Lugina e Festës së Plisit të Bardhë

Kultura

Lugina e Festës së Plisit të Bardhë

Nga: Sevdail Hyseni Më: 30 gusht 2017 Në ora: 12:19
Pamje nga festa

Gjatë vikendit, që e lamë mbrapa, pikërisht, më 27 gusht, të këtij viti, një grup veprimtarësh të grumbulluar rreth Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nga Presheva, morën pjesë aktive në Festën e Plisit të Bardhë, mbi Malin e Dajtit te Parku Kombëtar i Tiranës.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, me pjesëmarrjen e tyre në këtë manifestim spektakular, i dhanë mbështetje nismës së Shoqatës Bytyçi dhe kryetarit të saj, Agron Isa Gjedia, që Festa e Plisit të Bardhë, të merr përmasa mbarëkombëtare.

Ky manifestim kaq madhështor, i cili i kushtohet ikonës së veshjes sonë kombëtare Plisit, pati kënaqësinë të hapet me këngëtarët nga Lugina e Anamorava: Xhemajl Berisha e Rexhep Abazi, si dhe me valltaret e talentuara: Lule Sylejmani dhe Hanumshahe Salihu.

Festa e Plisit të Bardhë e zhvilluar në një ambient pitoresk mbi malin Dajt, nga i cili Tirana shihej si mbi pëllëmbë të dorës, jehonte nga këngët, lojërat popullore, kërcimet e vallet me motive tropojane, hasjane, gjakovare e preshevare, si dhe nga recitimet nga krijues të ndryshëm nga hapësirat shqiptare.

Nga kjo festë e mbushur plot me aktivitete të larmishme u shkëmbyen edhe mirënjohje, në mesin e të cilave u shquan edhe ato që kishin origjinë nga Lugina e Preshevës, si: Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nga Presheva, të drejtuar nga Xhemaledin Salihu, pastaj Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë “Feniks”, Bilall Maliqi, veprimtari i Shqiponjave nga Medvegja, Rexhep Abazi, shkrimtari nga Samolica e Bujanocit Mustafë Ismaili, me punë në Kanada e kështu me radhë.

Veprimtarët e Luginës së Preshevës, të cilët shkëlqyen me sharmin dhe performancën e tyre në Festën e Plisit të Bardhë, ishin më të privilegjuarit në këtë manifestim, ata qoftë nga organizatori e qoftë nga pjesëmarrësit e tjerë të këtij spektakli, shoqëroheshin me një dashuri e mikpritje vëllazërore, duke shkëmbyer përqafime e mirënjohje të ndërsjella.

Me kujtimet mbresëlënëse dhe me përshëndetjet nga më të ngrohtat vëllazërore, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, kthehen me dëshirën e madhe, që përsëri të takohen në festën mbarëkombëtare dhe pse jo diçka e tillë të organizohet edhe në krahinën e tyre, aty ku Plisi akoma gjallëron me bardhësinë e tij, si shenjë identifikuese historike dhe kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat