Historiani Adem Derguti që me penën e tij të artë bëri histori për vendlindjen e tij, Bllacën....

Kultura

Historiani Adem Derguti që me penën e tij të artë bëri histori për vendlindjen e tij, Bllacën....

Nga: Ragip Guraziu Më: 7 shtator 2017 Në ora: 09:52
Ragip Guraziu

Shumë libra te botuara dhe shumë tjera jane gati për botim,me vetfinancim ka botuar deri me tani mbi 10 libra,qe kane kushtuar,për një libër mbi 4ooo euro.... Mbi 6000 banorë bllacian do e kujtojnë Adem Dergitin për gjithë këtë histori që bëri për vendelindjen e tij,fshatin Bllacë Komuna e Therandës-ish Suhareka.

Po mos t’ia fillojmë me Rexhep Shahun nuk do të kuptohej si duhet ky raport i autorit të shkrimit dhe fillimi i shkrimeve dhe botimeve te librave të historianit Adem Derguti.

‘’Një vit pas luftës për Kosovën, luftë që bëri të mundur njohjen e rinjohjen, lidhjen e rilidhjën e shqiptarëve mes veti të të dyja pjesëve të Shqipërisë, rasti e solli të njoh Adem Dergutin. Kishte qenë mysafir në Kukës në kohën e shpërnguljes së shqiptarëve. Ruante adhurim për Kukësin’’, Rrexhep Shahu, redaktor i librave....

‘’Mësova se kishte mbi dy vite që kishte hulumtuar e grumbulluar material për të botuar një libër. Një libër për Bllacën, fshatin e tij të lindjes. Fshat që kishte pësuar shumë gjatë kohës së luftës.

Më kërkoi ndihmë, pasi e kishin rekomanduar, që t'ia shihja materialet që kishte grumbulluar për Bllacën, dhe më kërkoi që të isha përgatitës dhe redaktor i librit që donte të shkruante për vendlindjen e tij. Ishte kaq modest, sa të impononte respekt.

Image
Adem Dërguti

Pyetja e parë që i kam bërë, ka qenë, a e njeh Qazim Bllacën. U skuq. Më tha se është nga Bllaca, se është krenaria e Bllacës... Çfarë rastësie ! Kisha vite që e njihja nëpër letra e rrëfime të ndryshme Qazim Bllacën. Kisha realizuar gjatë punës si gazetar tri intervista për Qazim Bllacën me njerëz që e kishin njohur këtë njeri. Pra dija diçka për jetën dhe veprimtarinë e Qazim Bllacës. Por dija gjithashtu se njerëzit e letrave që janë gjallë, që dinë të flasin e të shkruajnë shqip, i kanë borgj Qazim Bllacës. Dhe kisha përgatitur gati në dorëshkrim një monografi të vogël për këtë qendrestar të madh që e ndëshkoi rëndë komunizmi,shprehet Shahu I pashë me vëmendje materialet që solli Ademi. U binda se kishte kollona të fuqishme, që mund të mbanin jo një monografi të thjeshtë e modeste, por volume serioze e pretenduese. Një kollonë e fuqishme ishte Ramë Bllaca, njeriu që kishte bërë histori si rrallë kush në kohët më të zeza për shqiptarët. Ishte Kulla e Ramë Bllacës, të cilës shqiptarët i detyrohën shumë... Jo veç për ta shpall monument historik që e mbrojnë shqiptarët, por shumë e më shumë... Ishte biri i tij Qazim Bllaca. Ishte pastaj një bir tjetër i Bllacës - Asllan Fazlia - kollonë e fuqishme ngulur thellë në memorien e shqiptarëve. Vinte rapsodi i mirënjohur Riza Bllaca, kënga e të cilit vazhdon të jehojë sot e gjithë ditën ndër shqiptarë. Dhe vinte më pas Ushtria Çlirimtare e Kosovës, krenaria shqiptare. Ushtria që bëri që shqiptarët ta drejtojnë kurrizin e kërrusur ndër mote. UÇK - ja që risolli dinjitetin e shqiptarëve, që përshpejtoi punët e shqiptarëve, që e nxori çeshtjen e shqiptarëve nga sirtarët e pluhurosur të vendosësve të mëdhenj dhe e bëri çështje dite. UÇK - ja që nisi luftën kundër serbëve. UÇK - ja që i bindi edhe njëherë shqiptarët se serbët i vret plumbi...

Pra u binda se me Adem Dergutin mund të paraqisnim një monografi të mirë. E ndjeja gjithashtu se sado mangësi të kishte monografia, do të kishte privilegjin të ishte e para. Dhe u ka çelur udhë të tjerave. E çmova fisnike këtë punë se, veç të tjerave është demonstrim i dashurisë për vendlindjen. Vetëm kështu do të mund të ruajmë vetën tonë, identitetin tonë, vlerat tona të verifikuara. Mendova se është kontribut i vyer për brezat e rinj të cilëve më shumë se çdo gjë ju mungon njohja e vendlindjes, njohja e atdheut. Sa fisnike do të ishte sikur të kishte çdo fshat apo krahinë njerëz si Adem Derguti që të shkruanin nga një monografi për vendlindjen e tyre. Pasi zingjirë nëpër këmbët tona është mosnjohja e atdheut.

Në të majtë të rrugës Prizren - Prishtinë, rreth kilometrit të tridhjetë, para se të fillojë ngjitja për në Qafë të Duhles, tre km pasi nis rruga për Malishevë, në prehër të atyre kodrave, shtrihet Bllaca, njëri ndër fshatrat më të mëdha të komunës së Suharekës ( Therandës ). Ka 536 shtepia dhe mbi 4200 banorë. Gojëdhëna thotë se Bllaca është formuar nga vëllezërit Nika, Selimi, Elezi e nipi i tyre Bogdani. Prej këtyre kanë dalë lagjet që janë sot : Gurazitë, Pirkat, Kronat, Kyqykët, Qollakët, Fangat, Iballat, Bllacët, Lezët, Bajraktarët, Lumët, Zekollët, Sukët, Hoxha, Bektesh e Kermen. Nga dokumentet e hershme kisha mësuar se Bllaca njihej e përmendej dendur në vitin 1348, kur flitej për Krisobulen e Deçanit.

Bllaca rrethohet nga këta fshatra : Duhël, Grejqevc, Luzhnicë, Ngucat, Temeqina, Nishori, Peqani dhe Sllapuzhani. Popullsia e Bllacës ka patur këtë ritëm rritje : Në vitin 1948 kishte 1330 banorë, në vitin 1953 kishte 1418 banorë, në vitin 1961 kishte 1527 banorë, në vitin 1971 kishte 1950 banorë, në 1981 kishte 2609 banorë dhe në vitin 2001, siç u përmend, ka 4200 banorë. Është i vendosur në lartësinë 455 m mbi nivelin e detit. Ka klimë kontinentale. Posedon 500 ha tokë buke, 8 ha kopshtije, 15 ha pemëtore, 5 ha vreshta, mbi 100 ha livadhe, mbi 140 ha kullota dhe mbi 1300 ha male.

Bllaca, ky fshat i madh, veçse është ndanë rrugës kryesore Prizren - Prishtinë, ka fatin të ketë mespërmes udhën për në Malishevë. Në këtë fshat të lashtë shqiptar, jetojnë njerëz punëtorë dhe që dinë ta nderojnë punën. Por dinë, si shqiptarë të mirë që janë, ta nderojnë shkollën e dijen. Mungesa e lirisë për mote e mote, ka bërë që bllacjanët ta adhurojnë dhe të sakrifikojnë për liri. Dhe historia e Bllacës është e mbushur me shembuj të 8pafund sakrificash e qëndrestarësh. Por të bën të ndjehesh krenar, është dashuria dhe nderimi që kanë bllacjanët për vendin e tyre. Është harmonia e pashoqe e bllacjanëve, që i ka bërë ta mbajnë e duan njëri - tjetrin edhe në rrethana të pafavorshme. Është solidariteti që kanë bllacjanët për njëri - tjetrin që të imponon respektpër këta njerëz.

Çka e shtyri Adem Derguti të shkruaj për vendlindjen e tij, Bllacën?

Duke ditur se Bllaca mbart vlera të atilla njerëzore që do të ndjehej krenar çdo fshat, duke ditur se nga ky fshat kanë dalë burra të atillë që kanë mundur të rrezatojnë në historinë kombëtare shqiptare, se ky fshat ka mundur të mos shpërfillet nga askush dhe në asnjë rrethanë, nga asnjë pushtues i çfarëdolloj kohe e i çfaredolloj perandorie, unë jam ndjerë krenar gjithmonë. Por edhe borxhli para Bllacës e sidomos para njerëzve të shquar që ka nxjerrë ky fshat gjatë historisë.

Ndaj është ky shkaku që më dha guximin e duhur, të hulumtoj për një kohë të gjatë, e të mbledh material për një monografi të tillë që po ia përcjellim lexuesit. Vetëm me shpresën se po bëjmë një detyrë për Kosovën, se po shlyejmë një pjesë të borgjit që ia kemi, si çdokush tjetër. Si dhe me shpresën se do të mundemi, në këtë mënyrë, ta artikulojmë nderimin që kemi për burrat e mëdhenj e qëndrestarët e Bllacës, falë të cilëve nuk vdiq kurrë shpresa për liri, falë të cilëve jetojmë sot jo nën pushtue-sin serb. Se ato ditën ta mbajnë gjallë shqiptarinë.

Duke e çmuar si një lloj përmendore për të meritueshmit, si një përmendore që na thërret e na kujton të mos harrojmë, të mos harrojmë se harresa do të jetë gropa jonë e zezë që ka me na përpi, i japim udhë këtij libri, duke kërkuar nga lexuesi mirëkuptim. Mirëkuptim, pasi jo gjithshka është thënë. Se nuk qenka aq e lehtë sa e mendonim në fillim. Por, gjithkush e ka lejen të thotë e të shkruajë. Ne do të falenderonim ato që shohin e flasin për atë që është shkruar. E jo për atë që s'është thënë e shkruar. Veç e ndjejmë se ka vend që të shkruajnë e të flasin për Bllacën tonë të dashur edhe shumë të tjerë pas nesh.

Nëpër qëndresë

Gjatë gjithë kohërave që ka patur rezistencë shqiptare kundër çfarëdolloj pushtuesi, edhe Bllaca nuk ka ngelur kurrë anash, nuk ka pritur të hajë të gatshme frutet që do t'i vilnin të tjerët. Që në luftërat e mëhershme bllacjanët janë rrjeshtuar gjithmonë si luftëtarë. Por spikatje për to ka patur në periudhat e kryengritjeve të mëdha të shqiptarëve kundër turqëve e kundër serbëve. Ndersa luftohej me turqit në Qafë të Duhles e në Grykë të Carralevës, s'kishte se si të mos ishin të përfshirë në keto luftra bllacjanët edhe për faktin e thjeshtë se luftrat zhvilloheshin në oborr të tyre, në udhë të tyre. Deshmitë historike bëjnë me dije se Bllaca dhe shumë fshatra të tjera të kësaj zone të Suharekës (apo Therandës së sotme) kanë sherbyer si baza për luftëtarët shqiptarë kohë pas kohe. Në shtepitë e ketyre fshatrave janë strehuar luftëtarët. Janë ushqyer me bukë. Në keto shtepi të Bllacës e të fshatrave të afërt janë strehuar, e janë mjekuar sa e sa herë luftëtarët e plagosur. Të çdo ane qofshin luftëtarët që plagoseshin ato do të gjenin strehë të ngrohtë në shtepitë bllacjane që kanë ditur me plot bujari ta presin mikun e ta japin bukën. Që kanë ditur me iu gjend nevojtarit në çdo kohë e rrethanë.

Si bujarë e mikpritësa, si qendrestarë e luftëtarë, bllacjanët kohë pas kohe e brez pas brezi kanë trashëguar nga të parët virtytet më qenësore të shqiptarëve. Kanë patur në historinë e jetën e tyre se kujt t'i referohen, kanë patur se çfarë të trashëgojnë dhe kanë ditur ta ruajnë trashëgiminë. Kanë ditur të nxjerrin njerëz të mëdhenj për çdo kohë e rrethanë. Pa hyrë më thellë në histori, prej pamundësisë, po cekim se Bllaca ka patur përfaqësues të vetin në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ka qenë Ali Bllaca që bënte pjesë edhe në Komitetin e Lidhjes për degën e Prizrenit, krahas emrave të tjerë të njohur si Shaip Aga, Haxhi Beqiri, Selim Ibrahimi, Shaban Bajraktari etj..Virtytet dhe vetitë më të larta e më fisnike të shqiptarëve - këto kanë patur dhe këto kanë ruajtur e trashëguar, pasi për pasuri materiale nuk mund të flasim. Kur dihet se si kudo e kurdoherë shqiptarët në motet e shkuara, në zona të tilla nuk kishin pasuri që t'ua lakmonte kush veç tokës për të cilën shqiptarët historikisht janë flijuar, veç trojeve ku i ka falë zoti e që amanet ua kanë lënë të parët, që gjithmonë ua kanë lakmuar të tjerët...

Kur flasim se veç tokës, bllacjanët apo shqiptarët në përgjithësi, nuk kishin pasuri tjetër, nuk e kemi fjalën për të fshehur apo mos treguar se çfarë vjedhjesh e plaçkitjesh u bënin ketyre njerzve forcat ushtarake serbe, apo policët e çetnikët serbë. Tufa - tufa shkonin herë pas here bagëtitë që u grabisnin sërbët e i dergonin në Shumadie. Veç mijëra kokë bagëtive të imta e të trasha, veç orendive të shumta shtëpiake, veç prodhimeve bujqësore e blektorale si fasule, bylmetra etj., serbët vidhnin e plaçkisnin të gjitha sendet përsonale të grave, sende këto me vlerë. Por e shohim të udhës të shenojmë edhe emrat e disa drejtuesve të tjerë të këtij fshati, gjatë kohës së sundimit turk, si p. sh : Mulla Fetahu (1829 - 1909), Shaban Fetah Hoxha (1852 - 1918), Hysen Osmani (gjyshi i Mulla Fetahut, 1620 - 1673) i cili ndërtoi xhaminë e fshatit me 1660, Ahmet Bylykbashi, Ali Bllaca (Guraziu), etj., të cilët i kanë kontribuar fshatit Bllacë gjatë veprimtarisë së tyre.

Në raportin e nënkonsullit serb të Prishtinës Rakiq të 7 tetorit 1909, thuhet : "Nga kthimi i Xhavit Pashës prej Lume, ndër shqiptarë hetohet një rebelim dhe trazirë. Shqiptarët, të pakënaqur me marshimin e tij, veçanarisht të pezmatuar për shkak të dhunës së shfrenuar që ka përdorur Xhavit Pasha në disa fshatra si në Bllacë, ku ushtarët kanë përdhunuar gratë, ata po përpiqen tash të heqin qafe të urryerin Xhavit Pasha". Lidhur me ekspeditën ndëshkuese të Xhavit Pashës në fshatin Bllacë të Suharekës, konsulli austrohungarez Prohaska i shkruan kështu Vienës nga Prizreni:

"...Gjenerali Xhavit Pasha me 5 tetor (është fjala për vitin 1909) dogji në Bllacë 16 shtëpi dhe mori 89 robër, prej të cilëve 4 ikën rrugës e të tjerët gjenden këtu në burg. Gjenerali ka ndër mend të shtypë çdo qëndresë dhe të shkatërrojë plotësisht Lumën, Gjakovën dhe Pejën... Ai thotë se në Lumë do t'u japë një shembull të tillë arnautëve që të mos u vejë kurrë mendja të futën në Prizren. Urrejtja e përgjithshme ndaj gjeneralit gjen shprehje karakteristike në cilësimin e përhapur ai " kaurri pasha". Kundër trupave të tij, përveç për shkatërrimin e Bllacës, u bënë akuza të përhapura gjatë luftimeve në Malësi për vjedhje, keqtrajtim të robërve dhe përdhunim të grave...".

Në kujtesën e bllacjanëve nuk harrohet djegja e fshatit me 1909, rrahjet e banorëve,marrja e 89 bllacjanëve për ti dënuar,por që pjesa më e madhe shpëtoi. Në këtë vit, Halil Kroni në Qafë të Duhles vrau një oficer turk dhe dy ushtarë. Hynë pastaj turqit në Bllacë për ta gjetur vrasësin. Ta gjenin ose do të digjnin fshatin. Por bllacjanët nuk e treguan vrasësin e oficerit turk, nuk e treguan Halil Kronin. Bile Halilin e caktuan që të mbante kalin e një oficeri turk. Por Bllaca u dogj. Nuk ishte hera e parë e as e fundit. Mbahej mend se Bllaca qe djegur shpesh herë sepse ishte fshat që nuk e shtronte kollaj Turqia. Që në mesin e shekullit të 18 - të dihej se në luftë me turqit u vra Fejzë Balia dhe Rexha nga Maqiteva, ndersa Ramë Imeri u plagos. Në atë kohë, rapsodi Kamber Bala këndonte : Po vjen Bllaca, Maqiteva / Maqiteva me gjithë Bllacë,Nal kadalë/ more pashë …

Në memorien e bllacjanëve ka mbetur e pashlyer buajtja e Isa Boletinit në fshat të tyre me gjithë njerzit që mbante pas, me mushka të ngarkuara për luftë... Nga memoria e bllacjanëve nuk shlyhet Azem Galica që në një rast i kishte provokuar bllacjanët duke u thënë se kam ardhë më vra Ramë Bllacën. E bllacjanët i ishin përgjigjur se më para të vrasim ty se sa e vret ti Ramë Bllacën. Shumë bllacjanë e kanë treguar këtë ndodhi dhe e shprehnin se sa mirë i vinte Azem Galicës që bllacjanët e donin Ramën.

Në vitin 1910, përsëri Bllaca u dogj bashkë me shumë fshatra të tjerë. Ishte koha kur ishte ashpërsuar terrori dhe reprezalja turke kundër shqiptarëve. Turgut Pasha e kishte grupuar ushtrinë në Ferizaj dhe e shpërndante prej aty në drejtime të ndryshme. Një pjesë të ushtrisë e nisi në drejtim të Gjilanit për të ndjekur kryengritësit shqiptarë, ndërsa pjesën tjetër të ushtrisë e nisi në drejtim të Budakovës e Suharekës. Qafa e Duhles ishte qëndra e koncentrimit të trupave turke që ishin nisur në drejtim të Prizrenit. Sipas shenimeve të konsullit serb në Shkup, në Carralevë kanë qenë të grumbulluar rreth 3000 shqiptarë të armatosur dhe të gatshëm t'i rrezistojnë ushtrisë turke. Ndersa sipas po këtij burimi, në prapavijë të 3000 luftëtarëve, ishin edhe 5000 të tjerë të armatosur. Me 26 prill 1910 nisi përleshja e parë mes turqëve e shqiptarëve, përleshje që zgjati dy ditë. Turqit përdorën 18 batalione këmbësorie dhe 20 bateri topash, shënon konsulli serb i Shkupit. Pas luftimeve të ashpra, shqiptarët u detyruan të tërhiqen. Burimi në fjalë shënon se thuhet se 500 shqiptarë u vranë, shumë katunde u rrafshuan me tokë, kurse plotësisht u dogjën Zborca, Carraleva, Topilla dhe shumë shtëpi u dogjën në Bllacë, Rancë e Budakovë.

Pas luftrave të gjata dhe konflikteve të përhershme me administratën turke, shqiptarët u ndeshen në historinë e tyre me egërsinë, brutalitetin dhe genocidin serbo-malazez, bullgar etj.. Në luftë kundër bullgarëve, në vitin 1917, u vranë Hysen Zekolli, Iliaz Zekolli, Rexhep Kroni, Sylejman Lumi, Halili dhe Zenuni nga fshati Belincë. Kujtohet koha e bullgarëve si kohë zie për bukë pasi vdisnin njerëz prej urisë.

Pretendimet serbe për zgjerim të teritorit të tyre, etja e moçme serbe apo "ëndrra e çmendur" serbe për dalje në detin Adriatik, kishte errur çdo arsye në politikën serbe dhe synimin donte ta arrinte duke pushtuar tokat shqiptare. Natyrisht kurrë nuk janë shuar e faruar shqiptarët sa në luftart me serbët. Por edhe serbë janë zhdukur boll në luftërat me shqiptarët. Finalja është kjo që është. Serbia s'ka det. Shqipëria po. Dhe mes këtyre dy vendeve ngrihen male vigane urrejtje, armiqësie të pafund. Serbia mbeti edhe pa det, edhe pa tokë shqiptare ( jo se ka pak atë që e ka, por asaj i duket shumë pak në krahasim me sa ka dashur të ketë). Në Serbi është mëkuar dhe mëkohet urrejtja për shqiptarët. Në Shqipëri (kur them Shqipëri, nënkupto edhe Kosovën), edhe gurët, edhe lisat e moçëm, edhe toka e mbushur me varre flasin për genocidin serb. Ndersa shqiptarët s'kanë ditur të bëjnë genocid e masakra, serbët kanë qenë mjeshtër të tyre. Dhe kjo vetëm në sajë të inferioritetit të serbëvë. Vetëm prej terbimit se nuk mundnin të arrinin objektivat e tyre - shuarjen e shqiptarëve. Por ajo që e vuajnë dhe do ta vuajnë serbët shumë gjatë është pamundësia e tyre për t'u çliruar prej urrejtjes që kanë për shqiptarët se nuk kanë arritur t'i mundin, nuk kanë arritur t'i shuajnë. Ndersa shqiptarëve duke iu dalë boll vetja, ani pse janë të sakatuar në troje, ndoshta për fatin e tyre të keq por nganjëherë edhe të mirë, dinë të harrojnë, ose harrojnë... E kjo ndoshta do të thotë se dinë të shohin përpara. Por në fund të fundit shqiptarët kanë një fat : nuk janë popull i kompleksuar si serbët. Dhe serbët janë të kompleksuar prej humbjeve. Prej humbjeve të atyre gjërave që nuk ju kanë takuar kurrë, që nuk janë të tyret. Por që u është mbushur mendja se u takojnë edhe gjërat e të tjerëve.

Se nuk ka arsye tjetër aftësia për genocid e masakër, aftësi e demonstruar në turma ushtarësh, rezervistësh, çetnikësh. Se nuk ka arsye tjetër që kundërshtarin politik pasi nuk e mund dot në debat, as nuk e bind dot as nuk i bindesh, të dalësh ta vrasësh në pabesi, në fshehtësi. Se nuk ka arsye tjetër që serbët kanë eleminuar kështu gjithmonë me tradhëti e intriga kundërshtarët shqiptarë edhe kur shqiptarët kanë bashkëpunuar me sërbet pasi fati i detyroi shqiptarët e Kosovës te jenë që nga 1913 nën ombrellën serbe.

Janë të shumta rastet që do të silleshin për të provuar sa thamë më sipër. Por ne na mjafton për sa, e për çfarë, kemi marrë përsipër rasti i të shumënjohurit në Kosovë e në krejt botën shqiptare, rasti i Ramë Bllacës... Ky njeri që bëri histori duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve edhe në rrugë institucionale si deputet i Kosovës që ishte në parlamentin e Jugosllavisë por edhe me armë në dorë kundër bandave serbe, u vra pabesisht nga serbët. Por mbeti lapidar në kujtesën kombëtare të shqiptarëve. E rroku kënga. E rrokën brezat. Vranë Ramë Bllacën, por jo idealin për të cilin ai luftoi. Ai ishte luftëtari e prijësi i shqiptarëve që kundershtonte reformën agrare të qeverisë serbe që donte t'ua merrte tokat shqiptarëve për t'ua dhënë kryesisht kolonëve serbe e malazezë që i ka sjellë herë pas here Serbia në Kosovë për ta populluar Kosovën shqiptare edhe me shkie. Ai ishte politikani e luftëtari shqiptar që për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare, për të mbrojtur popullin shqiptar në Kosovë, për të mos e shpopulluar Kosovën me mjete të buta, kundërshtoi publikisht traktakin apo marrëveshjën e turpshme serbo - turke që detyronte shqiptarët të shpërnguleshin për në Turqi. Jo vetëm që e kundërshtoi, por punoi deri ditën që ishte gjallë, deri ditën që e vranë shkiet në pabesi, që të mos i lejonte shqiptarët të shpërnguleshin, që t'i bindte shqiptarët me të gjitha mënyrat se nuk duhet ta pranonin shpërnguljen dhe duhet ta kundërshtonin ashpër. Ai nuk punoi vetëm nëpër oda e kuvende për t'i bindur shqiptarët vetëm me fjalë, por, siç e deshmojnë bllacjanët, në kohën më të rëndë të terrorit e reprezaljeve që bënin serbët për të shpërngulur shqiptarët për në Turqi, Ramë Bllaca ndertoi kullë të re në Bllacë. Për ta dhënë shembullin vetë se nuk duhet t'i lëshojmë trojet, nuk duhet t'i lëshojmë kullat se ditë dhe kohë më të mira do të vijnë...

Pra, dhuna sistematike, e programuar e serbëve kundër shqiptarëve e shfaqur në të gjitha mënyrat, llojet dhe format më përfide, kultivoi rrezistencë dhe qendresë shqiptare në të gjitha kohërat. Por do të duhej të vinte mesi dhe gjysma e dytë e shekullit të njëzetë që të merrte formë dhe karakter më të organizuar qëndresa shqiptare. Do të duhej të vinte një brez i ri, një gjeneratë e re të rritej pa luftë që të bëhej më e madhe popullsia, që ta merrte vetën popullsia shqiptare pas masakrimeve e shfarosjeve në masë që kishte pësuar sidomos në dy dekadat e para të shekullit të kaluar... Do të duhej që edhe Evropa ta ndryshonte pak qëndrimin prej njerke që kishte mbajtur për shqiptarët. Do të duhej që edhe iluzionet e shqiptarëve të fashiteshin dalëngadalë dhe të bëheshin më realistë, më të përgjegjshëm, dhe të organizoheshin më mirë për qëndresë kolektive, për reagim e kundërshtim kolektiv përballë një armiku që nuk ishte më i madh por që kishte vetëm avantazhin e organizimit më të mirë se shqiptarët.

Me 12 tetor 1997, në shënimin e 60 vjetorit të vrasjes së patriotit të madh Ramë Bllaca, që u organizua në fshatin Bllacë të Suharekës (Theranda e sotme), i biri i tij Qazim Bllaca i mbijetuari prej terrorit komunist, përpara të pranishmëve të shumtë në këtë ceremoni, tha këto fjalë mbi varrin e babait të vet : " Babë i dashur! Veprimtarë të dashur nga elita e Kosovës së adhuruar, po vendosin sot kurora mbi varrin Tënd, duke nderuar kujtimin Tënd dhe veprimtarinë Tënde patriotike. Ne djemtë e Tu u jemi mirënjohës për nderin dhe kujdesin e treguar ndaj Teje dhe pas 60 vjetësh që Ti po pushon në botën e amshueshme.".

Shumë libra te botuara dhe shumë tjera jane gati për botim, me vetfinancim ka botuar deri me tani mbi 8 libra, qe kane kushtuar,për një libër mbi 4ooo euro.... Ky është kontributi i historianit Adem Derguti,dhe ai ende po shkruan dhe nuk ka te ndalun,dhe ne nuk na mbaten gjë tjetër vec t’i themi;FALEMINDERIT OOOO Adem Derguti, për punën e juaj të palodhshme..... 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat