Gjurmëve të një studiuesi të lënë në harresë

Kultura

Gjurmëve të një studiuesi të lënë në harresë

Nga: Ajete ZOGAJ Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 16:09
Sinan Gashi Llazar Siljani studiuesi atdhetar rekas, botoi “Shkrola” Prishtinë, 2021

Studiuesi Sinan Gashi, autor i një numri të konsideruar të librave studimorë, i monografive, romaneve dhe librave nga fusha e kritikës letrare, vazhdon të befasoj lexuesit dhe studiuesit e letërsisë me hulumtime të veçanta mbi figura të lëna në harresë, e që kanë bërë shumë për ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare, kudo që kanë jetuar dhe vepruar.

Kësaj radhe, puna titanike e këtij studiuesi të vyer, dhe pena e tij e mprehtë, hedhë dritë mbi një figurë të shquar të kombit tonë, atë të studiuesit rekas Llazar Silijani.

Vlerësimi i dhënë nga autori në parathënien e librit, se ”Lazar Siljani, është rilindas dhe një shqiptar i kulluar dhe i përkushtuar, i cili frymoi vetëm shqip kudo që e shpuri fati i rëndë.”[1], është dëshmia kuptimplote e rëndësisë së këtij studimi i cili edhe pse jo shumë voluminoz, ka rëndësi të veçantë për studiuesit e letërsisë të një periudhe të rëndë në të cilën kaloi populli ynë përgjatë historisë.

Trajtimi i figurës së atdhetarit Lazar Siljani, është dhënë në rrafshin sinkronik dhe diakronik, rrafshe këto që plotësojnë njëra-tjetrën duke nxjerrë argumente të shuma shkencore të punës vetëmohuese të Siljanit, gjithnjë në shërbim të atdheut dhe ruajtjes së gjuhës shqipe.

“Njëri ndër ata që kishte jetuar në një kohë të turbullt dhe kishte krijuar po ashtu në një kohë edhe më të rëndë, me krijimet e tij bëri edhe që pas një shekulli t’i zihet në gojë emri për të mirë dhe të shqyrtohet vepra e tij. Pra, emrin e respektuar ia ruajti si dhuratë përjetësisht vepra e tij”[2].

Llazar Siljani, atdhetari e studiuesi rekas

Llazar Siljani, atdhetari e studiuesi rekas, siç mësojmë nga ky studim, lindi në Rekë të Epërme të Maqedonisë së Veriut, një krahinë e cila pati fatin e hidhur që të përjetonte presione të ndryshme me të vetmin qëllim, zhbërjen e etnitetit të tyre kombëtar, kulturor e gjuhësor. Siç thekson studiuesi Sinan Gashi, “Për studiuesin Llazar Siljani, të cilin e aktualizuan pas një shekulli tri veprat e tij të botuara në Bullgari, dimë fare pak...[...] Mësohet vetëm data e lindjes e jo edhe e vdekjes, ngase ku i dihet ku e kishte degdisur fati në emigrim, mbase në një mes ku nuk ia dinin vlerën as si njeri e lëne më si krijues të përkushtuar për kohën, ku i dihet si e përfundoi përgjithmonë.”[3]

Banorët e Rekës së Epërme, siç e dëshmohet, ishin të shtrënguar nga varfëria dhe përndjekjet t’i lënin vatrat e tyre stërgjyshore dhe të migronin drejtë Bullgarisë e Rumanisë.

Llazar Siljani, Josif Ivan Bageri dhe shumë atdhetar shqiptarë, lanë gjurmë me punën dhe aktivitet që zhvilloheshin në atë kohë në shoqërinë “ Dëshirë” të Sofjes, ku Josif Bageri është njëri ndër themeluesit e saj.

Ky libër studimor, shpalos para lexuesit dhe studiuesit, argumente të shumta të veprimtarisë atdhetare të Llazar Siljanit, të cilat në qenësinë e tyre kanë të brumosura idealet e një atdhetari të shquar, i cili tërë jetën ia kushtoi atdheut, ngase për të atdheu ishte mbi të gjitha.

Libri pasqyron punën dhe aktivitet e mërgatës në Bullgari, rëndësinë e shoqërive kulturore, shtypshkronjës “Mbrothtësia”, pastaj botimit të revistave të përkohshme në gjuhën shqipe, “Drita”, “ Kalendari Kombiar”, “Shqypeja e Shqypenis”, dhe “Vetëtima’’.

Studiuesi Sinan Gashi e vlerëson Llazar Siljanin: studiues që la gjurmë për admirim, që pastaj për fat të keq gjithçka humbet nga gjurmët e tij, madje nuk dëgjohet asgjë për jetën dhe përfundimin e tij.

Autori i këtij studimi, rëndësi të veçantë u kushton librave të botuar nga Llazar Siljani, “Besa a fea e shqiptarëve të vjetër”. Shtyp nga “Mbrothësia” Kristo P. Luarasi, në Sofje në vitin 1907, ku ndër të tjera thuhet: “Ky historian i lashtësisë, e nis me rrënjën e të parëve të shqiptarëve, nga Hindi (India) dhe ecjen e tyre kohore nëpër shumë vise, për të ardhur deri në trollin e sotëm të Ballkanit ekzotik”[4].

Në hulumtimet e bëra studiuesi Gashi thotë se, Llazar Siljani shprehte bindjen se shqiptarët janë racë ariane dhe gjuha e parë e tyre është quajtur sanskrite, që “shumë afrohet me gjuhën e sotme shqipe”.[5]

Interesimet e Siljanit për lashtësinë e gjuhës shqipe

Në pjesën Shtojcë 1, autori jep fragmente nga vepra e parë e Llazar Siljanit “Besa e fea e shqiptarëvet të vjetër”, Sofje 1907, ndërkaq kapitull mjaft interesant për studiuesit është kapitulli “Hulumtime të thella për shqiptarët shkruar në bullgarisht, e cila është shqipëruar nga Elvi Sidheri ( vepra e dytë) e Siljanit, “Kush janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre” Sofje 1910, botim ky që shpreh idealet e shqiptarizmës së atdhetarit Siljani.

“Përherë autori Siljani, i cili qëmtonte ta gjurmonte rrënjën e shqipes dhe, kushtimisht, ta nxirrte të parë në raport me gjuhët e popujve të tjerë, mbështetej te gjuha, ajo e hershmja e shqipes, duke gjetur në vijimësi (përkatësisht në të tri veprat e tij) se shqipja është gjuhë rrënjë dhe se i ka ushqyer gjuhët e tjera me fjalët e saj, të cilat, për arsye të specifikave të tyre (mungesë e fenomeneve që i ka shqipja), dalin me ndonjë ndryshim fonetik, që në shqiptim del si një belbëzim i gjuhës së parake, shqipes.”[6]

Në pjesën Shtojca 2, jepen fragmente nga vepra e Llazar Siljanit “Kush janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre?”, Prishtinë 2020, si dhe kapitulli “ Një studim krahasimtar i veçantë mes dy gjuhëve”- LL(azar) Siljani: “Afrimi i Bullgarishtes së sotme me gjuhën shqipe”, Sofje 1911, 66 faqe, për të cilin autori sqaron se kjo vepër gjendet në arkivin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

Siljani në veprën e tij të dytë, e kishte paralajmëruar një interesim të tillë afrish gjuhësore bullgaro – shqipe, vlerëson ndër të tjera studiuesi Sinan Gashi, i cili është i mendimit se ky libër studimor, “mbase nxitë një dashamirë të studimit hulumtues që të zbardhë misterin e fundjetës së Llazar Siljanit, historianit, mitologut, arkeologut me emër të respektuar në shkencën shqiptare”[7].

Në pjesën përmbyllëse të këtij studimi, mjaft të rëndësishëm për Llazar Siljanin, janë dhënë vlerësime meritore për figurën e tij: “përkushtues i madh i çështjes shqiptare, si në anën e aktualitetit të kohës me angazhimet në shoqërinë shqiptare të Sofjes dhe në zbatimin e detyrave të saj, por kulmon me punën shkrimore, duke i dokumentuar ato me fakte e shpjegimi të kuptimit logjik gjuhësor, që assesi, nuk mund të kundërshohen.”[8]

Ndërkaq, mendimi i Llazar Siljanit i dhënë në fund të këtij studimi, rrubullakëson bindshëm figurën e atdhetarit rekas : “ Besa, fe e kombit janë si fletët e drunit të cilat, po të ndryshohen nga koha, bien dhe në pranverë dalin të tjera. Gjaku (shpirti) i kombit është si palca e drunit, të cilën po e nxore, nuk mbeten as fletë, as pemë dhe druni thahet përjetë”[9]

Duke lexuar dhe analizuar me kujdes këtë libër studimor të autorit Sinan Gashi, mund të themi me bindje të plotë se autori ia ka arritur së të hapë një dritare të vogël prej nga mund t’i hapet rrugë studimit të mëtejmë të jetës dhe veprës së studiuesit atdhetar rekas, Llazër Siljani.

Prishtinë, 30 nëntor 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat