Jam i lumtur kur kam marrë duartrokitjet e 300 të pranishmëve në sallë

Kultura

Jam i lumtur kur kam marrë duartrokitjet e 300 të pranishmëve në sallë

Nga: Odise Plaku Më: 7 tetor 2022 Në ora: 14:44
Autori Odise Plaku

Odise Plaku tashmë është një emër që gjallon në botën e artit dhe të kulturës me atë qetësinë e tij dhe ka fituar dashurinë dhe respektin e lexuesve. U bënë vite që ai jep kontribute në lëmi të ndryshme të krijimtarisë dhe me hovin që merr duket se nuk do të ndalet ndonjëherë. Përkundrazi, duket sikur është në fazën e flakës së emocionit dhe krijimtarisë.

– Z. Plaku, ju falënderoj për gatishmërinë për të qenë pjesë e kësaj interviste në “Bota sot” për të rrugëtuar së bashku në vitet e krijimtarisë suaj artistike. Ka një fillesë që mund të përmendet në jetën tuaj.

– Edhe unë gjithashtu ju falënderoj që jemi së bashku në këtë bisedë. Në lidhje me pyetjen tuaj ju tregoj se lidhja krijimtari–Odise ka nisur në mënyrë të rastësishme. Kanë qenë mësuesit e gjuhës shqipe dhe të leximit që, pasi pikasën tek unë bulëzat e artit dhe dëshirën për të krijuar, më përfshinë në rrethin jashtëshkollor të krijimtarisë poetike. Prej aty nga viti në vit merrja një formë dhe shtrihesha në krijimtari. U bëra i dashur për shumë shokë të shkollës, sidomos kur kishim hartim, që unë ua përgatitja në fshehtësi. Por mësuesit kishin filluar ta njihnin punën time dhe më këshilluan të isha më i drejtë. Po edhe bënin sikur nuk e kuptonin ndonjëherë. Në fakt, kam qenë një nxënës i dashur jashtë mase nga mësuesit e mi në të gjitha nivelet e edukimit shkollor, po ashtu edhe si student. Dhe atë dashuri të tyre e kam thyer në respekt për figurën e tyre. Shpesh i kujtoj me dashuri dhe mall.

– Qëndrojmë në fillesat e krijimtarisë suaj. Si nisi?

– Nëse shumica i kanë nisur me poezi botimet, unë e kam nisur me vëllimin me tregime “Lotin nuk e fal”. Në vitet e para pas 1990-s tregu ishte i etur për botime dhe unë e kam botuar e ribotuar këtë vëllim në gati 3000 kopje. Pas këtij vëllimi botova novelën-përralla “Qullaci” me ilustrime të mjeshtrit Saimir Strati, që gjithashtu pati sukses dhe lexues të shumtë.

– Me sa kemi parë, ka një ndërthurje të gjinive në krijimtarinë tuaj. Pse nuk jeni fokusuar vetëm në një gjini?

– Është më se e vërtetë që veç poezisë dhe prozës, letërsia për fëmijë është bërë pjesë e pandashme e jetës sime dhe nuk kam ndër mend të heq dorë prej saj. E shihni në çfarë realiteti jetojmë? Fëmijët janë të bombarduar nga fenomene të tmerrshme. Ata po humbasin fëmijërinë dhe manipulojnë veten e tyre mes internetit e mjeteve të tjera, që sjellin pasoja të parikuperueshme. Ne kemi nevojë për letërsi që sjell mesazhe dhe ide, jo ngjyra dhe boshësi në përmbajtjen e tyre. Unë jam mbështetur në traditën e bukur të krijimtarisë letrare dhe po vijoj në këtë rrugë, por duke e pasur këtë traditë më elemente të reja dhe fjalorin e kohës. Por është për të ardhur keq që kjo lloj letërsie ka fare pak mbështetje, vëmendje. Veç dy tituj në vit botohen nga institucionet e kulturës.

– Jeni fitues i disa konkurrimeve në takimet poetike. Janë gati 20 çmime të fituara, apo jo? Cilat janë çastet më të bukura të këtyre garimeve?

– Çdo botim ka vlerat e tij, por emocione që kam përjetuar në takimet poetike janë më shumë se një botim. Në takimin e fundit poetik në Kukës interpretimi im u shoqërua me duartrokitje. Është vërtet emocionuese dhe e dëshiruar kur zëri yt bëhet pjesë e dashurisë së të pranishmëve. Po kaq emocionues për mua kanë qenë edhe edicioni i 52-të i poezisë organizuar në Gjakovë nga klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, ku u shpalla fitues i çmimit “Ali Podrimja” me poezinë “Numëratori i dhimbjes” kushtuar jetëve të zhdukura në Gjakovë. Mbi 1600 të pafajshëm të zhdukur nga barbaria serbe. Dhimbje që nuk tretet. Po ashtu takimi poetik në Prizren, një miting poetik mund ta quaja, kushtuar figurës së Ibrahim Rugovës, ku mbi 300 të pranishëm më rrëmbyen me emocionet e duartrokitjet e tyre. Ka qenë një mbrëmje në Prizren në kuadër të veprimtarive të panairit të librit dhe miku im Osman Goranci më ftoi, por ajo mbrëmje me kërkesë të të pranishmëve më rikthen në emocionet e trekëndëshit poetik disa vjet më parë në Gjilan me një poezi kushtuar babait tim.

Jam ndier mirë edhe me krijimtarinë time në prozë, por edhe në dramë, monodramë e komedi. Kam pasur fatin e madh të bashkëpunoj me emra të mëdhenj të skenës, si Hajrie Rondo, Zamira Kita, Ilirian Aliu, Bruno Shllaku etj. nga Shqipëria, me Mentor Zymberajn dhe Teuta Sadikun nga Prishtina, me Alban Gashin e Lavdim Dushin nga Klina etj., etj.

Kam vënë në skenë disa vepra për të rinjtë, që më kanë mbushur me emocione. Sot mungon kjo dashamirësi e drejtuesve të teatrove për të vënë në skenë vepra shqiptare. Mund të përmend raste konkrete kur regjisori shprehet i gëzuar që ka në dorë një vepër të mirë dhe rend në bashki për ta vënë në skenë, por dyert vazhdojnë të mbeten të mbyllura.

– Sa e rëndësishme është kritika për ju?

– Është mendimi më me vlerë për mua, por mendoj se kështu duhet të jetë për çdo autor, për çdo krijues. Unë nuk bëjë pjesë në atë grup njerëzish që paguajnë emra të njohur për të bërë shkrim, siç po shohim se ndodh shpesh e ku në vend të kritikës gjejmë veç lavdërime, që i nxjerrin autorin talent të letërsisë shqiptare. Mua kjo nuk më duhet. Më duhet lexuesit, mendimi i tyre. E kam marrë në mënyrën time mendimin kritik dhe kurrë nuk botoj pa kaluar në disa duar redaktimi i veprës dhe marrjen e mendimit. Gjithsesi, do të vazhdoj të shkruaj dhe do të sjell më të mirën e pasionit dhe të zemrës sime.

– Ju falënderoj që ndamë së bashku këto mendime!

ODISE PLAKU

Poet, prozator, publicist, dramaturg

Vepra të luajtura në skenë:

“Klithma e një nëne të marrë” – monodramë, vënë në skenë në teatrin “Bylis”, Fier, me aktoren Hajrie Rondo, 2006.

“Ylli i mëngjesit” – dramë, vënë në skenë në teatrin “Migjeni”, Shkodër, 2009.

“Velloja e bardhë” – monodramë, vënë në skenë në teatrin “Andon Zako Çajupi”, Korçë, me aktoren Zamira Kita, 2008.

“Flakët e shpirtit” – dramë, vënë në skenë në teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, qershor 2010.

“Të rendësh i lirë” – dramë për fëmijë, 2009.

“Moonlight” – film me metrazh të shkurtër, skenarist, 2007.

“Fëmijët e ndrojtur” – komedi, vënë në skenë në teatrin “Metropol”, Tiranë, 2014.

“Amaneti” – monodramë, vënë në skenë në teatrin “Petro Marko”, Vlorë, 2015.

“Fëmijët e ndrojtur” – komedi, vënë në skenë nga Teatri i të Rinjve të Prishtinës, 2016.

“Klithja” – monodramë, Instituti Ndërkombëtar i Teatrit Kosovë, gusht 2016.

“Amaneti” – dramë, vënë në skenë në teatrin “Migjeni”, Shkodër, 2017.

“Pak gjumë, o njerëz” – monodramë, vënë në skenë në teatrin “Osman R. Gashi, Klinë (Kosovë), prill 2018.

Botime:

“Qullaci” – novelë-përrallë për fëmijë, 1999

“Lotin nuk e fal” – vëllim me tregime për të rritur, 1995

“...dhe gjethet bien…” – vëllim me poezi për të rritur, 2005

“Kthimi i Samantës” – vëllim me tregime dhe novela, 2005

“Kur qeshen ëndërrbukurat” – novelë për fëmijë, 2009

“Zhguni i Gjinkallëdredhakut” – novelë për fëmijë, 2011

“Udhëkryq” – novela, 2015

“Breshka e Krislit” – novelë për fëmijë, 2015

“Tri ndodhitë e Orikut” – novelë për fëmijë, 2017

“Puthje të mbetura në ajër” – poezi, 2017

“Të rendësh i lirë” – novelë për fëmijë, 2019

“Kalërim në taken e ëndrrës” poezi 2020

“ Djaloshi i ëndrrës së blertë “ novelë për fëmijë 2021

Çmime letrare:

Çmimi i parë në konkursin e tregimit (me tregimin “Dyluftim nën hënën mashtruese”), organizuar nga revista “Obelisk”, Tiranë, 23 janar 2010

Çmimi i parë “Xhemal Doda” në poezi, Prizren, 2015

Çmimi i parë në tregim “Pena e flakës”, Gjilan, 2016

Çmimi “Ali Podrimja”, Gjakovë, 2016

Çmimi i dytë në “Takimet poetike në Sharr”, Tetovë, 2018

Çmimi i tretë në “Takimet e diasporës”, Podujevë, 2018.

Çmimi i parë në “Pena e flakës” në tregimin me shifër, Gjilan, 2019

Çmimi i dytë “Flakadani i Karadakut”, 2019

Çmimi i parë “Kultura na bashkon”, Preshevë, 2019

Çmimi i tretë "Në prehër të Gjalicës", Kukës 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat