Krijime artistike ku fiksohet ndjenja e thellë lirike

Kultura

Krijime artistike ku fiksohet ndjenja e thellë lirike

Nga: Baki Ymeri Më: 20 janar 2024 Në ora: 10:57
Kopertina

Poeti Fetah Sheholli është nga Podujeva. Është poet dhe profesor. Njëzet vjet me rradhë ka ligjëruar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në gjimnaz. Deri në rënien e komunizmit, disa herë ka qenë në Rumani. Në Konstancë ka qenë dy herë në pushime verore. Ndërkaq, tridhjetë vjet jeton dhe vepron në Zvicër. Vargjet e tij shëmbëllejnë me disa margaritarë të bukur ku ndjehen pëshpëritjet e truallit shqiptar. Në gjirin e tyre fshihet kushtrimi për të qëndruar në zemrën e historisë së kombit tonë. Janë vlera të padiskutueshme që gurgullojnë nga thellësia e një shpirti të frymëzuar që ëndërron dhe shkruan tejmatanë kufinjve të atdheut.

Libri i tij është një album poetik ku përfshihen poezitë më të bukura që ka krijuar viteve të fundit. Lirika e tij përbën një botë të pasur emocionale, etike dhe estetike, me një nëntekst të thellë dhe me aluzione të shumta simbolike. Është një krijim artistik në të cilin fiksohet ndjenja e thellë lirike që është ndërtuar mbi evokimet sentimentale të poetit. Poezia e Fetah Shehollit shëmbëllen me një ilaç që din t’i mjekojë gabimet e historisë, dhimbjet dhe plagët e luftës, traumat e ekzistencës. Botën e tij lirike, shpeshherë e karakterizon heshtja si dialog, si parabolë, si shprehje për fenomenin e shqiptuar: „U nisa rrugës së gjatë/ Më thanë Portat e Shekujve:/ Nëse nuk errësoni dritën e Yjeve/ Ky udhëtim s‘ka mbarim. Dhe më tej: Dua ecjen Rrugës-Përjetësi/ Të mundimshme dhe krenare/ Që s‘ka fund dot…/ Dhe është me Kulla plot…”

Në spektrin e frymëzimeve të tij defilon një botë e pasur shpirtërore me frymëzime të thella që e pasurojnë thesarin e lirikës shqiptare të mërgatës sonë: “Udhëve pa krye/ Pa vezullimin e Yjeve/ Do të mbetem përgjithnjë/ Zhurmë e bashkëtingëlloreve.” Kodi i verbit të tij, shpeshherë mbetet i magjepsur, së bashku me shprehjet lirike që dëshmojnë aluzione të shumta sentimentale, enigmatike dhe pragmatike, meditative dhe kuptimore: “Uraganë përfidësh iu vërsulën Lisit/ Për t‘i humbur rrënjët Fisit e Plisit/ Ju, or hyzmetçarë me damkë në ballë/ Edhe ju gjakprishur e me tru shpëlarë/ Sikur të gjitha rrebeshet që solli historia/ Do të mësoni: E përjetshme është veç shqiptaria.”

Poezia e Zt. Fetah Sheholli ndodhet mes dy shqetësimeve që e brrejnë vetëdijen e një artisti që nuk mund të jetë indiferent për atë që ndodh rreth tij: fati i komunitetit që është njëkohësisht një shqetësim i rëndë historik dhe një short vetanak. Për pasojë ligjërimi poetik njeh dy regjistra ku dallohen dy zëra që marrin tonalitete të ndryshme muzikore, varësisht nga gjendja në të cilën ndodhen dhe nga ajo çka duan të sugjerojnë. Prandaj poezia e tij alternohet në këto rrafshe bazë dhe merr nuanca të ndryshme në tekstin poetik. Nga njëra anë kemi një ton të bukur lirik, të mbushur me ngjyra enmigmatike në kohën e një dialogu sentimental dhe ekzistencial, kurse nga ana tjetër kemi një hipostazë të një shpirti të qetë dhe të brishtë që bie në terrenin e një lirizmi të pastër.

Shpeshherë këto dy regjistra përzjehen në një, sepse gjakimet intime të poetit marrin kuptim në një kontekst më të gjërë lirik, historik dhe patriotik: “Duhi e lirisë zgjeronte flatrat/ Kurrë s‘e la në krah maliherin/ Me gisht në këmbëz vriste terrin/ Në Kullën Tënde me frëngji/ Jehon kënga për liri.” Zahir Pajaziti i pavdekshëm, sipas tij: „Zemrën e kishte te Shqipëria/ Kur robërisë ia këpuste kthetrat/ Duhi e lirisë zgjeronte flatrat/ Kurrë s‘e la në krah maliherin/ Me gisht në këmbëz vriste terrin.”

Autori përçmon banalitetin dhe regjistrat e ulët të ligjërimit. Ai e çmon aktin poetik si një proçes të epërm shpirtëror dhe estetik. Poeti di t’i japë trajta serioze trishtimit, sepse ai dëshmon që trishtimi i tij nuk është vanitoz, nuk është një trill poetik a pozë, por një trishtim që të kaplon nga dhimbja fizike e shpirtërore, nga dhimbje reale që shkaktohet në rrethana të ndryshme. E shkruar në vargun modern, poezia instalohet me peshë, edhepse toni mbetet me një sinqeritet të madh. Fetah Sheholli din t’u japë rezonancë dhe kuptime turbulluese gjesteve. Përkufizimet reale dhe imagjinare janë të thithura nga situata dhe ngjarje të diellëzuara.

I sigurtë në vetvete dhe pa komplekse, poeti i grumbullon në kujtesë çastet e përjetuara apo të ëndërruara – çdo gjë - në një shkallë hiperbolike. Zvicra dhe mjekët e saj, sipas tij: “Të sëmurin e bëjnë të fortë shkëmb/ E ngritin përnjëherë në këmbë/ Ja, kjo është Zvicra e vogël/ Me zemër të madhe.../ Bukuroshja e Europës/ Mrekullia e botës...” Në kuadrin e këtij ligjërimi lirik, autori shkruan: “Për ëngjëllushat bukuroshe/ Nënqepallat mbushur mirësi/ E zemra u nxjerr veç dashuri/ Kur flasin e shikojnë me sy...”

Janë impulset që të shpiejnë në thellësitë e brendisë, e gërshetojnë harmoninë ndërmjet idesë dhe temës nën shenjën imperative të estetikës. Poezia e Fetah Shehollit ndërton një raport të veçantë me situatat ekzistenciale, nacionale e universale, me historinë dhe aktualitetin. Vargu i tij është i ashpër, plot tension, por i drejtëpërdrejtë dhe tej mase i kristaltë. Të dish të dashurosh, siç vepron autori në poezi, është sikur ta ngjallësh lotin në shpirtin e gurit, apo sikur ta tërheqësh pas teje glinën nga e cila lartësohesh, duke u bërë pjesëtar i fitoreve të jetës mbi vdekjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat