duke qenë nxënës i shkëlqyer), tentoi të arratiset në Veri të Shqipërisë, por pa sukses. U dënua më dhjetë vjet burg politik. Dënimin e ka kryer në burgun famëkeq të Spaqit.

Gjatë persekutimit të kësaj familje, shoqëria në përgjithësi, ka qenë e ndjeshme dhe i ka respektuar.

Shteti komunist në vazhdimësi e ka zhvilluar luftën e klasave. Ata të gjithë ishin në vëzhgim të vazhdueshëm nga forcat e Sigurimit të Shtetit apo spiunët e tyre…, në hetime deri në fillimet e demokracisë.

Përfundime:

Monsinjor Dr. Zef Oroshi dhe trungu familjar janë vazhdimësi e fisit fisnik “Çoku”. Ai është figurë emblematike, më e shquara, më e ndritura dhe e pa krahasueshme e fisit dhe ndër personalitetet historike më të spikatura të Mirditës.

Gjithë jetën e tij në Shqipëri dhe pas arratisjes në Itali dhe në SHBA, ia kushtoi misionit fetarë dhe luftës kundër regjimit komunist.

Burimet e informacionit:

**Mirdita e moçme emigrime të popullsisë së saj”, Prof. Dr. Mark Tirta.

*Studiuesi Xhemal Meçi “Oroshi, fiset e tij”

***Pasardhësit e Mons. Dr. Zef Oroshit (Nikoll Ndue Gjoka: djali i vëllait dhe Prend Gjok Prendi: djali i djalit të vëllait).

**** Pjetër Zef Marku, djali (Zef Mark Zefit), i nipi Mons. Dr. Zef Oroshit.

Image
Nderimet për figurën e Monsinjor Dr. Zef Oroshit

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat