Hapet në Podujevë ekspozita “24”, e piktores Dije Bllaca

Kultura

Hapet në Podujevë ekspozita “24”, e piktores Dije Bllaca

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 11:55
Pamje nga ekspozita "24" nga Dije Bllaca

Për ta shënuar 24 vjetorin e çlirimit të qytetit të Podujevës, të hënën në Galerinë e Qytetit është hapur ekspozita e piktores Dije Bllaca, me titullin “Njëzet e katër”.

Ekspozita u cilësua të jetë një homazh prekës për çlirimin nga prangat e luftës që dikur mbërthente zemrën e çdo shqiptari.

Kuratorja Vlora Demiri, theksoi se pikturat e artistes Bllaca janë një koleksion magjepsës abstraksioni që neve si shikues humbasim në thellësinë e kërkimit.

“Ky abstraksion nuk i pengon pikturës së Dijes që të jetë alkimiste e emocioneve dhe shpirtërores. Ajo çka e dallon pikturën e artistes llapjane në këtë rast është flakja e realizmit që zakonisht jemi mësuar ta shohim në përvjetorë të tillë. Ajo nëpërmjet abstraktes fton shikuesin të nis një udhëtim thellësisht personal në lidhje me këtë ngjarje.”, tha Demiri duke shtuar se këto vepra na inkurajon të reflektojmë mbi memorien e plagës kolektive

“Dija në këtë ditë të rëndësishme na e rikujton nëpërmjet artit të saj, duke na e bërë të ditur që është pikërisht arti, ai i cili e ngacmon nënvetëdijen tonë me vetëdije dhe na rikujton që ai është një katalizator i përhershëm i ndryshimit.”, tha ajo.

Piktorja Dije Bllaca duke falënderuar të pranishmit, tha se ekspozita e saj e 5-të personale është më specifike për të, pasi po organizohet në një datë të rëndësishme për vendlindjen e saj.

“Ekspozita ime e pestë personale është me e veçanta për mua sepse ndodhi ne vendlindjen time ne një date po ashtu shume te rëndësishme siç është Dita e Çlirimit. Unë e dua lirinë si çdo njeri. Kjo ekspozitë, sigurisht që ka një ndërlidhje me këtë datë dhe me punët e mija të ekspozuara me këtë rast. Si elemente përbërëse  të punëve të mija janë: hapësira, perspektiva, ngjyra, harmonia po edhe kontrasti e bëjnë punën time të veçante të shprehura me një spontanitet dhe ndjeshmëri të momentit dhe një çlirim shpirtëror i preokupimeve brengave dhe nga jeta e përditshme nga dëshira për ditë me perspektivë për gjithë neve.”, deklaroi piktorja Bllaca.

Ekspozita “Njëzet e katër”, e cila do të jetë e hapur deri më 3 korrik 2023, në  Galerinë e Qytetit, është përkrahur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Podujevës.

Image
Pamje nga ekspozita "24" nga Dije Bllaca
Image
Pamje nga ekspozita "24" nga Dije Bllaca
Image
Pamje nga ekspozita "24" nga Dije Bllaca

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat