«THE»-fjalë me të cilën titano- pellazgët thurën mitet dhe filozofinë e tyre

Kultura

«THE»-fjalë me të cilën titano- pellazgët thurën mitet dhe filozofinë e tyre

Nga: Fatbardha Demi Më: 3 tetor 2022 Në ora: 16:56
Autori Fatbardha Demi

"Shqyptari, xen kryet e vendit n‟Europë kah e ruejtja e fjalës së t‟parvet. Po, po, ky shqyptar i verbët, i padishem mban mend punët e lashta ma teper se çdo komb edhe pse i pershkuem nëpër gjithnduer ligjesh. Kena shumë e shumë tregime të themelta se shqyptari asht rojësi i perlart i gojdhanavet, kena doke e kanune, kena bet e besimet qi janë kenë mbajt qindra e mija vjet para Krishtit e qi kombi ynë i mban mend edhe sod.”

Shtjefën Gjeçovi (Trashëgime Thrako-Iliriane)

Roli i pazëvendësueshëm i fjalës dhe i përdorimit të saj (të folurës) në jetën e njeriut është kuptuar, siç na e dëshmojnë mitet, arkeologjia dhe shkenca e besimit, nga banorët më të lashtë të Mesdheut parahistorik, Atlantido-Pellazgët. Historianët e parë nuk janë shprehur mbi gjuhën e këtyre fiseve, por as edhe të pasardhësve të tyre historik (pellazgëve të rinj, Etruskëve, Ipejve (Iperiotëve), Ainianëve, etj.). Pamvarësisht kohës dhjetramijëvjeçare, studiuesit e shk.19, me punimet e tyre, na e kanë hapur shtegun që duhet ndjekur për tezën tonë. Si shembull po veçoj dy autorë gjerman:

Hermann Karl Useneri (1834 –1905) shkruan:« rrugëtimi që ka ndjekur mendimi besimtar, mund të pasqyrohet, vetëm nga historia e gjuhës» (Usner, p.316). (2) Duke e riformuluar frazën (lexuar nga fundi në fillim), që nuk e ndryshon thelbin e idesë, do të kemi: «Historia e gjuhës, mund të pasqyrohet vetëm nga rruga që ka ndjekur mendimi besimtar».

Ernest Cassirer (1874-1945) luftëtari i metodës së kërkimit shkencor e mbështet këtë ligj. Në librin e tij Sprache und Mythos (Gjuha dhe Miti) theksonte se «në çdo emërtim gjuhësor, karakteri mitik është parësor (...) dhe i lidhur me mendimin mitik-besimtar».(3)

Në këtë drejtim, gjuhësia shqiptare ka patur një traditë disa shekullore me studiuesit arbëresh, por edhe të kohëve moderne. Gjuhëtari i shquar Aleksandër Xhuvani (1880-1961) vëren se: “Caktimi i formës dhe i domethënies së kryehershme të një fjale përbën kushtin e parë të një etimologjie rigoroze. Këto dy aspekte të fjalës do të kundrohen në lidhje me njëra-tjetrën, në pajtim me varësinë e shoqishoqme që kanë. Metoda e kërkimit në këtë mes qëndron në një kombinim racional të këtyre dy lloj dëshmive të materialit, duke plotësuar aspektin gjeografik të shtrirjes hapësinore të një fjale me historinë e saj.(4) Albanologu Petro Zheji (1929 -2015) ishte studiuesi i parë në botë që e vërtetoi këtë ligj themelor me një gjuhë të folur edhe sot, gjuhën shqipe, si dhe lidhjen dhe ndikimin reciprok të saj, me besimin dhe mitologjinë, në formimin dhe zhvillimin e fjalorit parahistorik. (Shqipja dhe Sanskritishtja).

Kjo është metoda e vetme shkencore në studimin e gjuhëve NATYRALE, dhe në rastin tonë, të gjuhës shqipe. Në Fjalorin akademik të kësaj gjuhe ndodhet folja e kohës së shkuar, veta e dytë – THE/ FOLE, veprim që e shkëputi përfundimisht njeriun (Homo sapiens) nga bota shtazore. Por a ndodhej kjo folje edhe në «fjalorin» e fiseve parahistorike të euro-azisë?

Rrugëzgjidhja e vetme është t’iu drejtohemi shkruesve si Hesiodi (shk.VIII p.e.r.), i vlerësuar në trajtimin e mitologjisë parahistorike i barabartë me Homerin.(5) Këtë fjalë-rrënjë e gjejmë në Enciklopedinë Larousse dhe Wikipedia, si emërtim të veprës së Hesiodit (Theogony), një përmbledhje e folklorit dhe miteve, e cila trajtohet si «greke»: Theogonía (theos/zoti+foljaγνν άω-gennáō/me kuptimin «të lindësh»→ «një histori mbi origjinën e perëndive».(6)

Fatmirësisht, në emërtimin e veprës së Hesiodit (Θεογονία / Theogonía), rrënja “the” është e ruajtur e pa ndryshuar në gjuhën shqipe (folje, veta e dytë, njëjës: (ti) the/fole + o/Zoti (P.Zheji) + go(j)nia/gojëdhëna→ «tregim hyjnor - gojëdhënat», e përdorur nga At Shtjefën Gjeçovi në formën ‘Gojë-thana’(7) [të thëna me gojë].

Mitologët e huaj e lidhin këtë vepër me ciklin e quajtur në greqisht”: Titanomakhía, (Τιτανομαχία ) me kuptimin «lufta e Titanëve», brezit të parë të Perëndive të udhëhequra nga Kroni. Edhe ky emërtim i lashtë është një fjali e gjuhës shqipe: Titan/tanët/fara jonë + makh/ mankth/ankth→ «mankthi i Titanëve» (ose tragjedia e këtyre fiseve).(8) Vetë vendlindja e Hesiodit, Beocia ishte vendbanim i fiseve pellazge. Këto fakte tregojnë se Hesiodi ka qenë shqipfolës sikurse edhe bashkëkohësi i tij Homeri, për të cilin At Nikoll Ketta pohon se kishte lindur në Kuma (Cuma) të Eubesë, përmendur edhe nga Stefan Bizantini, në gjirin e fiseve pellazge të Kolkidës dhe ishte bashkëkohësi më i shquar i Hesiodit. (9)

Folja THE është e gjuhës shqipe

Atë mrekullisht, e gjejmë tek fiset mitike të Titanëve, Gjigandëve, Ciklopëve dhe perëndive të më vonshme të Olimpit. Vetëm ky fakt është një zbulim i jashtëzakonshëm për shkencën e shk.21 për t´u njohur me faktet e errëta parahistorike dhe gabimet në metodën kërkimore. Lidhur me fjalën “the” po marrim si shembull emrin e Titanëve, i cili, në veprën (Teogonia, 208) shkruhej në formën Titan Theos (Τιτανες Θεοι) dhe, sipas studiuesve, “Hesiodi e pranonte si të paqartë” (12), duke shtuar se «në mitologjinë e hershme Titanët quheshin próteroi theoí dhe ishin perënditë më të lashta» (Teogonia 424) (13) d.m.th. para atyre të Olimpit.

Emërtimi “próteroi theoí” i Titanëve shpreh një nga veprimtaritë e njeriut brenda fisit të tij, i kuptuar me dialektin çam të Iperisë (Epirit): (próteroi/ proto/ të parët ne kohe +(që) roi/ që rojtën) + (theoi apo theos : folën/thanë+os/ Zoti) = të parët (që) rojtën e folën me Zotin).(14) Pra ishin profetët e parë të Zotit.

Sipas Homerit (Odyssey 7. 200 ff ) dhe Pseudo Apollodorit (Bibliotheca 1. 34 - 38) Titanët, Gjigandët dhe Ciklopët ishin të një gjaku dhe bij të Tokës (të lindur nga toka). (15)Që ishin fise shqipfolëse e dëshmojnë edhe emrat e sotëm si: Enkel nga Gjigandi thrakas Enkelados, Halim/e nga Halimedes, Ylli nga Hyllos, Olimbi nga Olympos, gjigandi i Kretës që këshillonte Zeusin, etj., që vijojnë të përdoren nga shqiptarët. (16)

Tre gjigande që shërbenin si krye/priftërinj në fiset Ipeboreale, Theomises, Theodamas dhe Agasthenes, po kështu edhe titanide Themi, e cila mbahet si nismëtarja e parë e detyrës së orakullit (përcjellësit) të fjalës së Zotit, në emër ruajnë foljen shqipe “the”.(19)

Botëkuptimi i parë i njeriut parahistorik, sot emërtohet «natyror», meqenëse mitologjia e banorëve autoktonë lidhej me forcat e natyrës që i rrethonin (kaosi, ajri, qielli, oqeani, toka, etj).(17) Shkenca e sotme e mohon adhurimin e një Zoti nga banorët parahistorik, megjithëse rrënja «the» dhe fjala “mesia”, po shqipe (ne mes te njeriut dhe Zotit) e dëshmon këtë veprimtari fetare, ku “thënjet” (fjalët) e Zotit përcilleshin nga njerëz të caktuar të fiseve. Edhe Kuretët që mbrojtën Zeusin me vallen e tyre pirike, ishin titanë priftërinj, siç e shpreh emri i tyre: Kouretes (Curetes) The(20)

Në periudhat e mëvonshme, ky «profesion» ishte privilegj i mbretit dhe familjarëve të tij, siç e shikojmë tek emrat: Antiochus i Theos (mbreti/kryeprift) i Commagene (86 p.e.r. – 31 p.e.r.) pasardhës i dinastisë së Ptolemejve, dhe e nënës së tij Laodice VII Thea (priftëresha).(21) Nënvizoj se:

Fjala shqipe THE ishte emërtim i shërbenjsve të Zotit, më i lashtë se emri «sellë» i priftërinjve të Dodonës pellazge.

Fillimisht duhet sqaruar se “sellë”, emërtoheshin ndërmjetësit (mesia) të periudhës pas Titanëve, sipas emrit të perëndeshës Sellena e Dodonës (që përfaqësonte Zotin femër – Hënën). Georg Friedrich Creuzer, (Religions de l'Antiquité…, 1835) shkruan se emri Selloi (Σελλοί) apo Elloi (Έλλοί), sipas të gjitha gjasave është forma primitive e emrit të "helenëve" që jetonin në tokë si lypës. (23) Ishin këta “sellë” (fat-thenës) që i treguan Eneas dhe trimave të tij, se fatin duhet ta kërkonin në Saturni (Itali)(24).

Mitet dëshmojnë se folja shqipe «the», në kohën e Titanëve dhe Gjigandëve, përdorej edhe si emër për orakujt (themistes) që flisnin «në emër të Zotit». por edhe për vendet e shenjta, si qyteti i famshëm i Tebës (3000 p.e.r.) në Beocinë e atllantido-pellazgëve, që sipas Xhuzpe Katapanos, emërtohej Thena (vend ku the + na/neve=vend ku na thuhej) nga fjala shqipe “the” dhe jo Teba, Homeri (Iliada, IX, 381- 383) e përmendte si «Arkë me njëqind porta », (siç duket, nga orakujt e shumtë që ushtronin këtë‘profesion’-shën im) duke percjellë fjalën e Zotit nëpërmjet “gjuhës njerëzore” (25). Më poshtë do të pasqyrojmë shkurtimisht, ndërmjetësit më të shquar të periudhës së Titanëve dhe vëllezërve të tyre Gjigandë, të renditur sipas hershmërinë së mitit të secilit:

a)THEA(Θέα / Théa ), i përkiste brezit të lashtë të Titanëve hyjnorë, e njohur edhe me emrin Aethra përfaqësuese e ajrit të shndritshëm, simbol i «vrojtimit» dhe «profecive». (26) Emri Thea - përfaqëson “fjalën e folur”, elementin kryesor i çfaqjes së njeriut, dhe ‘mjeti’ më i fuqishëm i qytetërimit parahistorik, ndërsa përkthimi nga greqishtja “hyjnore”, si në shumicën e emërtimeve të Lashtësisë është i gabuar. Ajo përmendet pak në mite, krahasuar me figurat e tjera të Titanëve.

Me vëlla dhe burrin e saj, Iperion, pati fëmijë: Hënën (Sellena), Diellin (Helios) dhe Agimin (Eos), (fig.2 poshtë)që njihen si brezi i dytë i titanëve.(27)

Në sytë e një studiuesi, që domosdoshmërisht duhet të njohë besimin dhe gjuhën pellazgo-shqipe (e cila mbijeton edhe sot), miti i kësaj familje është një “dokument ” me vlerë për shkencën gjuhësore dhe historike. Kjo ‘martesë’ dhe fëmijët e tyre, nuk është rastësor, por një ‘fabul’ si ato të Ezopit, ku perënditë pasqyrojnë botëkuptimin e fiseve të para njerëzore.

Objektet arkeologjike dëshmojnë se njeriu i lashtë e kuptoi se pa përdorimin e fjalëve ishte i pafuqishëm të lidhej me njerëzit e tjerë, si rrjedhojë, ai hyjnizoi krahas zemrës edhe kokën (fig. 1, larte). Edhe sot, në gjuhën angleze, kemi fjalën thought (mendim-shqiptohet `thot` si në gjuhën shqipe, veta 3, njëjës: ai thot/flet,). Lidhja e fjalës me mendimin, në periudhat e mëvonshme u trajtua gjerësisht nga filozofët-priftërinj, dhe në teologjitë fetare të mëvonshme (kristiane) përfaqësoi vetë Krijuesin (Zoti = Fjala/ Logos).Sipas Testamentit te Ri : “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ndodhej pranë Zotit (...) gjithçka u krijua nëpërmjet saj (Giovanni 1,1-4). (28)

b) Iperone - (dial. çam shqiponjë), në mitet e Titanëve u ndërfut si burrë i Theas për të shprehur lidhjen me Zotin e parë të paemër të Homo Sapientit – DRITËN (periudha para Dodonës). Shqiponja, pohon Xhuzepe Katapano (Thoti fliste shqip) është një nga simbolet e para të njeriut dhe Konstandini i Madh e të gjithë Perandorët e tjerë Ilirë, që mbretëruan pas tij, nën shenjën e shqiponjës, ishin “bij të Dritës [bij të Zotit]” (27). Të gjitha perënditë, në qeramikë dhe skulpturat e para, paraqiten me krahët e shqiponjës. (fig.lart e Eosit).

Në këtë mit, shqiponja ndërron gjininë (nga Ipe e gjinisë femërore, në Iperone) për t’iu përshtatur njeriut tokësor mashkull, duke i lenë motrës/grua (Thea), simbolet e shqiponjës: «syrin hyjnor». Sipas besimit të banorëve të lashtë, sytë shpërndanin një rreze drite që u mundësonte të shikonin”. (28) Domethënës është fakti që në mite (Hygin, Fable; Pausanias, Description de la Grèce.) Iperone ishte ati i Titanëve pellazg. (29)Këto ndryshime brenda miteve dokumentojnë zhvillimet e periudhës parahistorike dhe vlerën historike të gojëdhënave.

c)Trashëgimtarët e tyre (hëna, dielli, agimi) shprehin ‘lidhjen familjare’ me Zotin e parë - DRITËN, që e rrethonte njeriun në natyrë, dhe i përkasin periudhës më të hershme në shkencën e Besimit. Është interesant fakti se në dialektin çam (Shqipëri- Epir) populli e emërton edhe sot, dritën dhe njohjen e njeriut të gjerave, me të njëjtën fjalë- DI, së cilës filozofët e lashtë i dhanë një formulim besimtar dhe shkencor : Drita dhe Dija, dy veti kryesore të Krijuesit, dhe shprehje e ndriçimit të mendjes (pasurimin me dije).

Me fjalët shqipe-arbërore (di) dhe (the) është formuar emri i vetë Krijuesit: gr. Theós-në teologjinë ortodokse dhe it.Dio-në teologjinë katolike, duke i dhënë rolin e gjuhës që krijoi HYJNOREN.

d) Kjo ‘familje’ dokumenton jo vetëm periudhën zanafillore të besimit parahistorik, por edhe periudhën historike të Titano-Gjigandëve si, zhvillimin e metalurgjisë, detarisë dhe të lëvizjeve në hapësira të gjera gjeografike. Njohja e së vërtetës historike, e maskuar brenda tregimit MITIK dhe simbolikës BESIMTARE (pothuajse e panjohur shkencërisht) zbulon se, ndërmjetësi (prifti i parë)me Zotin (femër-Hënën) nuk ishte njeriu (perëndesha Thea), ky “nder” i ka takuar – Shqiponjës.

Në zanafillën e periudhës së matriarkatit, shqiponjën e zëvendësoi femra (me kokë zogu në objektet arkeologjike), që përfaqëson brezin e dyte të veprimtarisë fetare në parahistori. Emri i tyre nuk dihet, por e gjejmë të pasqyruar në xhokën e gruas mirditore (Shqipëri) dhe në figurinat femërore , prej balte apo metale, (si ajo e zbuluar ne Antigone), me pjesë të shqiponjës (kokë, krahë dhe këmbët e saj).

Titanët orakuj (të të dy gjinive) që mbanin në emrin e tyre rrënjën The, historikisht ishin brezi i tretë në shërbim të Krijuesit, pararendës të priftërinjve “sellë” të Dodonës që shënojnë brezin e katërt, të përmendur edhe nga Homeri.

Ky fakt i ‘arkivit’ tëArbërve shqipfolës edhe në ditët e sotme nuk njihet në shkencën Historike të Besimit botëror, megjithëse të gjitha skulpturat e Perëndive të para dhe të shenjtorëve të Mesjetës, janë ‘të paisur’ me krahët e shqiponjës, për të shprehur lidhjen me Zotin dhe natyrën e tyre hyjnore.

b)THEMI- Perëndeshë titanide, bijë e Qiellit (Ouranos) dhe e Tokës (Gaja) (Hesiod Theogony 132). Rrënja «the» e emrit shpreh veprimtarinë e saj e theksuar edhe nga Homeri në Iliadë –Thea Themis. (31) Profetë/orakuj, sipas shkruesve te lashtë (Hesiod, Theogony 901, Apollodorus 1.13.) ishin edhe fëmijët e saj: The Morai, The Horai (Eunomia/Urdhëri i Zotit, Erine/Paqja, Dike/Drejtësia) dhe Prometheus. (32)

Në botimet studimore emri Themi, krahas atyre të perëndive të tjera dhe fjalëve që përmbajnë rrënjën «the» (themisto-emër i oratorëve, Alitheia- e Vërteta, etj.) emërtohen si «greke», pavarësisht se, në fjalorin e kësaj gjuhe mungon, vetëm kur fjala huazohet nga shqipja. Ndërkohë folja «the» edhe si emër (thënje, thashethem, theks, etj.), vijon të përdoret nga Arbërit edhe sot, duke shpjeguar saktësisht kuptimin gjuhësor të kohës së Titanëve -FJALËN.

Në hymnin kushtuar Themit (Orphic Hymn 79 to Themis) pasuesit e Orfeut, i këndojnë «prej teje lindën orakujt, Phoibos (Apollo)... Prej teje njerëzimi për herë të parë mësoi ritet perfekte dhe ritet korale të netëve të Bakkos (Bacchus) që të kënaqin shpirtin; të takon ty nderi për të folur mbi Zotin, mbi misteret dhe ritet hyjnore...» (33)

Diodorus Siculus, historiani ilir (sipas Plinit të vjetër) (34), në veprën (Library of History 5.67.) shkruan se, mitet dëshmojnë që titanide Themi (personifikim i Ligjit Hyjnor) ishte e para që vendosi ritet e hyjnizimit, të sakrificave dhe të urdhëresave të perëndive.

Ajo u mësoi njerëzve rrugën e bindjes ndaj ligjeve, moralit dhe harmonisë, dhe ata që i respektonin perënditë dhe ligjet quheshin «rojtarë të ligjeve» (thesmophulakes) dhe «gjykatës» (thesmothetai). (36) Nga kjo e dhënë del qartas se orakujt (ndërmjetëset) e para me Zotin ishin femra dhe fjala e gjuhës shqipe «the» u bë burim i emërtimeve të priftërinjve dhe gjykatësve të parë ne Histori. / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat