Trimëria e lepurit veshgjatë

Kultura

Trimëria e lepurit veshgjatë

Nga: Agim Xh. Dëshnica Më: 28 shtator 2022 Në ora: 16:35
Agim Xh. Dëshnica

Në një pyll të dendur me lisa e shkurre lindi një lepurush veshgjatë, syshtrembër e bishtshkurtër. Sapo doli nga strofkulla për herë të parë, në ato orë mëngjesi, e gjer në mbrëmje, ai u tremb e u tremb sa gjaku desh i ngriu. Kështu një ditë, dy, një javë, dymbëdhjetë muaj… I gjori lepurush! Dhe e gjithë kjo ndodhi, nga tërë ç’pa e dëgjoi përqark.Nga gurët përtokë e nga drurët, që ngriheshin përpjetë. Kërciste një degëz e thatë, fërfërinin gjethet nga era, brofte lart në majën e lisit një zog, binte një top bore përdhe, zemra e lepurushit në gji dridhej e përpëlitej!

Hë, hë, lepurushi u rrit e, së fundi, u mërzit aq fort nga ajo gjendje, sa befas nuk pati më frikë nga asgjë dhe nga askush.

- S’ia kam frikën kujt! - thërriste nëpër pyll. - Ta dini mirë, se asgjë s’më tremb! Asnjë s’ma del për guxim e trimëri!

Me të dëgjuar ato thirrje lepujt e moshuar, të rinj e të reja dhe plot nëna me lepurushët, u mblodhën te sheshi në mes të pyllit.U habitën e nuk po u zinin besë veshëve nga ato që thoshte lepuri syshtrëmbër e bishtshkurtër.Deri atëherë s’ishte parë e as dëgjuar që një lepur të mos trembej nga askush.

- Hej, Veshgjatë, as nga ujku nuk ke frikë ti?

- Jo! As nga dhelpra, nga ariu e nga kushdo qoftë!

Me ato fjalë të gjithë sa qenë, i madh e i vogël, u zbavitën si asnjëherë tjetër. Të rejat kukurisën, duke e mbyllur gojën me putrat e para.Gratë e mira qeshën me gjithë shpirt.Madje, edhe pleqtë, që kishin shpëtuar për një qime nga kthetrat e dhëmbët e ujkut, vunë buzën në gaz.

“Sa lepur qesharak!” - dëgjoheshin zëra nëpër sheshin me hije.

Të gjithë u pushtuan nga një gazmend i papritur.S’mbeti asnjë nga lepujt pa u gajasur.Filluan të luanin laradasha, të hidheshin përpjetë, të bridhnin e të ndiqnin njëri - tjetrin si të marrë.

- Ç’ta zgjas me ju! - bërtiti lepuri i trimëruar. - Dëgjoni, pra! Po më ra ujku në putra, pa një pa dy, do ta shqyej në vend!

Plasi gazi përsëri.

- Ha, ha, ha! Çfarë karagjozi! Pa shih, ç’budalla! - thërrisnin lepujt me sa u hante fyti.

Ndërkaq, ujku i uritur sillej nëpër pyll. Ec e ec dhe mendonte:

“Ah, sikur të kapja dot qoftë edhe një lepur sot! Do ta gëlltisja në çast gjithë lezet!”

Kur, befas, diku pranë dëgjoi se një tufë e tërë lepujsh bërtisnin dhe qeshnin me të madhe.Ndaloi, nuhati ajrin, eci vjedhurazi ngadalë - ngadalë përmes shkurreve dhe mbërriti fare afër sheshit, ku lepujt vazhdonin të luanin, të qeshnin e të talleshin me mburravecin veshgjatë e syshtrembër, që thërriste më fort se ata.

“Eh, vëllaçko, prit edhe pak, se në dhëmbët e mia do ta mbyllësh atë gojë llafazane!” - mendoi ujku dhe hodhi sytë të shihte, teksa tërë ajo zhurmë gazmore u ndërpre, kur mburraveci i ngritur mbi këmbët e mbrapme, thirri:

- Dëgjoni, o frikacakë! Tani do t’ju tregoj diçka për të qeshur! Unë… Unë…Unë… Në atë çast gjuha i ngriu. Kishte pikasur me dridhmë sytë e ujkut, që e vështronin drejt dhe s’po mbushej dot me frymë.

Pas pak, ndodhi diçka e papritur.Lepuri mburravec kërceu lart dhe ra si top mbi ballin e gjerë të ujkut.U rrokullis mbi shpinën e tij, u rrotullua rreth vetes në ajër, mandej u përplas në tokë. U ngrit dhe ia dha vrapit me sa mundi. Vrapo e vrapo! Të gjorit lepur i dukej se ujku po e ndiqte këmba - këmbës, për ta kapur me dhëmbët e mprehtë. Së fundi, i lodhur tek s’mban më, iu prenë gjunjët, mbylli sytë dhe u rrëzua pa ndjenja te një gropë nën shkurre. Kurse ujku në atë kohë po vraponte në drejtim të kundërt. Në çastet kur lepuri i pati rënë përsipër, ai kishte pandehur se dikush e qëlloi fort. Ndaj, i tmerruar, ia mbathi nga sytë - këmbët. Pasi u largua shumë, u ndal e i zemërruar siç qe, tha me vete të shkonte nëpër pyje të tjerë, me shpresë se mund të gjente lepuj, ndryshe nga ato soje shtazësh të çuditshme, që luanin, qeshnin dhe qëllonin me gurë, apo plumba!

…U desh një kohë e gjatë që lepujt të mblidhnin veten. Disa qenë fshehur brenda zgavrave të drurëve, disa nën shkurre, të tjerët në hendeqe mbuluar me bar. Më në fund, u mërzitën tek rrinin të fshehur dhe filluan një nga një të nxirrnin veshët jashtë e të përgjonin me kujdes.Pastaj dolën dhe kërkuan njëri - tjetrin.

- A pa, pa, sa u trembëm! E patë si ia punoi ujkut lepuri ynë guximtar? - tha më i zgjuari. - Po të mos qe ai, asnjë nga ne s’do të mbetej gjallë!

Lepujt në shenjë miratimi tundën veshët.

- Po tani ku është ai? - pyeti një lepur i moshuar. - Mos vallë e ka ngrënë ndonjë ujk tjetër?

- Ç’thua ashtu, xhaxha!? - thirrën shumë të tjerë dhe nisën ta kërkonin nëpër pyll. Ec e ec! S’ka! Ec e ec! S’ka!

- Ja, ja, tek po fle! - bërtitën tre lepuj të rinj.

Pas atij tmerri, lepuri i patrembur ishte zhdukur nëpër shkurre dhe qe shtrirë pa frymë te një gropë. Dukej sikur flinte. Teksa qëndronte pa lëvizur, dëgjoi tek i thoshnin:

- Të lumtë! Çohu, o shpëtimtari ynë!

Lepuri kapsallti sytë, u ngrit, u shtriq disa herë dhe doli nga gropa.

- Faleminderit, vëlla! - brohoritën lepujt rreth tij.

- Ah, frikacakë! Pse, ç’ menduat ju!? Ende s’e ditkeni, se kush jam!? - ua ktheu lepuri me mburrje.

Më i zgjuari e mori fjalën pësëri:

- Me shkathtësinë dhe guximin tënd, o trim, e tmerrove ujkun e lig!

Qysh nga ajo ditë, edhe Veshgjati syshtrembër e bishtshkurtër, nisi të besonte vërtet, se nuk i trembej kujt dhe se ishte bash ai, që e kishte tmerruar ujkun e uritur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat