Identiteti kombëtar dhe religjioni te shqiptarët

Kultura

Identiteti kombëtar dhe religjioni te shqiptarët

Nga: Dr. Don Anton Uka Më: 25 shtator 2023 Në ora: 19:05
Foto nga takimi

Të nderuar pjesëmarrës, Ju përshëndes të gjithëve, në veçanti e përgëzoj aktivistin e palodhshëm të kulturës dhe gjuhës shqipe z. Riza Demaj, që në bashkëpunim të ngushtë me profesorin e respektuar z. Frashër Demaj, ka organizuar këtë Konferencë mbi Identitetin kombëtar dhe religjionin te shqiptarët. E falënderoj për ftesën dhe për iniciativën e bashkimit të të gjithë neve që realisht kemi role, përgjegjësi, detyra, bindje politike dhe religjioze të ndryshme mes vete, por historinë dhe identitetin e kemi të përbashkët dhe kjo gjithmonë na ka mbajtur të bashkuar.

Identiteti, sikurse edhe kultura, janë koncepte shumë të gjëra dhe komplekse saqë vërtet është e vështirë të jepet një shpjegim i vlefshëm për të gjithë. Aq më e vështirë është të nxirren definicione që do të përmblidhnin përmbajtjen e thellë të këtyre koncepteve që shprehin në mënyrë unike para se gjithash individin, pastaj elitën apo grupin dhe në fund bashkësinë e një populli, dmth. kombin. Megjithatë duhet theksuar se për identitet të një kombi nënkuptohet tërësia e tipareve fizike, morale, shpirtërore, kulturore, gjuhësore që ka një komb i caktuar dhe që e dallojnë atë nga kombet tjera. Pra, këto tipare dalluese janë pjesë e vetëdijes nacionale.

Prandaj mund të shtrohet pyetja: Identiteti ynë shqiptar a është identitet perëndimor apo është lindor?

Të gjithë e dimë se mbi këtë pyetje tashmë janë konsumuar debate të shumta në shoqërinë tonë, të cilat kanë prodhuar, fatkeqësisht, më tepër sesa kuptim, keqkuptim dhe rreshtim në pro et contra.

Debatet e tilla mbi identitetin në realitetin tonë shqiptar, pikërisht pse tendencioze, edhe religjionet i kanë ndarë në perëndimore dhe lindore, duke harruar që të tria religjionet monoteiste, pra hebraizmi, krishterimi dhe islami vijnë pikërisht nga lindja.

Po të merrnim dhe të rilexonim, pa ngarkesë, historinë tonë të lashtë dhe të ndritur, do të kuptonim se identiteti ynë nuk është as lindor e as perëndimor, por ai është ilir-arbëror-shqiptar për vet faktin e autoktonisë tonë gjeografike, gjuhësore dhe gjenetike. Po ashtu do të kuptonim se ky identitet arbëror, që nga fillimi i erës së re, ndër të parët nga të gjithë popujt tjerë evropian, e ka pranuar me liri, pra, pa imponim, besimin e krishterë që realisht identitetit tonë (kombit) i ka dhënë një kulturë dhe qytetërim të lartë, që për parim kishte dhe vazhdon të ketë etikën dhe moralin ungjillor.

Po ashtu duhet theksuar se historia jonë kombëtare e erës së re, pra prej Krishtit e këndej, është e pakuptueshme pa dimensionin religjioz.

Fillimisht duhet kujtuar se krishterimi ndër shqiptar erdhi në një kohë kur Perandoria e fuqishme Romake bëri çmos për ta penguar lirinë e praktikimit dhe shtrirjen e tij. Ndërsa islami në trojet tona erdhi në një kohë kur Perandoria e fuqishme Otomane bëri çmos, duke përdorur sisteme të rrepta politike, mënyra të dhunshme dhe barbare për ta imponuar ‘credon’ e tyre. Pra, kemi dy kontekste diametralisht të kundërta të ardhjes së krishterimit dhe islamit ndër shqiptarë.

Krishterimi, siç dihet, edhe para Ediktit të Milanos (313), i dha identitetit të popujve evropian, që do të thotë edhe identitetit tonë, qytetërim dhe kulturë të lartë zhvillimi në të gjitha fushat, pa kërkuar tjetërsim. Kurse islami, i imponuar dhe i promovuar nga Perandoria Otomane, falë kontributit të pakontestueshëm të shqiptarëve, nuk arriti të depërtojë në popujt evropianë, por aty ku arriti shkatërrojë qytetërimet ekzistuese, duke tentuar të rrënojë, jo vetëm trupin e një kombi, por edhe rrënjët e tija.

Me të gjitha këto përplasje të kulturave, qytetërimeve dhe religjioneve, shqiptarët, falë lëvizjeve kombëtare të udhëhequra nga mendje të ndritura, edhe pse më vështirësi, ja arritën ta ruanin pronën e vet, identitetin shqiptar dhe lidhjen me qytetërimin evropian apo perëndimor, që për ne shqiptarët është ontologjik, jo konstrukt.

Shkrimtari i famshëm çek, Milan Kundera (1929-2023), në romanin e tij “Injoranti”, duke iu referuar personazhit qendror të veprës, Irenës, brenda së cilës luhet drama e ndërdijes, shtron këtë pyetje: “A është e vërtetë se Irenën e ka kapluar humbja e kujtesës?”

Në analogji me veprën e cituar edhe ne mund dhe duhet të pyesim: “A është e vërtetë se shqiptarët i ka kapluar humbja e kujtesës?” “A është e vërtetë se shqiptarët nuk i pranojnë vlerat dhe figurat themelore të historisë dhe kulturës së vet?” “A është e vërtetë se shqiptarët nuk kanë një identitet të vetin?”

Betejës së hapur kundër kujtesës, e cila po zhvillohet dhe po promovohet në mjediset fetare, shoqërore dhe politike, duhet t’i përgjigjemi urgjentisht dhe unanimisht në shpirtin dhe frymën e Gjergj Kastriotit, Pjetër Bogdanit, Gjon Buzukut, Jeronim de Radës, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Ibrahim Rugovës dhe shumë figurave tjera, laike dhe fetare, që për komb dhe atdhe dhuruan dhe sakrifikuan çdo gjë.

Këto modele duhet të jenë për ne shqiptarët frymëzim dhe ngushëllim, që sa herë që dukuritë e shëmtuara paraqitën në habitus-in e kombit tonë, të frymëzohemi nga trashëgimia jonë e çmueshme kulturore dhe shpirtërore, e cila mund të përmblidhet në vargjet e intelektualit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Luigj Gurakuqit, i cili thoshte: “Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue, e zemrën ta forcon; ndër kundërshtime s’vyn kurr me u ligshtue, mjer ai që nuk qëndron”.

(Kjo kumtesë është mbajtur në Konferencën Kombëtare mbi identitetin dhe religjionin te shqiptarët, me 24 shtator 2023, në Reinach-Zvicër, nga Dr. Don Anton Uka, udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar në Luzern)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat