Përse Zeusi e torturonte Prometheun?! / A ishin Perëndi që flisnin shqip!?

Kultura

Përse Zeusi e torturonte Prometheun?! / A ishin Perëndi që flisnin shqip!?

Nga: Fatbardha Demi Më: 4 tetor 2022 Në ora: 12:09
Prometheu, figura mbase më tragjike e lashtësisë, por edhe më e adhuruar

Sipas Enciklopedisë Britanike (v.1911), perëndesha Themi personifikonte DREJTËSINË dhe tek Homeri (thémis), përdorej edhe si emër i përgjithshëm (thémistes, thémites/ legal, i ligjëruar,) dhe përfaqësonte ligjet dhe krimet, e hartuara që në zanafillë të botës njerëzore, për të siguruar rregull dhe harmoni. (37)

Themi paraqitet si mbrojtëse e pushtetit mbretëror, por edhe e organizimit të kuvendeve të oborrit hyjnor (Olimp). Quintus Smyrnaeus (shk.4 p.e.r.) në poemën e tij kushtuar Trojës (Fall of Troy) pohon se sundimi i ligjit, dënimi i fajtorëve, ritet kushtuar Perëndive, zbatoheshin me përpikmëri nën «syrin vigjilent» të Titanes Themi dhe ndihmësve të saj të shumtë: «nuk është mirë për njerëzit të sulmojnë pabesisht mbretin, sepse ndëshkimi i tërbuar vjen shumë shpejt. Themis (Ligji Hyjnor) ndodhet aty lart; ajo i grumbullon, gabim pas gabimi, të kryera nga njeriu dhe së bashku me Ate (që përfaqëson humbjen e besimit) dënon gjuhën e paturpshme».(38)

Kulti i Themit, nga buron edhe emri i krahinës së Thesprotisë (the/orakull+proto/ dial.çam, në fillim=vendi i orakujve të parë) në Iperi (Epir), nderohej në tempullin e Dodonës dhe ndodhej pranë atij të Zeusit, Dionës dhe Afërditës, si dhe në qytetin e Delfit, Olimpias, Thebës (Thenës), Athinës, Epidaurit, Aeginës, etj. të Gadishullit Pellazgjik (ballkanik). Këtë na e vërteton edhe Enciklopedia bizantine SUDA, sipas së cilës, Themis shkoi aty (në Dodonë) e hypur mbi një dem për t’i shpëtuar përmbytjes së Deukalionit.(39)

Duke përfaqësuar Ligjin, që e nxori shoqërinë njerëzore nga kaosi, Themi zë një vend kryesues në mitologjinë popullore. Ishte ajo që parashikonte «fatin» e figurave dhe ngjarjeve kryesore të dy periudhave të Lashtësisë: të Titano- Gjigandëve dhe pasardhësve të tyre, Olimpikëve të sunduar nga Zeusi fitimtar. Studiuesit e trajtojnë si orakullin më të fuqishëm të mitologjisë së lashtë.(40)

Image
Parashikimin e Thetis (Themit), se nga pema e tij, një bir i Zeusit do të këpuste mollën e artë

Gjigandi Atllas kujton parashikimin e Thetis (Themit), se nga pema e tij, një bir i Zeusit do të këpuste mollën e artë dhe vuri si roje Dragoin. Ajo parashikoi humbjen e luftës së Titanëve që solli si pasojë fundin e sundimit të tyre. Themi e paralajmëroi nënën e saj Gea (Dhea), se Gjigandët do të vriteshin dhe lirimin e djalit të saj Prometheut nga dënimi për mos bindje ndaj Zeusit. Në saj të profecisë së Themit dhe Nimfave të saj, Deukalioni me gruan e tij Pirra, i shpëtuan përmbytjes së madhe. (41)

Nënvizoj se:

Emrat e perëndive ku shquhej rrënja «the», ishin përfaqësues të qytetërimit parapellazgjik

Mitet dhe hymnet kushtuar perëndive, kanë vlerë dokumentare si dëshmi të arritjeve të bashkësive të para, ku ligji luante rol qendror në jetën tokësore dhe hyjnore të njeriut. Në ditët e sotme mitet pranohen si «arkiva» të vyera të parahistorisë.

Për qytetërimin e Atlantidëve, ku bënin pjesë fiset e Titanëve, Ciklopëve dhe shumë fise të tjera të “kohës së artë”, ku vend qendror zë një emër i pajisur, jo rastësisht, me rrënjën THE...

c) PROMETHE - Figura më tragjike e Lashtësisë, por edhe më e adhuruar gjatë të gjitha periudhave historike. Në rast se nëna e tij, titanide Themi ishte e para që vendosi në tokë Ligjin Hyjnor, Prometheu (brezi i titanëve të rinj) ishte i pari që luftoi kundër vullnetit Hyjnor, duke dhënë shembullin, se njeriu tokësor mund të mbijetojë me forcën e tij të LLOGJIKËS dhe DIJES.

Kombi shqiptar ka një thënie: «më mirë të dish se të kesh», siç duket një trashëgimi e parahistorisë. Në dramën (Prometheus Bound206ff ) e birit të Atikës pellazgjike-Eskilit (Aeschylus), Prometheu u kishte folur vëllezërve të tij Titanë (bij të Qiellit dhe Tokës) se: «shpesh, nëna ime Themi (...) më kishte treguar mënyrën me të cilën profecitë mund të realizoheshin. Nuk duhej të përdorej (nga titanët-shën. im) forca brutale dhe as dhuna, por të mbivlerësohej mençuria (që gjen mjetet për fitoren si dinakërinë, etj.). U thash të gjitha këto, por ata nuk i kushtuan vëmendje fjalëve të mija...».(45)

Sipas mitografit Pseudo-Apollodorus, (Bibliotheca 1. 45 , C2nd A.D.), Prometheu ishte ati i Deukalionit që ishte martuar me Pirrën dhe kur Zeusi dëshironte të zhdukte gjeneratën e kohës së bronzit, Prometheu e këshilloi Deukalionin se si të ndërtonte varkën dhe e hypi Pirrën së bashku me ushqimet në të. Zeusi e përmbyti pjesën më të madhe të Helladës, me shi të rrëmbyeshëm nga qielli, duke zhdukur të gjithë njerëzit, përveç të paktëve që gjetën strehë në malet e larta që kishin pranë.(46)

Pyetjes se përse Zeusi e torturonte, Prometheu sqaron: «sapo e vendosi veten mbi fronin e Atit, ai menjëherë ju dha perëndive privilegje të shumta dhe ju afroi përdorimin e fuqive të tij. Për të vdekshmit (njerëzit) e varfër nuk e vriste kokën, donte që të vdisnin për t’i zëvendësuar me të tjerë. Asnjë nuk guxoi t’i kundërvihej përveç meje. Vetëm unë pata kurajon; ... ( Aeschylus, Prometheus Bound 228 - 258) (51) Një mësim i vlefshëm për ditët e sotme.

Mircea Eliade pohon se: “për Eskilin miti i përparimit të shoqërisë, i përket kohës së “artë” dhe Prometeu ishte heroi më i madh ndërmjet luftëtarëve qytetërues. Ishte Prometeu që u mësoi atyre të gjitha misteret dhe të gjitha shkencat.(42) Në Fjalorin bizantin Suda (shk.10 p.e.r.) shkruhet se Prometheu, sipas judenjve, njihej nga fiset e Gadishullit pellazgjik si njeriu që zbuloi i pari studimin e filozofisë dhe i pari që «krijoi» njerëzit, me faktin se i beri të njohin diturinë ca «të pagdhendurve». (43)

Sipas miteve Prometheu u mësoi njerëzve përdorimin e zjarrit, i njohu me arkitekturën, astronominë, matematikën, artin e të shkruarit, mbarështimin e kafshëve shtëpiake, mjeshtërinë e lundrimit, të mjekësisë dhe të profecisë, përpunimin e metalit dhe shumë arte të tjera... Eskili në trilogjinë e tij (Aeschylus, Prometheus) e quan atë shpikës i mjeshtërive të dobishme për njeriun.(45)

Mbas “autorësisë” së Prometheut për të gjitha vlerat qytetëruese të fiseve Atllantide (titano-gjigandëve etj.)(47), për të zbuluar origjinën e kësaj figure, do t’i drejtohemi gjurmës së mbetur - emrit të tij. Historiografia botërore, pohon se emri tij nuk sqarohet nga ana gjuhësore, megjithatë këmbëngul se: Prometheu është një perëndi “greke”, aftësia e tij intelektuale nënvizohet nga kuptimi i emrit të tij: fat-thënës...”(48)

Metoda shkencore e ndjekur nga arbëreshi At Nikoll Ketta (1741-1803) na çon tek origjina e vërtetë e emrit: “At Agostino Calmet-it (1672-1757), përmend se “filistinët e quanin Prometheun – Emath Mad dhe Diodoro di Siculo e njihte si emathiot (pellazg maqedonas-shën im)”.(50) Pra, emri është arbëror: Promethe (pro/dial.çam proto/më parë+me/ më+ the= fat-thënës).

Nuk është hera e parë, që gjuha e sotme shqipe dhe dialektet e saj zbulojnë qytetërimet më të famshme të farës atlantido-pellasge, përfaqësues të Zotit dhe luftëtarë të përparimit njerëzor edhe në kontinentet e tjera.

d) THOT (THEUT, TAT)- Perëndia më e rëndësishme e mitologjisë egjiptiane, padron i shkrimit dhe krijues i tingujve të germave, orakull dhe profet i perëndive. Në Gadishullin pellazgjik barazohej me perëndinë Hermes (Hermes Trismegistos), ndërsa tek romakët me Mërkurin. “Te rizbulosh Thotin-pohon egjiptologu arbëresh Zef Katapano (Giuseppe Catapano, Thot parlava albanese)- do të thotë të zgjerosh kufijtë e shkencës që, me dashje apo pa dashje, shpien pashmangshmërisht në metafizike; dhe kjo është tepër e rëndësishme për njeriun dhe njerëzimin”. (52)

Deri më sot, egjiptologët dhe as gjuhëtarët, nuk kanë mundur ta shpjegojnë emrin e tij, por nisur nga hieroglifet të deshifruara si (DHëtii/ Djehuti), mendojnë se shpreh «atë që flet në tempull», «përcjellësi i mesazheve hyjnore», duke nënkuptuar rolin e priftërinjve të sotëm.(53) Gjuhëtari Eqerem Çabej (Studime etimologjike në fushë të shqipes, I) thekson se «nga aspektet e ndryshme të një fjale, me rëndësi themelore për etimologjinë është historia e saj (siç e nënvizuam për emrin “grek”-shën. im), sepse me sqarimin e kësaj ane përmbushen shumë herë edhe kushtet për konstatimin e burimit të fjalës».(54)

Për ta përmbushur këtë ligj të gjuhësisë, duhet njohur botëkuptimi parahistorik i popujve që e kanë përdorur atë fjalë. Egjiptologu arbëresh Z. Katapano në librin e tij (G. Catapano, Thot parlava albanese, Rome, 1984) sqaron se, “në zanafillë emri vendosej sipas ligjesh të rrepta që përcaktonin, pa mundësi gabimi, thelbin e qenies së cilës i ngjitej, shprehte pa asnjë dyshim, funksionin e vet perëndisë”. Thot- është emër , me origjinë nga folja shqipe (ai që thot/na flet, veta e tretë, njëjës), për të shprehur rolin e mësuesit dhe profetit, siç u përmend edhe për perënditë e tjera. « Ndër të diturit më i madh/ shtoi me hir hyjnesha Mat/ qe i veti Thot, ç’na thot/ ate ç’gjegji ka Ynzot». (Thoti na thot ate qe dëgjoi nga Zoti ynë-shën im), shprehet autori (55). Z.Katapano është gjuhëtari i parë që zbuloi metodën e përdorur nga Thoti në Egjipt: një tingull = një hieroglif. Tingulli i përkiste germës së parë të emrit në figurë, në gjuhën arbërore-shqipe.

Autori sjell fakte të pa përmendura në librat shkollore: “Thoti, të cilit i atribuohet e gjithë shkenca e lashtë, që nga Nili u përhap plot dritë në mbarë botën ... ai solli një qytetërim të zhvilluar në Egjipt nga një Vend i huaj. Sipas Endrju Tomas (australian), duke u nisur nga tituj që i janë atribuuar Thotit tek «Libri i të Vdekurve» dhe në disa shkrime faraonike (Kryezot i ardhur nga deti dhe Kryezot i të dy tokave), na lind e drejta të mendojmë se ai ishte një Prijës Atlanditas ...”.(56)

Figura e Thotit përfaqësonte vazhdimësinë e dijeve të atllantido-pellazgëve dhe sidomos të BESIMIT, fakt që shpreh se kryente detyrën e priftit të pajisur me rrënjën ‘the’. Zef Katapano pohon se Ai “është themeluesi i besimit (fesë) të DRITËS dhe shkencës okulte të mistereve ...”(58)

Mësimet e Thotit/Hermes të shkruara në papiruse (libra) u përdorën shpesh nga Baballarët e Kishës kristiane, por nën emrin ‘Enok’ (60) Sipas At Nikoll Kettës (1741 – 1803) me emrin ‘Henac’ (hënok) emërtoheshin perënditë më të lashta atlantido-pellazge të Egjiptit, Osiris dhe Isis), ndërsa Zef Krispi (Giuseppe Crispi 1781–1859), sqaron se, në mitet pellazge “Atlanti quhej Henoch (hënok), fjalë që rrjedh nga «hënë». Studiuesi Juri Volokhine (Le dieu Thot et la parole) pohon se në besimin egjiptian Thoti ishte Hëna (d.m.th. orakull i Zotit Hëna-shen im). (61) Këto fakte dëshmojnë për një “histori të përbashkët qytetërimi dhe besimtare, të fiseve të një gjinie në parahistori ”, dhe jo kryqëzimin (sinkretizmin) e kulturave dhe besimeve ndërmjet fiseve të huaja, siç përdoret rëndom në studimet moderne, nga padia.

Ky ishte zbulimi madhor i Zef Katapanos, i cili vlerësoi rolin e dijes (besim dhe shkencë) të Atlantido-Pellazgëve në Euro-Afro-Azi, e përfaqësuar nga Thoti: «nga doktrina e të cilit u frymëzuan Iniciuesit e Mëdhenj të njerëzimit si Rama (cikli arian), Krishna (inicimi bramanik), Orfeu (misteret dionisiake), Pitagora (misteret e Delfit), Platoni (misteret eleuziane) dhe Moisiu (misioni izraelit)».(62)

Miti i vazhdimësisë

Periudha pasuese, që njihet si e “brezit të olimpikëve”, (periudha e Heronjve), nisur nga faktet e njohura sot, natyrshëm mund ta emërtojmë “histori familjare” e pandërprerë e së NJEJTËSGJINI, e shprehur me ndërfutjen në mitet e Olimpit të titanit Kron, Prometheut, Themis-it, Thotit/Hermes, ky i fundit i njohur si “gjysmë vëlla” i perëndeshës Athina.

e) ATHENA (sipas dialektit jonian Ἀθήνη / Athḗnē), ishte perëndesha më e adhuruar e Olimpit në Lashtësi. Statuja e saj ngrihej në shumë qytete helene (pellazge-shën im), sidomos në Spartë. Si perëndeshë e luftës ajo nuk mund të mposhtej nga perëndite e tjera. Superioriteti i saj mbi perëndinë e luftës Aresin, buronte pjesërisht se ajo përfaqësonte anën intelektuale dhe fisnike të luftës, ndërsa Aresi “etjen për gjak”... Në Iliadë Athina ishte pasqyrimi hyjnor i luftës, fitores dhe lavdisë... Si ruajtëse e mirëqenies së mbretërve, ajo mbahej si perëndeshë e këshillës së mençur, vetëpërmbajtjes, të parashikimit në veprim dhe në luftë.(63)

Në botimet historike (Enciclopedia Italiana, Treccani) nisur nga barazimi pa asnjë fakt shkencor (helen=grek) përcaktohet si perëndi greke(64)), (trajtuar F. Demi, «Besimi parahistorik i Arbërve të lashtë»).

Pierre Chantraine (Dictionnaire étymologique de la langue grecque) shprehet se emri i Athinës, i përcaktuar si mikenas, nuk është i qartë nga ana gjuhësore. Lidhur me emrat e perëndive, Platoni pohon se “njerëzit e parë që menduan t´i emërtonin perënditë, nuk ishin njerëz të thjeshtë, por mendimtarë dhe oratorë të mëdhenj...”.

Studiues shqiptar si, At Nikoll Ketta, Aristidh Kola, Arif Mati, Niko Stillo, etj., por edhe të huaj, si gjermani Hans Krahe (1898-1965) kanë vënë në dukje se «të gjitha emrat e hyjnive «greke», me përjashtime shumë të vogla, janë emra me prejardhje jo «greke» dhe rrjedhin nga bota e vjetër e Mesdheut». (67)Vështirësia në kuptimin e emrave të lashtësisë qëndron në mosnjohjen e dialekteve të gjuhës arbërore-shqipe nga ana e studiuesve të huaj, por edhe shqiptare.

Emri i Athenës, në këndvështrimin historik, nuk lidhet me mitin e lindjes së saj nga koka e Zeusit, siç aludohet.

Rrënja «the», e vendosur në emrin e Athenes, sikurse edhe tek dajallarët e saj mitik, Promethe dhe Epimethe, shpreh vazhdimësinë e profesionit të orakullit, të përkujdesjes ndaj dijes dhe edukimit. Kjo rrënjë dokumenton gjithashtu se fiset e Titanëve nuk u zhdukën, por mbijetuan tashmë si «Pellazgë hyjnorë» duke ruajtur edhe emërtimin e lashtë: «bij të Dheut» (Geas).

Studiuesi arbëresh Vicenzo Dorsa (1823-1855) në librin e tij (Su gli Albanesi, richerchie e pensieri), na jep një fakt shumë të rëndësishëm për studimin tonë dhe Historinë e Qytetërimit dhe sidomos të Besimit të euro-afro-azisë, se: «emri i Athinës (tek latinët Minerva) ishte simbol i Logos dhe Fjalës dhe në gjuhën e Epirit shqiptohet «e thenë» me kuptimin: ajo që thuhet, fjala».(70)Emri i saj, mund të themi në mënyrë figurative, është tabelë e veprimtarisë së saj, e shprehur në gjuhën shqipe (A/e para ose Zoti+ the/ tha+ ne/neve=e para, na foli në emër të Zotit), sepse Zeusi urdhëronte nëpërmjet ndërmjetësve të tij.

Për të mos u larguar nga titulli i shkrimit, nuk po zgjatem më tej me perëndeshën Athenë, meqenëse studimi synon të pasqyroj rolin e fjalës shqipe THE në qytetërimin dhe besimin e parë në Histori.

Sipas Martin Bernal (Athina e Zezë), në fillim të shk. 6 athinasi i famshëm Solon pati mundësi të takoj në Sais, ish kryeqyteti i asaj kohe i Egjiptit, priftin e lashtë «si të ishte i një gjaku (fare) me sunduesit e atëhershëm» (në tempuj nuk pranoheshin me etni të huaj-shën im), i cili i thotë se (...) perëndesha Athina e kishte themeluar qytetin e Athinës përpara qytetit të Saisit dhe jo anasjelltas».(71)

Historiani anglez nuk e ka ditur zanafillën e përbashkët të dinastive faraonike me popullsinë autoktone të Gadishullit Pellazgjik dhe e ka keqkuptuar dokumentin. Për rrjedhojë, ka arritur në përfundimin e gabuar në librin e tij “Athina e zeze”, se «ishte Egjipti afrikan origjina e qytetërimit të lartë athinas», ndërkohë që bëhet fjalë për një vazhdimësi të lidhjeve të ndërsjella të qytetërimit atlantido-pellazg në brigjet e tre Kontinenteve.

Si përfundim: Mjaftoi trajtimi historiko-gjuhësor i një fjale (pa folur për fakte të shkencave si arkeologjia, etnografia, folklori, etj. por sidomos BESIMI), doli në pah, mangësitë e metodës në studimet moderne mbi Lashtësinë dhe rolin qendror në historinë botërore, të popullit që krijoi: FJALËN -THE!

Shkenca moderne e gjuhësisë, në vitet e ardhshme, do të detyrohet të shkëputet nga metoda antishkencore e shk.19 (gjuhësisë indo-europiane) dhe ta pranojë gjuhësinë albano-europiane, e formuluar tek fjalët ‘profetike’ të gjuhëtarit të shquar Petro Zheji: “Gjuha jonë është shumë e vjetër, mbase si asnjë gjuhë tjetër, thesar i pazëvendësueshëm i një informacioni që rrok të gjitha degët e diturisë njerëzore, një informacion i vlefshëm dhe aktual gjer edhe në ditët tona, provë kjo e pakundërshtueshme e vitalitetit të racës sonë dhe i kontributit të jashtëzakonshëm që gjenia jonë shqiptare i ka dhënë thesarit të Kulturës Universale. (72) / Fund

10.09.2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat