Para pak ditësh u bënë 14 vjet nga vdekja e Prof. Dr. Masar Kodrës. Prandaj, vendosa ta përkujtoj me respekt e admirim të veçantë me rastin e 14 Vjetorit të ndarjes fizike, por jo edhe të ndarjes shpirtërore të profesorit të nderuar, të respektuar e kurrë të harruar, të veprimtarit të vendosur e të paepur të çështjes kombëtare Masar Kodra.
U bënë 14 vite që kur u nda fizikisht profesori ynë i veprës dhe idealit të lirisë kombëtare. Këto 14 vite të mungesës fizike të Masar Kodrës nuk kanë arritur ta zbehin personalitetin e tij në zemrat e mendjet tona. Përkundrazi, me kalimin e kohës, malli e dashuria, respekti e admirimi për të shtohen gjithnjë e më tepër. Prandaj, ne gjithnjë e më tepër jetojmë me veprat e kujtimet e profesorit tonë të dashur e të nderuar Masar Kodra. Personaliteti i tij, synimet dhe qëllimet e tij, të cilat sot u bënë realitet i pjesërishëm, na kujtojnë vijimisht punën e tij si mësimdhënës në shkollat e Shkupit, punën prej gazetari në gazetat shqipe që botoheshin aso kohe në Shkup, punën si ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe aktivitetin e palodhshëm pas vitit 1981, në dobi të çështjes kombëtare me gjithë porositë e tij. Në vitin 1982 pati një infarkt, por arriti ta përballojë me sukses, sepse nuk dëshironte të vdiste pa e parë Kosovën të çliruar nga pushtuesi serbosllav. Ai angazhohej për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni për të qenë të barabartë me maqedonët në atë Republikë dhe tëavansohen të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi. Ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Fadil Sylejmanit për themelimin e Universitetit të Tetovës.
E sot, kur Kosova frymon lirshëm pas nëntë vitesh pavarësie nga robëria shekullore serbe dhe në Maqedoni në çdo hap po valon lirshëm Flamuri Kombëtar Shqiptar, po marshon lirshëm rinia shkollore shqiptare drejt arsimimit dhe emancipimit kombëtar, po flitet e po shkruhet lirshëm për luftën heroike të UÇK-së në Maqedoni, po ngjeshën radhët e policisë vendore me policë shqiptarë në shërbim e në mbrojtje të popullit e atdheut të tyre drejt idealeve dhe synimeve e qëllimeve të përhershme të Prof. Masar Kodrës. Të gjitha këto na detyrojnë ta çmojmë, ta nderojmë e ta përkujtojmë me pietet të lartë këtë profesor e veprimtar të palodhshëm, punëtor e luftëtar të denjë të çështjes e të çlirimit kombëtar.
Tash, kur sot jemi të lirë, nga njëra anë, e kur e dimë se sa mund, punë e sakrifica ka bërë, edhe pse i dërrmuar nga shantazhimet e robëruesve serbo-maqedono sllav, Prof. Masar Kodra u angazhua për këtë ditë, për këtë çështje. Nga ana tjetër, aq më tepër na shtohet dashuria e na djeg malli për mungesën e tij, aq më tepër vepra e tij na ofron e na bashkon, siç do të na bashkojë në shtator në një Simpozium që do t’i kushtohet angazimeve të tij shkencore e patriotke, ku do të jemi atje të bashkuar dhe të afruar, për ta nderuar e përkujtuar përherë profesorin e lirisë.
Ndonëse, Prof. Dr.Masar Kodra, sot mungon fizikisht në mesin tonë, ai shpirtërisht është me ne, fryma e tij e kujtimi i tij jeton në ne. Ne sot e shohim, e parafytyrojmë atë të qeshur e të gëzuar në mesin tonë, për Kosovën e çliruar dhe avansimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, sepse idealet, synimet e qëllimi i tij u realizuan dhe janë në realizim e sipër.
Prandaj, trupi dhe eshtrat e tij lë të prehen të qetë në ish kryeqytetin e Vilajetit të Kosovën në Shkupin e lirë. Vëllezërit e fëmijët e tij, ne ish studentët e tij, shokët e rinia shqiptare, ballëlartë e me krenari do të ecim rrugës së tij shkencore e patriotike, duke qenë përherë në shërbim të popullit e të atdheut.
Lavdi i qoftë Prof. Dr. Masar Kodrës për të gjitha veprat shkencore dhe veprimtarinë patriotike që bëri në shërbim të popullit dhe Atdheut të tonë të dashur.