Sfidat dhe vështirësitë e shkollës fillore të Tërrnavës gjatë viteve ‘80

Kultura

Sfidat dhe vështirësitë e shkollës fillore të Tërrnavës gjatë viteve ‘80

Nga: Zymer Mehani Më: 23 mars 2023 Në ora: 14:12
Kopertina e librit

Në datën e sotme, 34 vjet më parë, më 23 Mars 1989, Serbia me trysninë e tankeve të ushtrisë jugosllave dhe terrorin e tejskajshëm të policisë, suprimoi autonominë e Kosovës të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974 me të cilën shqiptarët kishin fituar statusin më të lartë politik e juridik deri atëherë në kuadër të federatës jugosllave.

Terrori ndaj shkollës shqipe ishte përhapur në tërë Kosovën, sidomos prej vitit 1981. Nga kjo kohë në Kosovë u zhvillua një fushatë e egër serbe për t’u hetuar nga organet e sigurimit serb çdo arsimtar, çdo nxënës dhe çdo prind shqiptar që e do arsimin dhe përparimin.

Lidhur me këtë autoritetet serbe e kishin aktualizuar programin e tyre antishqiptar në forma të ndryshme. Forma më e njohur ishte ajo e diferencimit (në fillim të viteve ’80).

Edhe në shkollën e Tërrnavës serbët tentuan të diktonin vullnetin e tyre. Edhe këtu nxënësi apo arsimtari mund të pësonte si është më së keqi, nëse do t’ u binte në sy autoriteteve duke folur për Shqipërinë, ose nëse do të recitonte ndonjë varg të poetëve të Rilindjes sonë kombëtare.

Gjatë kësaj kohe kanë ndodhur edhe përjashtime nga shkolla, edhe thyerje të notës së sjelljes, jo nga arsimtarët, por drejtpërdrejt nga emisarët komunalë, që ishin dorë e zgjatur e regjimit serb.

Për një refren të ndonjë poezie për Skënderbeun, ose për një shpalosje të flamurit kombëtar, madje edhe për një kordele kuq e zi në gërshetat e ndonjë vogëlusheje të klasës së parë, apo për një thirrje ose shkrim: ”Kosova Republikë”, edhe fëmija 7-vjeçar mund të shpallej armik dhe irredentist dhe për pasojë mund të bëhej transferi i tij nga shkolla në prag të shtëpisë, në ndonjë shkollë tjetër fqinje, 4-5 km. larg, gjë që edhe ka ndodhur.

Në vitin 1989 pushteti okupues serb vetëm sa e shtoi terrorin e egër kundër shqiptarëve, më parë përmes segregacionit  e pastaj përmes mbylljes së shkollave për nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë. Në ato rrethana, sidomos policia dhe civilët serbë, të cilët punonin për policinë famëkeqe serbe, filluan një fushatë të egër kundër arsimtarëve dhe nxënësve shqiptarë. Së pari, të gjithë mësimdhënësit e shkollave të mesme të Prishtinës detyrohen që të largohen nga ndërtesat shkollore. Pastaj nxënësit filluan që të ndalohen te portat e shkollave, për të mos hyrë nëpër klasa. Lidhur me  këtë dukuri koloniale, së pari në mënyrë civilizuese reaguan arsimtarët, e pastaj edhe nxënësit shqiptarë me prindërit e tyre.

Në rrethana kësofare të krijuara i tërë personeli mësimor organizohet, duke filluar punën me shumë familje të njohura arsimdashëse, të cilat shumë shpejt u organizuan duke i lëshuar shtëpitë, duke dhuruar mjete financiare dhe kështu i ngritën shtëpitë-shkolla.

Sa kalonte koha dhe dhuna mbi shkollën shqipe shtohej. Por, pas ndryshimeve të dhunshme kushtetuese, që ndodhën në Kosovë, më 1989 procesi arsimor në Kosovë vihet në pozitë koloniale nga okupatori serb.

Qarqet politike serbe, sidomos gjatë vitit 1989, i kishin shpalluar të gjitha programet antishqiptare për ta sulmuar në rend të parë shkollën shqipe. Kështu në këtë vit (më 23 mars) vjen deri te ndërrimi i kushtetutës, apo më mirë të themi suprimohet autonomia e Kosovës e garantuar me kushtetutën e vitit 1974. Me këtë ndryshim Serbia krijoi mundësinë që ta sulmojë publikisht pa asnjë pengesë nga jashtë shkollën shqipe në shkallë neofashiste. Për fat të keq edhe pse institucionet shqiptare të Kosovës do të reagojnë, qarqet ndërkombëtare, që ishin profesionalisht të ndërtuara për të mbrojtur, të paktën të drejtat e njeriut në botë, nuk reaguan madje as me një fjalë të vetme. Ky mosreagim për pushtetin serb ishte një shenjë, se me shqiptarët mund të silleshin si të duan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat