Përshkrimi i fatit të Kosovës përmes fatit të autorit

Kultura

Përshkrimi i fatit të Kosovës përmes fatit të autorit

Nga: Faton Mehmeti Më: 6 shtator 2023 Në ora: 17:30
Foto ilustrim

Për një vepër të tillë voluminoze është shumë e vështirë me pak fjale të përmbledhësh sado pak potencialin e ngjarjeve te paraqitura nga autori. Kronologjia e ngjarjeve që nga lindja e autorit e deri në ditët e pasluftës është edhe historia e Kosovës, e shqiptarëve në veçanti. Autori, Fatmir Sadiku, duke qenë vet pjesëmarrës i proceseve që nga vitet e 80 të shekullit të kaluar e deri në vitin 2000 nga ku pastaj emigron jashtë vendit, si pak kush deri tani ka sintetizuar përmes projeksioneve të ngjarjeve fatin e vendit tonë të lidhur pashmangshëm me njeriun, shqiptarin e Kosovës. Shërbimi ushtarak, bisedat informative, pjesëmarrja në referendum dhe së fundi në radhët e UÇK e bëjnë përshkrimin e ngjarjeve me fakte dhe argument nga autori si monument historik për të vërtetën e Serbisë për trajtimin e shqiptarëve dhe Kosovës.

Përshkrimi i ngjarjeve përmes kësaj vepre me qetësin e fakteve dhe argument të bëjnë të lundrosh në histori, të rikthehesh në kohë dhe doemos të ndjesh në lëkurë deri në asht çdo pjesë të ngjarjeve te shtjelluara. Janë më qindra ngjarje, nga ku secila mund të jetë libër ne vete, autori ka bërë mjaft mirë lidhjen mes ngjarjeve dhe tërësinë duke sintetizuar me mjeshtërinë e gazetarit të dikurshëm dhe shkrimtarit të sotëm në korrelacionin e kronikës. Kjo vepër, ka rëndësi historike për ngjarjet e paraqitura dhe rëndësi studimore për të gjithë të interesuarit në të tashmen dhe në të ardhmen për zonën e Syrenikës, Ferizajt dhe mbarë Kosovës për periudhën , kryesisht 20 vjeçare. Çdo kapitull në këtë vepër është i realizuar me origjinalitet, me fakte dhe dëshmi, çka e bën librin në tërësinë e saj të veçantë si nga mënyra e rrëfimit ashtu edhe të detajeve të saja. Alteregoja e autorit si personazh i ligjërimit i jep forcë të vërtetës shpesh herë në peripecitë e saja për të mposhtur gënjeshtrën.

Kacafytja me policinë në tregun e Ferizajt, mposhtja e frikës për të vërtetën, përshkrimi i vrasjes së Banushit, dëbimi nga shtëpitë e tyre, autori nuk ka tentuar asnjëherë të jetë personazh kryesor i ngjarjeve. Metafora, apo siç njihet ndryshe nga latinishtja, bartje e kuptimit, përshkruan si figurë stilistike të gjithë veprën nga fillimi e fundit, ndonëse gjuha e përshkrimit është e kuptueshme për çdo shtresë, këtu edhe qëndron fuqia letrare e veprës, pa hequr ato historike.

Gjithsesi, autor i dëshpëruar me realitetin e pasluftës, nuk ndjehet i kënaqur me zhvillimet në liri për të cilën kishte dhënë çdo gjë, vendos të emigrojë në Kanada nga ku edhe atje në cilësinë e përkthyesit dhe njeriut me ndikim ka bërë punë të shkëlqyer për Kosovën, Fatmir Sadiku edhe sot jeton në Kanada, e sot është në mesin tonë me veprën “ Frikë dhe Urrejtje”. Duke lexuar librin në fjalë, nuk mund mos të jesh edhe vet pjesë virtual e të gjitha ngjarjeve, shpesh në dëshpërim dhe shpesh në krenari, ashtu siç edhe ishte fati i popullit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat