Poezi të mbushura me aromë ndjenjash dhe mbresash

Kultura

Poezi të mbushura me aromë ndjenjash dhe mbresash

Nga: Gani Bajrami Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 08:56
Foto ilustrim

Shkrimtari dhe publicisti Hamza Halabaku para lexuesit shqiptar ka ardhur me vëllimin më të ri poetik, “U bëftë Arbëria”, që është libri i tij i njëmbëdhjeti me radhë, të cilin e botoi Shtëpia botuese “ROZAFA” e Prishtinës me editor Ramadan Mehmeti. Redaktor i librit është Pjetër Cara, recensues Sulejman Dërmaku, ndërsa ballina e librit mban një pikturë të Miradije Ramiqit.

Duke lexuar poezitë e këtij vëllimi të Hamza Halabakut, në të cilat gërshetohen tema e motive të shumta, fitohet përshtypja se ato, në një mënyrë gati të pandashme, i lidh tema e atdhedashurisë dhe brenda saj gjakimi për identitetin kombëtar, rikujtimi e himnizimi i personaliteteve e ngjarjeve të ndryshme nga e kaluara dhe e tashmja jonë historike, arsimore e kulturore. Prandaj, brenda tekstit dhe nëntekstit të tij poetik gjejmë kudo autorin dhe atë që e ka preokupuar e vazhdon ta preokupojë, qoftë si realitet, qoftë si imagjinatë krijuese.

Poezitë e këtij libri janë të mbushura me aromë ndjenjash dhe mbresash nga jeta dhe realiteti, prandaj, lexuesi, kudo që ndalet nëpër faqet e librit, e has gjendjen shpirtërore të autorit dhe përjetimet e tij jetësore, por edhe praninë e përkufizimit tematik, atdhedashuria si gjakim. Andaj me të drejtë redaktori Pjetër Cara sugjeron se për shprehjen e paraqitjen grafike të krijimeve poetike të këtij vëllimi me titull “U bëftë Arbëria”, i cili siç duket ka ardhur nga dëshira e frymëzimit të zjarrtë patriotik të këtij krijuesi. Ashtu siç është vetë Hamzai që digjet në heshtje si prushi i atdhetarizmit për Kosovën e tij të zemrës dhe për krejt shqiptarinë. Kjo cilësi kryesore e krijimeve të këtij vëllimi, rrezaton te tematika dhe problematika e zgjedhur historike që frymëzimi i autorit i qëmton me kujdes në realitetin e Dardanisë e të shqiptarisë.

Pasi poezia në vetvete është jetë dhe ndjenjë, poezia e Hamza Halabakut shpërfaqet si shprehje e një ndjenje të fortë emocionesh që prek njerëzoren dhe dinjitetin përmes vargjeve. Prandaj, kjo poezi shpërfaqet e drejtpërdrejtë, brenda përshkrimit realist në favor të imazheve sugjestive, por edhe mesazheve kuptimplote. Në emër të njerëzores poeti Halabaku shpërfaq më tepër përmbajtje dhe zbulon fuqinë transformuese të tij për të nënshtruar të zakonshmen në jetën e përditshme, duke harruar pasionet dhe duke sforcuar mesazhet.

Struktura e këtij vëllimi poetik është ndarë në katër cikle: “Gjakim”, “Këtu do të rroj”, “Emri im” dhe “Dekadat e mia”, ndërsa poezitë brenda këtyre cikleve përfaqësojnë zërin e poetit dhe të shoqërisë e njerëzve që e rrethojnë, ku spikatin hyjnorja e njerëzorja, shpresa e gjakimi, por edhe zhgënjimi e protesta.

Redaktori Pjetër Cara vlerëson se karakteri i epikës patriotike përbën thelbin e tematikës së një cikli poetik të këtij vëllimi, i cili buron nga ndërgjegjja kombëtare e poetit. Për rrjedhojë nga ky formim muza ka qëmtuar flashkat e materies poetike që duhet t’i kenë krijuesit, për të formuar, ngjizur e kalitur dashurinë ndaj atdheut e vendlindjes. Sipas tij, këto ndjenja, ndijime e perceptime atdhetarie e kanë ngacmuar vazhdimisht frymëzimin poetik, duke e grishur të ligjërojë me vargje të ngrohta e të sinqerta, për të shprehur dashurinë e çiltër ndaj dhe lindjes dhe ndaj historisë e peizazhit të bukurive natyrore, me të cilat ka lidhje shpirtërore, fizike e familjare të përhershme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat