Aste

Kultura

Aste

Nga: Sami Mulaj Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 14:33
Foto ilustrim

Me emër vajze,

Aste,

e thërrasin

në shekuj,

fshatin tim

Është e madhe çudi,

askush nuk e di

pse e thirrën Aste,

pse e mbajtën fshehtë

pa e përgojue,

as për sytë e saj bojëqielli

e as për të butat e saj

nën këmishë

me kopsa çelë

aromë mollë e ftue

Thonë

ajo e ruante fshatin

natën me urnë ndezë pishe,

si zanë

n’katër anë fluturonte xixë e vetëtimë

Ju bënte roje

vllaznëve kur flinin,

nuseve e vajzave të gurra

nuk guxonte askush me ju ndi

në lumë grania lanin teshat,

e udhtarët me heshta e armë krahu,

s’guxonin as kryet me e kthy.

Aste

fshati i fisit tim

më i miri në krejt nahi,

falë kësaj zane

asht e fortë,

burrneshë

e hyjneshë për bukuri

Aste,

mijëra vjet më parë,

Asht,

kockë e fortë

kanë thirrë.

Çdo gurë e rrasë,

çdo ferkem e faqe muri

e lëndinë

rrekem ti zbuloj çudinë,

pse e thirrën Aste,

fshatin tim të mirë

E hëna

më vjen në ndihmë

me dritë hijet qortuese

përshpërit artin e harrimit,

e hap e mbyll perdet e aktrimit

të kohëve

Aste,

me qiell

sfond

i lotëve të mi

SM

Dhjetor 27, 2023

New Jersey, USA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat