Xheladin Murati, personalitet emblematik i pedagogjisë shqiptare

Kultura

Xheladin Murati, personalitet emblematik i pedagogjisë shqiptare

Nga: Zejnulla Salihi Më: 25 prill 2017 Në ora: 11:29
Xheladin Murati, personalitet emblematik i pedagogjisë shqiptare

Të flitet për veprimtarinë e profesor Xheladin Muratit, para së gjithash, duhet të kemi parasysh periudhën dyzetvjeçare të arsimit tonë, ku ai është  involvuar në rrjedhat zhvillimore të tij. Xheladin Murati si mësues, profesor, drejtor, këshilltar pedagogjik, profesor universitar, deputet i përjetoi dhe kontribuoi në të gjitha ndryshimet dhe reformat e sistemit arsimor në shoqërinë tonë demokratike. Përvojën e tij të mësimdhënies në shkollën e mesme ai e afirmoi dhe avancoi në universitet dhe në praktikën shkollore. Ai kishte vullnet të pathyeshëm dhe është i papërkulur përpara punës, energjik dhe i vendosur. Është i diplomuar në Pedagogji (Shkup), i magjistruar po ashtu në Pedagogji (Beograd) dhe  me Doktoranturë  në Pedagogji (Prishtinë).

Profesori  i pedagogjisë,  dr.Xheladin Murati, është njëri nga plejada e pedagogëve  të parë ndër shqiptarët e Maqedonisë, veprat e të cilit sot gjinden nëpër bibliotekat shkollore  dhe ato  universitare. Ai në sajë të studimeve sistematike në fushën e pedagogjisë ka njohuri të gjera, të detajuara për zhvillimet në pedagogji si ato historike ashtu edhe ato bashkëkohore.

Dr. Xheladin Murati, të cilin nxënësit, studentët, lexuesit dhe opinioni i gjerë e njohin si profesor universitar, si politikan dhe autor librash e punimesh shkencore, kontribuoi vite me radhe në arsim dhe përparimin e artikulimin e tij, por në esencë veprimtaria e tij ka një kuptim shumaspektial, pasi që punimet e tij janë strategji, sugjerime, rekomandime, analiza, kerkesa e të ngjashme dhe ato i mbështet në argumente, analiza  dhe në fakte.  Personaliteti i tij si pedagog reflektohet qartë në përpjekjet maksimale për bashkëkohësim  të jetës e të arsimit, të shkollës,  të teorisë e praktikës pedagogjike.

Leximi  i çdo vepre të këtij mjeshtri të pedagogjisë zgjonë kërshërinë intelektuale dhe të ofron informacione të shumta për punën pedagogjike, për shkollën, mësimdhënien, historinë e shkollës, teoritë e edukimt, komunikimin e të ngjashme. Në të gjitha veprat dhe trajtesat  e tij mund të gjesh tematika nga  edukata shqiptare. Nga të gjitha veprat e botuara që në numër janë mbi 30, veprat  që  e ngritën ate në  lartësinë e pedagogut të madh janë  “Pedagogjia e përgjithshme”, “Didaktika – Metodologjia e mësimdhënies”, “Teknologjia mësimore”, “Metodologjia e kërkimit pedagogjik”, “Pikëpamjet edukative –arsimore të Naim Frashërit dhe kontributi i tij në historinë e pedagogjisë kombëtare”, “Shkolla fillore - zhvillimi dhe problemet”, “Pedagogjia e kohës së lire”, “Pedagogjia shkollore”,  “Pedagogjia familjare dhe problemet e saj”, “Komunikologjia pedagogjike”, “Ndryshimi i arsimtarit dhe ndryshimet në shkollë”, “Hyrje në teoritë e edukimit” etj.

Në librin e tij me karakter monografik  me titull “Profesor, politikan dhe studiues i pedagogjisë” (2009, f. 270), autori dhe publicisti  Ismet Jonuzi-Krosi paraqet një skemë të gjerë të veprimtarisë dhe koncepteve shoqërore-pedagogjike të tij. Ai ofron qasje për studime më të thelluara.

Profesor Xheladin Murati në veprimtarinë e tij pedagogjike dhe në rrjedhën profesionale e jetësore është gjetur në situate të pafavorshme, i sulmuar dhe nëpërkëmbur nga politika komuniste (1981) i shkarkuar nga posti i drejtorit të Entit Pedagogjik, i larguar nga puna si këshilltar i pavarur pedagogjik në Ent dhe i ndaluar të botoj punime profesionale në shtypin në gjuhën shqipe dhe maqedonishte  në Maqedoni. Megjithatë ai ishte i vendosur, këmbëngulës dhe vazhdoi me punime pedagogjike jashta shtetit, madje edhe në gjuhë serbokroate.

Këmbëngulja dhe ambicia e shendoshë janë karakteristikat që e spikasin personalitetin e tij. Eshtë i gatshëm për ndryshime por do të mbetet origjinal, ndryshe nga te tjerët. “Në kohën e sotme, thotë ai,- leht lakosh nga rruga e vertetë që mos kthehesh kurrë prapa”. Falë këtyre cilësive ai arriti rezultate të mirëfillta profesionale e shkencore.

Me veprat e tij njihet si një nga përfaqësuesit e pedagogjisë bashkëkohore me një stil të veçantë të trajtimit të problemeve pedagogjike. Ka trajtuar shumë tema që fokusojnë problemet teorike nga pedagogjia dhe tema nga historia e pedagogjisë. Ka shkëlqyer në  trajtimin e temave nga  didaktika e metodika, komunikologjia pedagogjike si dhe nga  metodologjia e kërkimit. Në qarqet shkencore  ai sot konsiderohet si  një pedagog i madh me shumësi punimesh e librash, madje ai e meriton titullin mësues i mësuesve, meq është mësues   i një liste të gjatë të mësuesve, nxënësish e studentësh, të cilët sot janë emra të njohur në kulturë, në arsim, në shkencë, në politikë e të ngjashme.

Veprat e prof. Xheladin Muratit kanë një  vlerësim të lart, ato janë orijentuese nga   nga të cilat studentët dhe mësuesit  mësojnë dhe hulumtojnë. Një karakteristikë e veprave të tij është se trajtimi i problemeve bëhet me një  gjuhë shkencore, me stil të veçantë të trajtimit dhe kudo të pranishme janë edukata, arsimi, mësuesi, shkolla. Nëse ka diçka që është specifike në librat dhe punimet e tij  dhe që mund të veçohet ndoshta është ajo sesi ai i respekton nxënësit dhe mësuesit si individualitete dhe që reflekton në të gjitha qasjet e tij pedagogjike. Në planin më të përgjithshëm, shkolla dhe mësuesi, sipas tij, formojnë një pamje të rendësishme të shoqërisë. Rolin dhe funksionin e shkollës e të arsimtarit e trajton me përkushtim, mbase  sipas tij ato realizojnë funksione qenësore në mbarë shoqërinë dhe shkolla si institucion kontribuon në  jetën politike, kulturore, fetare, arsimore e të ngjashme.

Profesor Murati arriti të plotësoj mangësitë e literaturës pedagogjike dhe didaktike nëpër shkolla dhe për nevojat e mësuesve.

Në veprimtarinë e tij krijuese punoi pa reklamë, pa zhurmë dhe pa taktizime, por megjithatë arriti në lartësitë e profesionit dhe të shkencës. Për këtë ka më shumë arsye. Arsyeja e pare ka të bëjë sigurisht me cilësitë e tij të spikatura si profesionist në fushën e pedagogjisë e të arsimit, si politikan i urtë dhe me integritet, si njeri i shkencës. Ai është një nga ndërtuesit e politikave arsimore.

Duke qenë se krijimtaria pedagogjike e tij është e lidhur dhe lidhet me edukatën, arsimin, mësimin, shkollën, arsimtarin, metodikën, didaktikën e të ngjashme, ai në mënyrë konkrete kontribuoi në përparimin dhe afirmimin e veprimtarisë praktike pedagogjike dhe eksperiencat pozitive.

 Me plot arsye mund të themi  se profesor Xheladin Murati është një ndër krijuesit tanë më produktiv pedagogjik. Eshtë autor i mëse  30 veprave nga fusha e pedagogjisë, qindra punimeve shkencore e profesionale në shtypin e kohës, bartës i dokumenteve strategjike për zhvillimin e arsimit në Maqedoni . Në pedagogji dhe arsim ka bërë përpjekje të fut risi dhe trajtim tjetërfare të problemeve duke pasur parasysh gjithnjë konceptet demokratike dhe progresiste.

Për kontributin dhe veprimtarinëe e tij   i janë ndarë shumë mirënjohje, nga të cilat  i veçoj dy që kanë domethënie të veçantë  e që reflektojnë punën e tij.

E  para, është mirënjohja e komunës së Tetovës me kryetar Hazbi Lika (2007) në të cilën shkruan: “për kontributin e dhënë në zhvllimin e shkencës dhe arsimit”.

E dyta, është mirënjohja poashtu e  komunës së Tetovës (2010)  me kryetar prof. dr. Sadi Bexheti, në të cilën shkruan: “për kontributin e veçantë, për përkushtimin e fisëm në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja si dhe për angazhimin e dinjitetshëm në misionin e përndritur të mësuesisë”.

Nga sa shtruam më lart del të konkludohet se në veprat e tij profesor Xheladin Murati  na ofron një taksonomi komplekse e të kuptueshme, mbi të cilat bazohet organizimi, planifikimi dhe organbizimi  i punës pedagogjike në shkollë dhe nga e cila drejtohet dhe menaxhohet procesi edukativ-arsimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat