Hilmi Azemi ishte madhështia e zgjimit kombëtar dhe ndërgjegjësimi i proçesit edukativo-arsimor në gjuhën shqipe

Kultura

Hilmi Azemi ishte madhështia e zgjimit kombëtar dhe ndërgjegjësimi i proçesit edukativo-arsimor në gjuhën shqipe

Nga: Sami Arifi Më: 20 tetor 2023 Në ora: 11:00
Sami Arifi

Hilmi Azemi u lind më 1933 në fshatin Sllatinë të Epërme të Komunës së Vitisë nga prindërit Sherif dhe Zylfie Azemi, shkollën fillore ai e kreu në vendlindje, kurse normalen e vazhdoi në Pejë gjatë viteve 1952-1954, kryesisht në gjuhën serbe, dhe e përfundoi në Gjilan.

Studimet për Albanologji i vazhdoi në Beograd, gjatë viteve 1968-1970, por i ndërpreu për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.

Prej vitit 1949-1951 Hilmiu punoi si nëpunës pranë sektorit të drejtësisë të komunës së Vitisë, ku kryente punën e përkthyesit nga gjuha serbe në gjuhën shqipe.

Prej vitit 1951-1952 ai punon si mësues në fshatin Remnik të komunës së Vitisë, ku më tutje vazhdon në fshatin Sllatinë e Epërme deri në vitin 1957, pastaj në Ramjan, Zllatar dhe Sodovinë deri në vitin 1958. Në vitin 1959 punësohet si referent për arsim dhe kulturë në Pozheran.

Më 1960 kthehet në Sllatinë të Epërme dhe punoi si mësues deri në vitin 1962, po në këtë vit Hilmiu burgoset dhe dënohet politikisht për veprimtari armiqësore kundër shtetit serbo-sllav me dy vite burg të rënd në Nish.

Pas vuajtjes së dënimit Hilmiu punësohet me shumë vështirësi përsëri si mësues në fshatin Trestenik, por pas disa javësh, regjimi serb e largoi atë nga puna, por pas shumë peripecive ai punësohet përsëri si mësues në fshatin Mirosalë të Ferizajt.

Në vitin 1967 kthehet ai sërish në Sllatinë dhe punoi si mësues deri në vitin 1975, pastaj ai në këtë vit emërohet sekretar i shkollës. Gjatë vitit 1989 prapë Hilmiu burgoset për të dytën herë nga rexhimi serbo-jugosllav si organizator i grevës së arsimtarëve në mbështetje të grevës së minatorëve të Trepçës, dhe dënohet me 2 muaj burg të cilin burg e mban në Gjilan. Deri në pensionimin e tij në vitin 1990 punoi si sekretar në shkollën e fshatit në Sllatinë të Epërme.

Pas pensionimit u angazhua në Shoqatën Humanitare “Nënë Tereza” dhe punoi disa vite si nënkryetar i degës në Viti.

Për shkak analfabetizmit funksional atëbotë, Hilmiu ndihmonte qytetarët t’i përpilonin shkresat të cilat iu drejtoheshin institucioneve në atë kohë, për probleme të ndryshme që kishin ata.

Veterani i arsimit Hilmiu ishte gjithashtu bashkëthemelues dhe nënkryetar i "Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve te Shpërngulur me Dhunë nga Kosova".

U martua me Haxhere (Bytyqi) Azemi nga Mirosala të Komunës së Ferizajt me të cilën kishin 6 fëmijë, 4 djem dhe 2 vajza. Teutën, Migjenin, Luljetën, Agronin, Sherifin dhe Bardhylin.

Hilmi Sherif Azemi ndërroi jetë më 01.02.2000, ai mbetet përherë i dashur dhe në zemër të popullit për veprimtari të çështjes kombëtare si dhe për kontributin e tij për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave në gjuhën shqipe...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat