Mbresë poetike

Kultura

Mbresë poetike

Nga: Sulejman Mehazi Më: 15 tetor 2022 Në ora: 16:40
Sulejman Mehazi

Gjatë qasjeve poetike nuk preferojmë të harxhojmë fjalë biografike për poetin, por për vargjet poetike, nuk adhurojmë biografinë para poezisë, mirëpo për hirë të gjeneratës së re të poetëve jemi të detyruar të shkruajmë për veprimtarinë poetike, kritike e përkthyese të Remzi Salihut, i cili kohëve të fundit është mbyllur në zgafellat e të lexuarit të veprave artistike, më shumë preferon të lexojë sesa të shkruajë.

Poeti Remzi Salihu është i njohur me përmbledhjet e tij poetike:
1. "Fluturimi i largët",1987.
2."Sheshi i shtrigave",1992.
3. "Gjurmë malli", 1993.

Tri vepra kritike:
1. "Largimi nga izolimi",
2. "Provokime metaforike",
3. "Theksime letrare"
Nga gjermanishtja shqipëroi poezitë më të theksuara gjermane:
"Antologji e poezisë moderne gjermane".

Që nga vitet -80-90 të shekullit të kaluar e me ardhje e demokracisë poetët, Remzi Salihu, Shkëlzen Halimin e Ilir Ajdinin e tjerë, ishin gjeneratat e para posdemokratike të një shkolle të re poetësh "Plejada", pas kësaj shkolle e deri më sot u bë një rrëmujë e madhe poetike.
Pas një pauze dekadash, Remzi Salihu, me anë të rrjetit facebook rallë, për mall e për merak publikon poezitë e tij,
njëra ndër poezitë mbresëlënëse është me titull "Poezia", na duket se me daljen në skenë të Remzi Salihut, ndryshe veprohet me artin e të shkruarit poetik dhe se më poetët e nahies sonë kanë kujdes ndaj publikimeve poetike.
Citojmë tre vargjet e para :
"Është një ashkë e njomë
në pyll të shpeshtë mendimi
Gdhende."
Që në tre vargjet e para, Remzi Salihu, shpreh se pa elementet e "ashkeve të njoma" origjinale e frymëzuese nuk mund të "gdhendet" poezia pa zgjedhjen e "mendimeve" e fjalëve të latuara në "pyllin e shpeshtë" e të dendur poetik nuk ka poezi.
Tre vargjet e lartëpërmendura sa janë këshilluese, teorike e estetike, po aq edhe udhëzuese për poetët që të kenë drojë ndaj antivlerave poetike.
Poezia për Remzi Salihun nuk është vetëm "ashkë e njomë në pyllin" e pafund, por

"Është një lot vese në katër fletët e tërfillit
që shuan etjen e gjelbërimit
në çdo mëngjes të ri të fatit,
Pije."
Metafora e fuqishme "e katër fletëve të tërfillit" e ka simbolikën e vlerave të ralla poetike, se, poezia "është lot vese që i takon vetëm "fletëve të tërfillit, dhe se pa "vesë tërfilljesh" poezia nuk mund ta "shuajë etjen, e "Pijes" poetike. Pasi "terfillet" në pyllë janë të ralla, poashtu edhe poezitë me vlerë janë të ralla.

Derisa sa me "ashkë" duhet gdhendur poezinë, me " vesën e fletëve të tërfillit" duhet Pirë e thithur frymëzimet poetike.

Figuracione kulminante poetike janë vargjet"
"Është një arkivol që më shpon
për çdo ditë nga pak në shpirt
Shpaloje"
"shpalosja" frymëzuese "e arkivolit" poetik  figurativisht  krahasohet me vargjet e Azem Shkreli, "Mos u bën poet nêse  s'mund të vdesish për secilën fjalë, për secilin varg"
se momenti i lindjes së poezisë brenda shpirtit të poetit e ka kuptimin e një vdekje klinike fizike, se duhet forcë shpirtërore për të duruar e përballuar "arkivolin" që "shpon shpirtin" e kësaj plage dhe se për të shpëtuar nga kjo kufomë  artistike duhet gdhendje fjalësh, dehje pijesh ndjenjash e frymëzimesh figurash poetike për të "shpaluar" e shpëtuar nga kjo gjendje e rëndë shpirtërore poetike.
Këtë gjendje të sikletshme të brendshme shpirtërore poeti Remzi Salihu e transformon në "lot të ngrirë në qerpikë të syrit" e këtë "lot të ngrirë me anë të "gdhendjes, shpalosjes e pirjes" poetike e "shkrinë në dashuri".

"Poezia është lot i ngrirë në qerpikë të syrit
shkrije me shikim dashurie
që të nisen ditët mbarë."

Tri figurat kyçe të krijimit të "Poezisë" janë:
-Gdhendja" poetike, që e ka kuptimin e skalitjes, përgjegjësisë së fjalëve, figurave poetike e estetike;

- "Pijes" poetike, që e ka kuptimin e ndjenjave, përjetimeve, perceptimeve e shijes poetike;

- "Shpalosjen" poetike, që e ka kuptimin e krijimit, e ndërtimit poetik, zbulimit të figurave, publikimin e vlerave poetike.

Figurat e kuptimit që i japin forcë poezisë janë: simboli dhe krahasimi, se poezia: -"është ashkë e njomë";
-"Është një lot vese në katër fletët e tërfillit";
- "Është një arkivol që më shpon
për çdo ditë nga pak në shpirt";
-"Poezia është lot i ngrirë në qerpikë të syrit".

Figurat e të shqiptuarit figurativ, janë:
- vetë titulli "Poezia";
-"gdhende";
- "pije"
-"shpaloje;
-"arkivoli".

Vargjet e  Remzi Salihut sa janë poetike e mistike, po aq janë teorike e shkencore për poezinë, janë teori poetike, kritike e estetike për vetë pozinë, në njërën anë janë frymëzime, në anën tjetër udhëzime teorike e estetike të krijimit poetik. Është poezi që ka elementet e mendjes, ndjenjës, shpirtit, por edhe elementet e shkencës poetike, të shkruarit poetik dhe të kuptuarit poetik.
Një brendi e thellë mistike e lindjes së poezisë, poezi lartpurlatiste, poezi teorike për poezinë, një ekstazë e fuqishme poetike.

Remzi Salihu

POEZIA

Është një ashkë e njomë
në pyll të shpeshtë mendimi
Gdhende

Është një lot vese në katër fletët e tërfillit
që shuan etjen e gjelbërimit
në çdo mëngjes të ri të fatit
Pije

Është një arkivol që më shpon
për çdo ditë nga pak në shpirt
Shpaloje

Poezia është lot i ngrirë në qerpikë të syrit
shkrije me shikim dashurie
që të nisen ditët mbarë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat