Poetika e sensibilizuar në pikturën e Esat Valles

Kultura

Poetika e sensibilizuar në pikturën e Esat Valles

Nga: Bislim Aliu Më: 4 shkurt 2018 Në ora: 09:36
Bislim Aliu

Pa dyshim, kreativiteti është njëbotë e brendshme, e mendjes dhe e shpirtit e cila kërkon që kjo shpërfaqje e brendshme të konkretizohet. Ajo, sigurisht lind, kur të rrokë drithërima prekëse e tundimit. Dhe, këtë tundim të kreativitetit, nuk mund ta ketë secili krijues. Pra, këtë kreativitet shpirtëror, mund ta shpërfaqin, vetëm krijuesit e mirëfilltë, që në brendi, e kanë shpirtëroren dhe kreativitetin e ndjesuar. Ai, sigurisht, do të jetë fryt i qasjes intuitive, i punës dhe i rrethit ku vepron krijuesi.Në këtë kreativitet të lartë të tundimit, të përhershëm, bën pjesë piktori tejet ndjesor Esat Valla.

Esat Valla pa dyshim i takon brezit të mesëm të krijuesve figurative  i cili e ka luajtur një rol parësor në zhvillimin dhe afirmimin e artit pamor në Kosovë, por edhe më gjerë. Ai, qysh në kohën e rinisë, e tregoi dashurinë dhe talentin e rrallë për arte pamore. Andaj, sensi  i tij specifik për pikturë e bëri njerin nga piktorët më të vyeshëm dhe më të mirë kosovar. Këtë angazhim të sensibilizuar, ai e tregoi me punë kreative dhe me përkushtim të lartë, e cila ia mundësoi organizimin e shumë ekspozitave individuale dhe kolektive, të cilat i sollën shumë shpërblime dhe mirënjohje të cilat tregojnë përkushtimin dhe sensualen më të lartë të ravijëzimit për arte pamore.

Enterierët dhe realizimet poetike të piktorit

Pa mëdyshje, piktori Esat Valla është piktor i angazhuar. Realizimet e hershme të piktorit së shpejti konkretizohen në realizime  cilësore që tregojnë dendur sensibilitetin dhe afinitetin e lartë shprehës. Kjo punë e ngulmtë dhe e pa rreshtur, bëri që së shpejti imazhet e tij ta paraqesin specifik në shprehjen figurative. Andaj, në tablotë e tij të hershme shpeshherë takohemi me arkën, dollapët, enterierin, rrotën dritarën… Pra në  përgjithësi me enterierin. Këto cilësi të larta shprehëse na bindin për seriozitetin e piktorit për t’u ballafaquar me realitetin. Ky realitet i  treguar në tablotë e tij na bindin qartas se kemi të bëjmë me një piktor subtil dhe tejet serioz.

 Kjo shprehje e tij e sforcuar  në vazhdimësi, na tregojnë, rrëfimin e tij shumë të lartë të kreativitetit. Dhe, kjo shprehje e ndjesuar, u vërejt bukur në shumë vepra, e sidomos në; “Enterier”, I,II, “Dollapi”, “Dritaret”, “Katrori magjik”, “Dritaret e hapura” e shumë të tjera.

Peizazhet e imagjinuara dhe sensibiliteti i tyre

Këmbëngultësia e piktorit për të hecur përpara e shpiejnë piktorin në vrojtime dhe interesime të tjera. Tani idetë e tij janë më të qarta dhe më kreative. Te piktori fillon një diapazon më i gjerë i interesimit. Nga enterieri sikur dëshiron të dalë në eksterier. Piktori interesimin e vet e shpërfaq për peizazhin, njeriun, zogun, fluturën…

Pikturat e tij sikur marrin frymë më lirshëm. Kjo mënyrë e të shprehurit dhe ky gershetim i peizazhit imagjinativ me figura të zogut, flutrës,  është një qasje e re e piktorit Valla. Piktori, tani është më i  lirshëm, më i figurshëm dhe më simbolik. Ato forma dhe përmbajtje, që dikur në  artin “linear” i krijonte si shprehje transponuese, ose në artin “piktural”, materializonte me besnikëri, tani këto forma e përmbajtje i  mbështetë në simbolikë, me imagjinatë dhe fuqi të brendshme shpirtërore.

“Në secilin element të shprehur ka për bazë përcaktimin e konkretizuar të trajtës duke e aplikuar herë lazuritetin e herë mënyrën pastuoze të pikturimit. Me këtë, ai e eleminon qendrën e errësirës, e cila jeton në   “vullnetin” e qenies njerëzore duke paralajmëruar atë që është fisnike dhe univerzale” – thotë kritiku i artit R. Goçi. Kjo shprehje e lartë shpirtërore dhe imagjinative u vërejt në shumë vepra të tij. Kjo imagjinatë           konkretizuese u shpreh dendur  në tablotë; “Thellësitë e pyllit”, “Peizazh me shiqim nga dritarja”, “Nusja”, “Pëshpëritje për nusen”, “Një natë”, “Pranvera e hershme” etj.

Surealizmi ekspresiv, arritje e lartë e piktorit

Piktori, Esat Valla, vazhdimisht bredhë dhe kërkon ide dhe forma të reja shprehëse. Këto ide të formësuara bukur, e detyron piktorin në një surealizëm ekspresiv. Pra, në një çasje më të formësuar dhe më të avancuar. Tani piktura e tij është më ekspresive dhe më domethënëse. Dhe, në këtë drejtim, ai krijon mesazhe që janë të lidhura me shqetësimet e tija shpirtësore dhe me botën e tij të brendshme; të engjujve në fluturim, fluturave të vrara, zebrave, në shkëputjen e demave, në  lojen e skeletave… Dhe, ai tani paraqet; dashin, hipotamin, dhinë, zebrat, fluturat… E, për të gjitha këto piktori i veneron bukur, me një shpirt të trazuar. Në këtë drejtim do t’i  dallonim veprat; “Demulimi i Fakultetit Teknik”, “Sulmi i koboshëve”, “Dashi”, “Shqiponja”, “Klithma e hipotamit”, “Flutura dhe zambaku” “Dhija”, “Fundi i demave”, e ndonjë tjetër

Ai me imazhet e tij të nduarnduarta dhe me veprat e shumta të krijuara na obligon që të jemi bashkëudhëtarë i këtij mendimi realo-imagjinativ. Valla gjithherë na tregon diçka të re dhe joshëse. Veprat e tij janë të çiltra dhe në memorjen tonë ndikojnë lirshëm dhe bindshëm. Eshtë një piktor subtil me sens të lartë poetik. Piktura e tij e paraqitur në formën; realo-imagjinative, e sfidon kohën me ballafaqimet surrogate. Këtë ballafaqim, ai e baraspeshon me ndjenjen e ekspresivës. Ato “na  çojnë peshë” me gjuhën e paster figurative.

Esat Valla në pikturë gjithnjë dhe gjithherë mediton. Dhe, shkalla e tij medituese është e lartë. Në anën tjetër, sensi i tij sfidues na “lëkund” gjithherë gjendjen tonë shpirtërore. Në këtë drejtim, piktori Valla  këtë meditim e vazhdon përherë për të arritur në një shkallë shumë të lartë të rrëfimit ndjesor dhe fare përmbajtësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat