Vjersha të thurura mbi magjinë e përrallës dhe ëndrrës

Kultura

Vjersha të thurura mbi magjinë e përrallës dhe ëndrrës

Nga: Prof.dr.sc.Faik Shkodra Më: 9 prill 2017 Në ora: 21:39
"Ylli pikturon endrren" Avdush Canaj

Letërsia për fëmijë viteve të fundit përherë e më shumë po pasurohet me vepra zhanresh të ndryshme dhe me krijues prirjesh e aftësish artistike mbi njohjen e botës shpirtoërore dhe ndjenjore, botës psikologjike dhe fantastike të të vegjëlve, të cilëve po u dhurohen vepra me procesin e krijimtarisë artistike, poetët e talentuar e të shquar gjithnjë e më shumë po i dëshmojnë sukseset në fushën e trajtimit të temave, motiveve, dukurive, fenomeneve dhe ngjarjeve që kanë të bëjnë me botën komplekse të fëmijëve, botë të cilën pjesa më e mirë e krijuesve të kësaj dege të letërsisë po arrijnë ta paraqesin me krijime cilësore poetike- krijime që I shquan vërtetësisa e artit të përsosur e të thelluar në kapjen me aftësi e mjeshtëri të jetës dhe kërkesave shpirtërore të fëmijëve.

Vlera të rëndësishme edukative, estetike e stilistike

Nuk është e parëndësishme të themi se jeta e fëmijëve karakterizohet më ngjarje të shumta, të cilat, po u trajtuan bukur e më frymëzim nga shkrimtari,  tek fëmijët do të sjellin gjithnjë e më shumë hare, gëzim, kënaqësi dhe optimizëm, sa për jetën që e jetojnë dhe vlerat e artit që u sjell kënaqësi, aq për misionin e fuqishëm të letërsisë në dhënien e botës së fëmijës, duke bërë ngritjen e tyre ideore dhe duke bërë formimin ideoartistik dhe ideoedukativ të tyre me vlera të mëdha njerëzore dhe dituri të nevojshme mbi jetën dhe problemet e mprehta me të cilat ballafaqohen të vegjlit.

Emër i njohur i letërsisë për fëmijë, veprat e të cilit rrezatojnë vlera të rëndësishme në rrafshin edukativ,arsimor, imagjinativ, estetik e stilistik është padyshim Avdush Canaj. Mirëpo, kohët e fundit nëpër disa gazeta, që botohen si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, kemi mundësi t`i shohim disa emra të vetëshpallur “kinse studiues e njohës të letërsisë për fëmijë”, të cilët, me vlerësimet dhe gjykimet, analizat dhe konstatimet e bëra në formë recensioni, artikulli, vështrimi, eseje, trajtesë e shfaqjeje mendimesh në formë intervistash për zhvillimin e sotëm të kësaj letërsie, janë aq të padijshmë sa lexuesi i mirëfilltë e ka vështirë të mos vjellë nga fukarallëku i mendimeve të tyre të shfaqura mbi letrësisnë për fëmijë.

Artikuj të shkruar pa farë kriteri metodologjik e pa farë profesionalizmi nga disa bashinbozukë pata rastin të lexoja në gazetën javore letrare e kulturore”Nacional” rreth letërsisë për fëmijë. Nga autorët që i lexova, hiq Xhahid Bushatin dhe Astrit Bishqemin, që vërtetë janë njophës e studiues të dëshmuar të letërsisë për fëmijë, disa të tjerë të vetëshpallur studiues as që meritojnë t`ua lexosh shkrimet, sepse nuk kanë kurrfarë niveli shkencor. Duke u munguar aftësitë e përgatitja më elementare nga fusha e letërsisë për fëmijë, ata nuk arrijnë që veprës t`i bëjnë vlerësim në asnjë aspekt, por ia fusin pa lidhje në stilin le të dalë ku të dalë. Është për të ardhur keq që të tillët, që për shkak të shpirtngushtësisë, xhelozisë, egoizmit dhe privitivizmit provincial, kur nisin t`i zënë në gojë krijuesit që letërsisë për fëmijë i kanë dhuruar vepra të nivelit të lartë, si për inat, nuk i përmendin disa poetë, siç janë: Avdush Canaj, Ramadan Mehmeti, Xhemë Karadaku, Sylejman Salihu, Hysen Këçiku e ndonjë tjetër, që tani nuk po më kujtohen- krijues këta që me veprat e deritashme e kanë nderuar letërsinë tonë për fëmijë. Për varfërinë e sferës së mendimeve shkencore, prej së cilës pasojnë anarkitë e kritereve që kanë të bëjnë me mendimet kritike, teorike, estetike, pedagogjike, psikologjike, letrare e gjuhësore, të studiuesve të papërgatitur e snobistë, vlerësimin më të qëndrueshëm e më të drejtë e ka dhënë kritiku, historian, krijuesi dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Rexhep Qosja, kur thotë: “ Një dukuri e këtillë jovetëm që nuk është e çuditshme- por është fare e kuptueshme: krijuesi i vërtetë, me prirje të madhe, me kërshëri të gjithanshme, me kulturë letrare, me dituri të sistemuara kritike, teorike, estetike, filozofike, me vullnet dhe durim, është vetvetiu i përgatitur të flasë jo vetëm bindshmë e bukur, por edhe në mënyrë të re e origjinale mbi letërsinë, të cilën në saje të përvojës mbi procesin krijues dhe të përvojes jetësore, e kupton më mirë se ndonjëherë se shumica e atyre që ua kushtojnë gjithnjë jetën përsiatjatjeve mbi artin”.

Është e vërtetë se lexuesit tanë të vegjël, si: fatosat, pionierët dhe nxënësit e ciklit të ulët, janë bërë lexues të pasionuar dhe shumë të rregullt të poezive e të tregimeve të Avdush Canajt. Ky përmes veprave artistike ka arritur të pasqyrojë në shumë aspekte botën shpirtërore e ndjenjore, mendore e imagjanitave të fëmijëve, duke i pajisur ata me dije, njohuri dhe ndjenja të atdhedashurisë, të çiltërsisë shpirtërore, zemërgjerësisë, traditave më të mira të popullit, mikpritjes,bujarisë, dashurisë, mësimit, natyrës, së vërtetës, lirisë, dashurisë ndaj prindërve e të gjyshërve, mësuesit, shkronjave shqipe, historisë së popullit dhe respektit të përhhershëm të njeriut. Të gjitha këto mesazhe dhe vlera, me të cilat mishërohen veprat e Avdushit, te fëmijët sjellin kënaqësi dhe këto kënaqësi përkojnë me botën e të vegjëlve pikërisht në faktin se Avdushi, duke qenë i përkushtuar me punë krijuese, ka arritur të bëjë pasqyrimin e realitetit jetësor e shoqëror të fëmijëve, saqë veprat e tij vijnë me vlera të larta, sa kulturore e kombëtare, aq edhe me vlera didaktike e fantastike për fëmijë.

Avdush Canaj, me vëllimin poetik “ Ylli pikturon ëndrrën”, boptim i Shtëpisë Botuese “Rozafa”, Prishtinë, 2015, me redaktor Sali Bashota, ka dëshmuar prirjen dhe zotësinë në trajtimin e temave e motiveve të rëndësishme për fëmijë dhe botën e tyre. Vetë subjekti i poezive të vëllimit flet jovetëm për rinovimin e aftësive të poetit prej vëllimit në vëllim, por edhe për përkushtimin e kujdesin e treguar për shprehjen koncize me të cilën e bënë konceptimin maksimal të mendimeve e ngjarjeve në kapjen e aspekteve të veçnta të jetës, që janë në të menduarit dhe imagjinatën e fëmijëve. Pikërisht kjo mënyrë e trajtimit të reales me me fanatastikën u siguron poezive brendi dhe ngjyrë posmoderniste- gjë që dëshmon përtëritjen dhe seriozitetin e vazhdueshëm të autorit për t`u falë fëmijëve krijime artistike me përmbajtje të rëndësishme ideoeduaktive dhe ideoarsimore. Duke pasur parasysh këto përpjekje të Avdushit, i cili në çdo vëllim të ri sjell tema e motive po ashtu të reja e të trajtuara me art të goditur, kuptojmë faktin se, duke qenë përherë në kërkim të temave të patrajtuara, por të kërkuara nga fëmijët, ka arritur që të shtojë lexuesit e librave të tij. Poezitë i përshkon një laramani tematikash.

Shplasoje e ndjenjave të ngrohta  e të çiltëra ndaj fëmijëve

 Vëllimi “ Ylli pikturon ëndrrën” është strukturuar në këto cikle: Treni ëndrrave, Në kalë të reve, Diçka  prej mjalti, Zemra vizatojnë me cicërima, Drurët e trishtuar, Tëp resin edhe lulet, Kur të gjej babi punë, Vera me violinë dhe Nëpër xhepa t`poezive, me gjithsejtë 89 poezi. Vëllimi hapet me poezinë “Në krahë zogjsh”, vargjet e së cilës i vënë fëmijët në dijeni se poezia është pjesë e jetës dhe aktivitetit , se vargjet vijnë nga jeta në mënyrë spontane, të freskëta, se vargjet i përtërijnë poetit jetën dhe ditët fëmijëve ua bëjnë më të këndshme, se vargjet, me frymën që kanë, janë të mrekullueshme, janë magjike dhe si të tilla i bëjnë fëmijët të lumtur dhe krijuesin po ashtu të lumtur.

 Poezia e ciklit “ Treni i ëndrrave ” shpalosin ndjenjat e ngrohta e të çiltra të poetit ndaj fëmijëve.Duke shkruar për sakrificat, respektin, këshillat dhe dashurinë që nëna, babai, gjyshja, gjyshi mbajnë për fëmijët, për nipat e mbesat, poeti sikur hyn thellë në universin e fëmijëve, në të cilin vërtitën ata. Kjo mënyrë e të kuptuarit të rolit të poezisë e bën Avdushin jovetëm ëndrrimtar të realitetit, por një poet të meditimeve për jetën dhe dëshirat e fëmijëve, të cilët dëshiron t`i shohë përherë veprimtarë të gjallë, të aftë e të pajisur me dituri.

 Tipar kryesor i poezive të këtij cikli është lirizmi i kulluar, konkretësia e gjallë, figuracioni stilistik sa i pasur aq i vetvetishëm e shprehës, me të cilat poezitë dhe përsonazhet bëhen emra të nderuar, të çmuar dhe të respektuar deri në pakufi. Poezitë, në përgjithësi, paraqesin imazhe që ndizen e marrin jetë nga ëndrrat, lojërat,buzëqeshjet, interesimet dhe shpirti i fëmijëve, ndaj më të drejtë thuhet se “ Bota më e bukur e fëmijëve është motivi me i bukur i këngës”.

 Poezia e mirë, e pëlqyeshme dhe me mesazhe të qarta e të rëndësishme, nuk vjen vetëm në saje të talentit, por edhe të frymëzimit, e kur talenti e frymëzimi funksionojnë si binom, atëherë poezitë ngrihen në nivel të vlerave ideoestetike dhe ideoedukative. Themi kështu për faktin se në të përfshihen shumë përbërës që e fuqizojnë lidhjen e jetës së fëmijëve më ngjarjet që manisfestohen rreth tij dhe realitetit shoqëror, në përgjithësi. Të përzgjedhurit dhe të përthithurit e aspekteve më vlerë didaktike, brenda të cilave bëhet komunikimi i shumanshem me fëmijët, kuptohet mbi zhvillimet tekniko-shkencore, Canaj e ka bërë në nivel të duhur. Përmes shprehjeve modern poetike, me të cilat edhe e bënë pasqyrimin e atmosferës së re shpirtërore, që krijon shkenca dhe kultura bashkëkohore në botën shpirtërore dhe imagjinative të fëmijës, ato marrin kuptime didaktike. Në poezitë e vëllimit “ Ylli pikturon ëndrrën”, në mënyrë më të natyrshme janë shkrirë fëmija në të menduarit e tij për jetën dhe zhvillimet më të reja që sjellë koha. Pra, bota e fëmijëve brenda poezive është shkrirë në mënyrën më të natyrshme, duke u rrokur në trajtim motivet më të përtatshme. Poeti e ka përmbushur misionin e artistit dhe me vargje të ngrohta ndikon drejtpërdrejtë në edukimin e fëmijëve dhe në edukimin e drejtë e të shëndoshë të tyre.

 Titulli i vëllimit është paksa magjik, në të cilin çuditërisht manisfestohet universi ku vepron magjia e përrallës, prej nga burojnë vlerat e saj, sepse ” realiteti përrallor gjithnjë ka mjë synim, një pikënisje, një ngacmimim real jetësor, objektiv”. Avdushi botën e përrallës sikur e rikthen në ligje magjike dhe brenda saj e ripërtërin fantazinë, të cilën e kthen në ngjarje reale, që në fakt e përligj me yllin, çokollatën, përvojen e gjyshes Netë, ëndrrën e cila ofron mundësi të zgjidhjeve të halleve, problemeve e dashurive të fëmijëve me synim të triumfit të së mirës, të së bukurës, të së madhërishmës, të së vërtetës, të së drejtës, sepse shpirti dhe mendja e njeriut, pra edhe e fëmijës, mbi të gjitha, pritet nga etja për t`i plotësuar ëndrrat që qojnë drejt vyrtyteve dhe aspiratave më të larta dhe ngritjes së vlerave më të mira të karakterit e të ndjenjës njerësore në përgjithësi.

  Përmes poezive:  Të mëdhenj, Unazë e hënës, Ku i lanë rrobat peshku,?, Një mollë për një puthje, Porosi gjumit, S`di pse më trishton, Në zemër të aortës, Mrekullia, Livadhet e ëndrrës, poeti arrinë të krijojë komunikim të këndshëm me fëmijët. Një ligjërim i lehtë vjen nga fakti se Avdushi në vargje ndërfut rrëfim të lehtë që ka të bëj me biseda të jetës e të botës që janë në natyrën dhe në imagjinatën e të voglit.Pra, vargjet paraqesin interesimet e fëmijëve për çdo gjë që zhvillohet në rrethin veprojnë e jetojnë. Me një stil të lehtë, vargjet sjellin komunikim sa të thjeshtë aq edhe tërheqës për fëmijët.

  Në këto poezi spikatë të menduarit e gjallë të fëmijëve, që shoqërohet me fantazinë e pasur, fantazi që Canaj ka ditur ta mishërojë në subjektet e poezive, brenda të cilave shpërfaq dëshirat e dashurinë e çiltër e të shëndetshme të fëmijëve për të kapur këmishën e peshkut, rolin e celularit dhe porosinë e gjumit, bisedat e këdshme të nënës e të babait me fëmijët. Nuk mungojnë vargje në të cilat loja imagjinative, që është në botën e të voglit, lidhet me të menduarit e fëmijës, i cili fatin e miut e paraqet përherë të rrezikuar nga maçoku dhe nga rreziku që do t`i vijë, dhe porositë:

Rri më mirë në birucë,

Se mbetës pa kepucë!

Magjia e vërtetë e poezisë, më rrënjet në shpirtin e fëmijëve e të poetit

Cikli “Në kalë të verës” ngërthejnë në vete poezi me vlera të shumëfishta edukative e arsimore. Në këto poezi Avdushi u ofron fëmijëve ngjarje e motive interesante, ne subjektet e të cilave manifestohet bota e ndjeshme e fëmijëve, të cilët janë kurreshtarë të dinë shumëçka nga mjedisi dhe pikërisht këtë kurreshtje të tyre Avdushi, përmes vargjeve, e bën lëndë interesante të trajtimit. Me mjeshtëi të shquar në vargjet flet për solidaritetin që duhet të bëhet kulturë dhe vlerë e fëmijëve, kultivon shprehi të punës :” ujiti lulet në këtë mëngjes”, kutlivon dashurinë, respektin dhe ndjenjat e kënaqësisë për nënën e babanë ( Babi dhe mami) të cilët në shpirtrat e fëmijëve ylberojnë dashuri, zhvillon fantazinë krejt sin ë përralla dhe përmes metaforës i mëson fëmijët që ndaj fjalës të jenë korrektë dhe asnjëherë të mos e shkelin.

Në disa poezi mesazhet jepen përmes frazeologjive,si: “ Qarri s`bën dardha”, “ Kos nuk bëhet deti” etj. Edhe në vjershat : ” Në kitarë e ka shtëpinë, Dredhëzat nga Golemi dhe A puthën valët? Avdushi bëhet pjesë e botës fëmijërore. Përshkrimet e mjediseve, ëndrrat, ndjesitë, fantazia, ndjenjat dhe mendimet e fëmijëve, janë dhënë bukur e me art të përsosur letrar. Zogu në fluturim bashkë me babanë me notat muzikore më të hareshme, ndërsa Golemi nga Durrësi i thërret në det dhe me vete i porositë: duhet të marrin miq, lajthi, rrush e fiq. Brenda detit Dielli puthet me lulekuqet, e Gjyshi në lojën e fëmijëve kërkon si Zogu i fantazisë t`u puthë pakëz sytë! Vargjet janë ndërtuar si këngëzim mbi bazën e këngëve e lojëra të fëmijëve.Por poeti sjell vlera të reja artistike, didaktike duke u dhënë vjershave trajtë të gjerë e të thellë mendimesh e vizionesh në përputhje me botën e përrallave, që konsiderohen si djep i fantazisë së fëmijës, fantazi që ngacmon mendjen dhe pasuron shpirtin e fëmijës.

Poezitë e ciklit “ Diçka prej mjalti,” vijnë të freskta dhe trajtimin e motiveve poeti e bënë me një përkujdesje të madhe. Çdo varg shënon vlerat e artit kombëtar. Poeti me vemendje i shpalosë preokupimet dhe shestimet e fëmijëve, të cilët i fton të pushojnë në vargun e poezive, sepse aty do të gjejnë dashurinë e madhe sa të planetit. Duke e kuptuar në thellësi botën e vegjëlve, Avdushi në disa vjersha arrinë të krijoj magjinë e vërtetë të pozisë, që rrënjët  ka në shpirtin e fëmnijëve e të poetit. Me mjeshtërinë e të shkruarit të poezive, frymëzimin, mendjen dhe dorën e krijuesit, që, përmes vargjeve shpalos dashurinë e madhe të fëmijëve për çdo gjë të bukur që, lidhet me idenë e bukurisë, që transmeton poezia me fisnikërinë e ndjenjës e të mendimit, poeti përligj kur shkruan vargjet mbi yjet që i falin poezitë. Vargjet mbi pranverën, e cila bëhet zog, violinë, lejlek, dallëndyshe, fëmijëve u falin kënaqësi të shumta më çantat plot këngë. Në këto poezi është ëndrra, loja, dashuria,  kënga dhe tërë bota psikologjike e imagjinative  e fëmijëve.

E ku më mirë se në poëzitë e këtij vëllimi poetik lexuesi mund të ndjejë e të përjetojë më këndshëm botën e fëmijëve. Poezitë Kur vjen nërvoza, Në stacionin e përqafimeve, Puqi-puqi në celular, Enciklopedia princërore, Do të mbjell buzëqeshje,  Diçka prej mjalti, përshkohen me frymë të thellë edukative e didaktike. Veçori e këtyre poezive mbetët trajtimi i dëshirave të fëmijëve dhe, siç thotë Avdushi, në përqafimin e prindërve- dashurtia e tyre sikur i mbush bateritë. Poeti i këshillon fëmijët të jenë të matur e të kujdesshëm kur flasin dhe si pedagog i porositë “ Gojës t`i vënë kapak” dhe “Babës t`i mbajnë fjalën se nuk do bëhen spiunë”, të cilin fakt e dëshmojnë vargjet:

Motrën e kam  motër,

s`e tradhëtoj për një lodër,

ti vetë më ke thënë babush,

spiunët s`i do askush.

(Puqi-puqi në celular)

Poezitë siç mund të shihet, mbartin një varg ngjyrash dhe poeti nuk përdorë fjalë të mëdha që të fluturojnë lartësive si balonat e fryrë, por gjithkund me fjalë të thjeshta e të kuptueshme poezive u siguron rëndësinë dhe rolin ideoedukativ duke u falur fëmijëve dije , kulturë dhe edukatë të nevojshme.

 Vargje të shndëruaruara në orë të historisë se djeshme, në funksion të së tashmes

Në ciklin Zemrat vizatojnë me cicërima, Drurët e trishtuar, Të presin edhe lulet, Kur të gjej babi punë, Vera me violinë dhe Nëpër xhepa të poezive, Avdush Canaj ka përfshirë poezi me tematikë të gjerë dhe interesante, duke dëshmuar jovetëm mjeshtërinë në trajtimin e temave, por edhe në subjektet e poezive sjell elemente të freskëta, duke kultivuar tek fëmijët ndjenjen e dashurisë për nënën, e cila, kur i përkëdhel, bëhet diell, shprehi për mësimin e matematikës, ua bën të afërta lojërat dhe lodrat me të cilat rritet dashuria dhe shtohen puthjet midis nënës dhe fënijës. Me vargjet e tilla  tek fëmijët mbjell, si të themi, farën e dashurisë për zogjtë, pëllumbat, gjyshin, filmat vizatimorë, motrat, hënën, për poezinë që zemrës së poetit i dhuron vargje ngrohta si në përmbajtje ashtu edhe në formë.

  Të shpeshta janë poezitë kushtuar nënës, të cilën Avdushi e këndon me shumanëshmëri, ngase dashuria e ndaj fëmijëve është pakufizuar. Temën e dashurisë për Shqipërinë, të cilën poeti e quan nënë të lirisë, të flamurit, të flamurit, dëbimin e Serbisë nga Kosova, që në vargjet përsonifikohet me ujkun që luftëtrat e UÇK-së e vrasin, për të buzëqeshur Dielli mbi Kosovën legjendare.Diku tjetër, poeti Serbinë e quan korb i zi, me flokë mesjete, e cila me veprime barbare vrau fëmijë e gra, pleq e plaka, për të vazhduar  me vargje mbi lartësinë e gjuhës shqipe dhe emrat e mëdhenj të kësaj gjuhe, si Buzukun, Bogdanin etj. Të gjitha këto tema e motive poeti i ngre deri në lartësinë e kultit, duke shndërruar vargjet në orë të historisë së dhjeshme e në funksion të së tashmës. Poezitë e cikleve të sipërthëna i shquajnë vargjet me ide e kuptime të dendura mbi botën e fëmijëve, botë që në vete bartë halle e problem të ndryshme, që në vargje janë trajtuar natyrshëm. Vetë përmbajtja e tyre na kujton konstatimin se “ Për artin duhet shkruar me art.”

  Në vëllim poeti ka trajtuar tema sociale, ka prekur motivin e kurbetit dhe të mërgimit. Përmbajtje të dhimbshme kanë vargjet e ciklit: “ Kur të gjej babi punë” në të cilat paraqitet varfëria që lidhet me mungesën e artikujve më të domosdoshëm për jetën e fëmijës,si: buka, qumështi dhe veshmbathjet. Cikli I këtyre poezive përkon bukur shumë me përmbajtjen e vargjeve të Migjenit. Duke kënduar për vuajtjet dhe skamjen që ka goditur fëmijët, Avdushi përveç përshkrimeve të hollësishme që i bënë jetës reale dhe dëshirave të fëmijëve për ta jetuar jetën pa kontradita,ai njëkohësisht shprehë revoltën ndaj realitetit të vrazhdë. Pikëpamjet e tij koincidojnë me ato të Migjenit, për të cilin Razi Brahi shprehët: “ Migjeni i donte shumë fëmijët. Fati e solli që të bëhej mësues ( si Avdushi, F.SH.) e t`njihet më mirë.Mësues katundi. Fëmijët që mësonte ishin pothuaj të gjithë të varfër, shokë të Lulit të vocërr, shokë të Zenelit. Duke i njohur ata, Migjeni njohu më mirë mjerimin. Dhe, mbasi I dontë ata, deshi më mirë edhe mjerimin e tyre. Misionar në poezi, Migjeni që misionar edhe në jetë”.

Vërtet, me nota të prekshme, Avdushi ka trajtuar në thellësi varfërinë e fëmijëve, të cilin fakt e dëshmojnë vargjet:

Nëna thyen gishtrinjtë,

zemra flakë i qet,

në vend të qumështit, shishen,

ia mbush me sherbet!

 Vragjet i karakterizon qartësia e madhe, edhe pse shumë herë përshkohet me simbole, ironi, përsonifikime dhe metafora. Avdushi me art të spikatur u bashkohët fëmijëve, prindërit e të cilëve janë të papunë dhe papunësia sjell varfëri e drama shpirtërore te prindërit, siç ngjet me nënën e fëmijës. Te cikli “ Kur të gjej babi punë”, autori ka rrokur në pasqyrim temen e mjerimit me objektivitet. Poezitë i karakterizon arti  i poetit dhe forca e mendimeve, e shprehur në trajtë të një sinteze të veçantë artistike.

  Ciklet “ Vera me violinë dhe Nëpër xhepa të poezive,” janë të veçanta për faktin se japin portretët e poetëve, poezia e të cilëve shquhet për vlerat e larta artistike dhe meditative. Duke shkruar për Poradecin, Avdushi me vargje të ndjeshme që burimin e kanë nga thellësia e shpirtit dhe forca mahnitëse e poezisë se Lasgushit, arrin të jap portretin intelektual dhe fuqinë krijuese të poetit të rrallë, Lasgushit, i cili poezinë e cilësonte komunikim njerëzor. Vargjte kushtuar Lasgushit, mbi të gjitha, janë biografi e derdhur në vargjet më të bukura, mbredia e të cilave ta kujton artistin dhe lirikun e thellë, i cili i shërbeu poezisë me gjithë shpirtin e tij. Vlerat e shumta, që rrezaton përsonaliteti i Lasgushit dhe mallin e pashuar që pati për Kosovën, në mënyrën më të mirë i shpërfaqin mendimet e Françesko de Santis, thënë për karakterin e Dantes e që shumëçka i përgjigjet Lasgushit të madh, që këto mendime vijnë , si thotë Petraq Kolevica, si ngushëllime për vdekjen e tij, se: “ Këtyre qenieve vetmitare u ikën e tashmja, por e ardhmja është e tyre!”

  Në vargjet kushtuar Migjenit, Avdush Canaj sjell mendime që flasin për gjuhën e fytyrëzuar, sipas së cilës do tumirur konstatimi i dhënë nga Razi Brahimi se “ poeti i rrethuar nga mjerimi dhe nga nata pa dritë, dashuria për njerëzit dhe për jetën, besimi i madh në triumfin e idealeve të larta dhe dashuria për të kënduar për gëzimet e kësaj bote.” Në shenj revolte do të reagoj Migjeni rreth disa vlerësimeve paushalle te disa studiuesve që, siç shkruan Avdushi “ Tubërkulozi nuk më vrau, ashtu si thanë… Ah, tullumbat e Lulit/ Lulit të vocërr, më vranë, më vranë!”

 Vargjet “ Do ta kuptosh një ditë” të përfhshira në ciklin e fundit të vëllimit, vijnë si testament lënë djalit, të cilit i thotë: S`po të lë pasuri / si dikush edhe nipër të tij/ e lere më fëmijëve, por pasuria që do të trashëgosh nga babi janë poezitë, vlerat e të cilave janë si xhevahire. Poeti në këto vargje krijon komunikim të lehtë me të birin, dukue njoftuar se se në çdo varg rrah zedmra ime me buzëqeshjen e secilit fëmijë. Vargjet e tilla flasin mbi raportin përsonal të poetit me botën e fëmijëve, me fatin e të ardhmën e tyre. Vargjet mbeten testament i gjallë, ku poeti porositë që dashurinë, kujdesin interesimin dhe kontributin ndaj fëmijëve ta bëjnë vlerë të sjelljeve dhe të veprimeve tona.

  Në vend të përfundimit

Gjatë nalizës së vëllimit poetik “ Ylli pikturon ëndrrën” të Avadush Canajt, konstatojmë se Canaj është poet që shkruan thjesht dhe qartë. Poezia e tij në aspektin tipologjik është disallojëshe. Në këtë llojllojshmëri bëjnë pjesë poezitë e thurura si përkushtime, si peisazhe, poezi të ndërthura me dialogë e monologë midis përsonazheve, disa vijnë në formë të pyetjes, disa në formë lodrash, disa në formë meditimi, e disa në formë portretesh mbi disa poetë të njohur ( Lasgushi, Migjeni, Gani Xhafolli).

Përmbajtjet e poezive dëshmojnë se Canaj është poet me aftësi të thella njohëse të botës së fëmijëve dhe se poezia e tij ka fuqi treguese. Duke qenë me dhunti të larta shprehëse, atë e pëlqejnë fëmijët e të gjitha moshave. Vëllimi është i pasur me motive nga jeta e fëmijëve, motive që janë në botën psikologjike e imagjinative të tyre. Gjithandej poezive mishërohet një lirizëm i kulluar, vërtetësia e të rrokutit të ngjarjeve, një figuraciuon i pasur stilistik dhe lemente të bollshme të shfrytëzuara nga krijimtaria e pasur gojore.

Të gjhitha  këto vlera edukative, arsimore, estetike e gjuhësore vëllillimit poetik i sigurojnë vlera të shumëfishta nga të gjitha aspktete. Vëllimi është sghkruar me gjuhë të pasur, së cilës Avdushi i kushton kujdes, duke përzgjedhur çdo fjalë e çdo shprehje. Perkushtimi në përdorimin e fjalës së duhur në vendin e duhur, sikur të bën t`i kujtosh porositë e Agollit të shkruara në poezinë “ Kujdes me fjalën”, kur thotë:

Kur fjala nxirret nga buzët jashtë

Si dallëndyshja s`vjen në shtëpi

Kujdes më fjalën zonjëz me çantë,

Kujdes me fjalën edhe ti zotëri!

Në kulturën e gjerë gjuhësore, poeti ka arritur që vëllimin ta bëj interesant edhe të ta kapshëm për fëmijët, sepse “ Të gjitha fjalët e përdorura kanë një vlerë të osaçme dhe lojë fjalori, zbulon magjinë e vargut, është shtysë dhe nxitje për t`iu future në fshehtësinë e gjuhës së fëmijëve. Përmirëson të folur dhe aftësitë e tyre shprehëse, ku,  duke u argëtuar, mësojnë dhe, duke mësuar, argëtohen”, ( Laureta Petoshati, Një zë i fuqishëm në botën e fëmijëve, Gazeta “ Ndryshe”, Tiranë, e diel, 8 korrik 2007 ).

Në fund autorit i urojmë suksese të reja në botimin e veprave për fëmijë me të cilat do të na japë, me magjinë e artit poetik, botën shpirtërore e ndjenjore të fëmijëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat