Dhurata të bukura për freskimin e shpirtit

Kultura

Dhurata të bukura për freskimin e shpirtit

Nga: Baki Ymeri Më: 15 janar 2024 Në ora: 08:28
Kopertina

Poeti është profeti që hap portat e parajsës kurse poezia e vërtetë fillimisht lind në frymën hyjnore, pastaj zbret në perandorinë e muzave dhe mund të pushtohet vetëm nga ata që janë të destinuar për pavdekësi. Simona Mihuțiu është një zë i dalluar i botës poetike rumune. Poezia e saj nuk lind nga dhimbja, por nga gjendja e kërkimit, e shndërrimit të së pamundurës në të mundshme, nga etja për monolog në një kohë dialogu të pamundur. Joana shpërndan mesazhe, detaje për jetën, në të cilat trazohet bota njerëzore, përmes meditimeve të universit lirik. Ajo na ofron vargje të ndjeshme dhe të thella përmes autenticitetit dhe sinqeritetit të shprehjes së emocioneve në një regjistër stilistik të zgjedhur. Për të regjistruar vendin e saj në bashkëkohësi, mund ta bashkojmë atë mes poeteshave të rralla që i japin një pamje të re lirikës së ditëve tona.

Fjala e bukur poetike rumune u gjurmua edhe në këto komunitete bashkëkohore. Në themelet e panteonit të modernitetit poetik rumun, një kontribut meritor dha edhe “babai” i madh që do ta quaja poezi moderne, me në krye poetin e famshëm Mihai Eminesku, i cili u pasua nga një grup poetësh si: Goga, Koshbuk, Tudor Argezi, Lucian Blaga, Nikita Stënesku, Marin Soresku... Në kuptimin femëror, vazhdimisht mbi bazën e këtij moderniteti poetik, në panteonin e letërsisë rumune veçanërisht, militon një brez i ri, me në krye Ana Blandina, Gabriela Melinesku, Florica Bud, Camelia Radulian, Mariana Grigore, Beatrice Silvia Soresku, Angela Kërçel, Kristina Serghiescu, Ioana Bocicu, Simona Mihuțiu e të tjerë. Ky grup poetësh bashkëkohorë rindërton ndërtesën e modernitetit me kodifikime të reja poetike, në kuptimin e risive universale të fjalës së bukur.

Duke lexuar poezitë e Zonjës Simona, konstatojmë se ato kanë diçka hyjnore dhe misterioze në përmbajtjen e tyre. Duke përdorur shprehjen shpirt, autorja e këtyre vargjeve hyn me sukses në botën magjike të fjalëve, duke hapur portat e Parajsës me një “këmishë gazmore”. Dashuria dhe pavdekësia fshihen në tekstet e saj. Ajo është një ëndërrimtare e ndjeshme, sublime dhe e sjellshme. Poezia është stina e pestë në të cilën pranvera përzihet me të gjitha lulet, puthjet dhe ndjenjat. Këtu është një mesazh i pastër për hyjninë! Njerëzit e mirë janë si engjëjt. Çdo ditë e jetës së tyre është një dhuratë nga Zoti. Bota e fëmijërisë është bota e poezisë, bota e shpirtit të hapur. Vargjet kërkojnë shenjtorë dhe martirë që shihen jo vetëm si do relike për t'u adhuruar.

Cila është bukuria hyjnore në poezinë e Zonjës Simona Mihuțiu? Është mjalti i shpirtit, shpirti i fjalëve dhe sharmi i tyre. Viktor Eftimiu, një shkrimtar i famshëm rumun me origjinë shqiptare, ka thënë në Magjinë e fjalëve (1942): „Nuk mund ta dërgosh librin të luftosh i vetëm, siç u dërgua ushtari rumun në vitin 1916. I duhet artileria e madhe e prestigjit kombëtar, mitralozat e reklamës, çimentoja e vazhdimësisë, urat e harkuara që lidhin bregun me breg, njeriun me njeriun, njerëzit me njerëzit.” Simona Mihuțiu errdhi në botë për të sjellë gëzim dhe bukuri. Nëpërmjet bukurisë hyjnore në poezitë e saj, ajo i përfiton zemrat, simpatinë dhe entuziazmin e të gjithë shkrimtarëve dhe adhuruesve. Poezitë e saj përfaqësojnë një ishull paqeje, plot dashuri.Poetja shkruan për shiun e ftohtë, për zemrën që qan në heshtje, për dashurinë që vjen dhe shkon, për një dashuri të përjetshme.

Herë pas here, rima është buzëqeshja e vargut. Nuk duhet t'ua lëmë bukurinë vetëm artistëve, moralin fetar priftërinjve dhe ushtrimin e drejtësisë vetëm juristëve. Jeta kalon dhe fjalët mbeten. Autorja vjen përmes rrugës magjike të frymëzimit. Mirazhi i poezisë i jep jetë dhe fuqi, të drejtë qytetarie, çdo lloj arti. Vargu i Simonës është i thellë, i rrumbullakët dhe i ndritshëm si një kokërr margaritar, me tinguj e jehonë: Jeta është një teatër i shkurtër/ Në të cilin ne jemi aktorë,/ Drama ësht’e vjetër, kaherë,/ Po luhet në shfaqje iluzore.

Cilat janë kodet artistike të poetes Simona Mihuțiu? Koncepti i afirmimit të gjuhës së bukur poetike bëhet fenomen dhe domosdoshmëri shpirtërore, jo vetëm e krijuesve, por edhe e lexuesve anembanë planetit. Kjo domosdoshmëri e ka misterin e saj në nënvetëdijen e sotme, e cila në tërësinë e saj ka shtresëzimin kultivues në gjuhën e shpirtit krijues, që vjen si një jehonë bashkimi. Që nga kohërat e lashta, poeti ka sjellë dhurata hyjnore për njerëzimin në të gjithë botën. Fjala poetike, më shumë se çdo artikulim tjetër komunikues, arriti të deshifrojë ndjenjat njerëzore, në universalitetin e tyre, përmes konotacionit të fjalëve: Unë dua!/ E dua detin;/ Deti e do agimin;/ Agimi është hapi i detit drejt qiellit;/ Krenarisht, qielli e puth agimin/ dhe e vesh në mister;/ Misteri zbret blu nga qielli,/ nga dallgët e buta/ të sjella në zemrën time, kalimtare...

Në këto deshifrime të kodifikuara të shpirtit njerëzor, lirizmi, si harmonizimi më i përsosur i botës shpirtërore, përmes forcës dhe virtuozitetit të nënkuptuar nga fjala poetike, njeh shpërthimet dhe turbulencat shpirtërore, duke shpalosur një universalitet unifikues të mallit, dhimbjes, dashurisë, përmes misticizmave ekzistenciale, duke zbuluar magjinë dhe fuqinë që zotëron fjala dhe tingulli i mesazhit poetik. Kjo lirikë e komunikimit, në thelbin e saj të gjenerimit komunikues, shpaloset në shpirtin e njeriut, pa ndarje gjuhësore, fetare, në mbarë botën, sa më e madhe të jetë në hapësirë, aq më afër harmonive dhe tingujve poetiko-shpirtëror.

Simbioza e lirizmit shumëdimensional nuk është vetëm boshti qendror i poezive të Zonjës Simona Mihuțiu, por edhe meridianët dhe paralelet e planetit të saj poetik. Autorja arrin në një vallëzim paksa transcendental në rrugën magjike të frymëzimit, nëpërmjet risive moderne. Në këto shkallë monolite të poezisë, magjia poetike vjen me digresion si jetë, si brez, si e drejta gjuhësore e metaforës babilonase, për të parë përtej horizonteve të reja. Ky shpirt poetik vjen nga thellësia e detit shpirtëror, shkëlqen si një margaritar, me vezullimin, forcën dhe tingullin që sjell jehona e një guacke, që buron nga thellësia e shpirtit, duke u shumuar me tinguj e jehona të reja nga fundi i detit shpirtëror.

Titulli i poezive, i zgjedhur nga autorja e këtyre vargjeve të frymëzuara, interesante dhe mbresëlënëse, në simbolikën dhe metaforën e tij, është çelësi i tokës poetike që hap dritat e angazhimit dhe vargëzimit poetik, brenda botës shpirtërore të unitetit lirik në horizontet kombëtare. Në poezitë e saj, autorja na paraqitet përmes një vështrimi të filozofisë së jetës nga pikëpamja psikologjike, përmes një digresioni shpirtëror duke shpallur poetikisht mendimet e saj: Ne hyjmë, dalim me rradhë/ Nga skena e ndërlikuar e jetës,/ Mbushim lozhën dhe shohim/ Të njëjtën lojë të riluajtur.

Në disa vargje poetesha arrin të na japë një amalgamë të misterit dhe ambientit të saj. Në të tilla trajtime poetike, jo tema, por subjektiviteti poetik, është shembulli më domethënës, ku Simona i servir shpirtin poetik lexuesit në një pjatë argjendi. Në këto kontekste, në nëntekst, si përkufizime të dialektikës, mohimi, nëpërmjet përballjeve të të kundërtave, nxit zhvillimin shoqëror ku shqetësohet nga tingujt që kalërojnë me katër këmbë mbi zhavorret e panjohura për të nesërmen. Në këto rregullime të modernitetit poetik, autorja hap derën e kodekseve poetike, që hapin dyert e amalgameve poetike: Kërcasin trungjet e bredhit kaq afër,/ Rrrjedh nga trupi lëngu përmes plagës.../ Me një përpjekje të fundit, plaku po lutet/ Të mbeten mjaft dërrasa për ta varrosur.

Në kodikun e parë, struktura stilistike monolitike e ngjit dhe e zbret lexuesin në trillimin poetik, porsi kulla e Babelit, duke i hapur çdo lexuesi horizonte të reja udhëtimesh novatore, nëpërmjet metaforave. Duke ndërthurur vetveten poetike me atë shoqërore, autorja nxjerr në pah aftësinë për ta vënë lexuesin në rolin e protagonistit, duke e bërë atë të ndihet sa metaforik, ashtu edhe real në materien e dukshme dhe të padukshme të universit emocional. Simona e kupton këtë duke çmitizuar mitet dhe legjendat. Kështu, poetja shpall prioritetin e personazheve poetikë duke i barazuar me substanca të reja, si një fenomen i ri socializimi.

Në këto kontekste, produkti poetik në tërësi i ngjan një mozaiku, ku poezitë në veçantinë e tyre janë mikrongjarje, ide, figura, mesazhe, të cilave autorja e transmeton dhuntinë dhe atmosferën e bukurisë poetike. Kjo është një dhuratë që ka një mision: të nxjerrë në pah protonizmin dhe vitalitetin e shpirtit njerëzor: Pylli duket se është gjithnjë e më larg,/ Një shpirti të vjetër, dimri i bën altar,/ Vetëm ish pemët e vajtojnë me hidhërim,/ Duke ia regjistruar përrallën n’pasaporta.

Në kodikun e dytë, nën tingujt e një Paso Dople, çelësi i vetmisë poetike na sjell notat e një lirizmi filozofik dhe sentimental, si paradigmë e një simbioze epiko-lirike, përmes konceptimeve të reja moderne. Brenda kësaj valleje poetike, lexuesi ndjen botën epiko-lirike në kontekste të reja, ku fryma lirike vjen përmes tingujve shpirtërorë të violonçelit të të dashuruarve që ndjejnë bukurinë e jetës. Ndodh kështu pas një stuhie dhe një eklipsi, kur dielli shkëlqen dhe natyra bëhet e gjallë. Pra, në botën shpirtërore të lexuesit, si në një kinematografi, shfaqet ylberi i poezisë, aq i nevojshëm sot në shoqërinë konsumatore. Në kuadrin e mesazhit, në nëntekstet, në fakt duket imagjinata e poetit-krijues dhe lexuesit, një synim i përbashkët: dëshira për të motivuar të gjithë për të zbuluar rrënjët e tyre në botën e brendshme me misticizmin e tyre.

Në këto kodifikime të disa risive moderne, të shprehura poetikisht nga Simona Mihuțiu, ka vargje autentike në përmbajtje dhe universale në kozmopolitizëm. Si në një film estetik, vërejmë në poezitë e saj një fjali që përcakton Luis Brilante: Estetika është e qartë, po aq e drejtpërdrejtë dhe e papërcaktuar, si dashuria, si shija e një fruti, si uji. Poezinë e ndiejmë njësoj siç e ndiejmë afërsinë e gruas apo aromën e maleve apo të thellësive të detit. Simona Mihuțiu nuk është poetja e habisë apo e heshtjes. Ajo është poetja e lumturisë, një engjëll i adhuruar dhe një dhuratë hyjnore me një buzëqeshje kerubike.

Një teatër i shkurtër

Jeta është një teatër i shkurtër

Në të cilin ne jemi aktorë,

Drama ësht’e vjetër, kaherë,

Po luhet në shfaqje iluzore.

Ne hyjmë, dalim me rradhë

Nga skena e ndërlikuar e jetës,

Mbushim lozhën dhe shohim

Të njëjtën lojë të riluajtur.

Drama do të përsëritet,

Edhe pse një perde zbret,

Nesër përsëri do të luhet

Në tjetër dekor, me sallën plot.

Plaku që iku

Plaku dëgjon se si godit një copë

Që tregon ngricën që i hyn në jetë,

Jasht’ësht’stuhi dhe ka akull në sobë,

Në sy i duket pyllin duke u larguar.

Kërcasin trungjet e bredhit kaq afër,

Rrrjedh nga trupi lëngu përmes plagës...

Me një përpjekje të fundit, plaku po lutet

Të mbeten mjaft dërrasa për ta varrosur.

Pylli duket se është gjithnjë e më larg,

Një shpirti të vjetër, dimri i bën altar,

Vetëm ish pemët e vajtojnë me hidhërim,

Duke ia regjistruar përrallën n’pasaporta.

Nga largësitë, ngrica ndikon që të heshtë,

I deportuar n’shpërngulje t’pamëshirshme,

Ata bredha, të prerë nga sopata të liga,

Shohin mes lotëve, një shpirt që largohet.

Intervistë me një çast rrjedhës

-Ndalu pak për një ndërkohë,

nga po vraponi me kaq nxitim?

-Jam vetëm një moment i humbur

të cilin e kam humbur në Kohë.

-Dhe ku mendon se do ta gjesh?

-Në shpërndarjen e jetëve

nuk rri Koha për asnjë Çast,

më vjen keq që po të mashtroj!

-Të propozoj t’qëndrosh me mua

dhe të më bëhsh përjetësia ime!

-Në këmbim, do të marrish gjithçka

nga ajo që do të kisha në vetvete.

Pa kohën që po e ndan,

një moment të shkurtër!

Duke dalë nga sfera juaj

do të zhduket shumë larg...

Piramida e jetës

Dije...

Kur e din se

Vetëm përmes dashurisë

Bëhesh i barabartë me fatin tënd,

Mbi armiqësinë e botës dhe helmin e saj.

Vetëm ajo, dashuria, mund të shpresojë të kalojë në pavdekësi.

Ajo ta hap portën, dhe ti, duke e kaluar, mund të zbulosh misteret

N’majën e piramidës do arrish të mësosh se dashuria ësht’pasuria e madhe.

Dashuri kalimtare

Unë dua!

E dua detin;

Deti e do agimin;

Agimi është hapi i detit drejt qiellit;

Krenarisht, qielli e puth agimin dhe e vesh në mister;

Misteri zbret blu nga qielli, nga dallgët e buta të sjella në zemrën time, kalimtare...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat