Pranvera e frankofonisë, një muaj kushtuar kulturës franceze

Kultura

Pranvera e frankofonisë, një muaj kushtuar kulturës franceze

Më: 3 mars 2018 Në ora: 17:17
Arkiv

Muaji i Frankofonisë vjen gjatë marsit me të gjitha profilet e arteve. Në fokus është kinemaja e cila prezantohet nga sonte në Arkivin e Filmit me “Tre burra dhe një foshnje”, një vepër e Kolin Serros, mjaft e njohur në Shqipërinë e viteve ’80. Rikthehet edhe Angjelin Preljocaj këtë herë si kineast.

Rikthehet sërish edhe këtë vit Pranvera e Frankofonisë. Duke filluar nga dita e sotme deri më 30 mars, ky është muaji kushtuar ekspozitave, koncerteve, teatrit, kinemasë dhe letërsisë franceze.

Një ndër gjërat më të mira që Franca i ofron arenës kulturore ndërkombëtare janë filmat, prandaj dhe vëmendja më e madhe do t’i jepet kinemasë me shfaqjen e 12 filmave.

Rose-Anne Bisiaux: Prezantimin e kinemasë e kemi menduar me tre cikle, një në Arkivë, një në Akademinë Marubi dhe një në kinemanë e qytetit ku do të mirëpresim koreografin Angjelin Preljocaj, i cili do të prezantojë filmin e tij "Polina", bashkë me bashkëshorten e tij Valeri Myler.

Për të gjithë ata nostalgjikë të viteve ’80 “3 burra dhe një foshnje” i Kolin Serros është propozimi që sjell sonte Arkivi i Filmit. Fituese e 3 çmimeve Sezar e nominuar për Oscar, kjo komedi ka qenë mjaft popullore edhe në Shqipëri.

Iris Elezi: Fakti që dikush mund të ulet në errësirë, në ekranin e madh të transportohet në një botë dhe kohë tjetër dhe të shikojë se përqëndrimi çfarë është të qenurit njeri nuk ka ndryshuar as atëherë, as tani.

Biblioteka e vjetër Kombëtare është një nga përfituesit  e Pranverës e Frankofone. Ajo pajiset me një sallë leximi tërësisht moderne, me klasikët e mëdhenj dhe e pasuruar me veprat më të fundit bashkëkohore të letërisë franceze.

Rose-Anne Bisiaux: Është një hapësirë rreth 150 metër katrorë,një sallë e këndshme leximi vetëm me literaturë franceze. Qëllimi ynë ka qenë që kjo të bëhet një hapësirë për debate por për të gjitha idetë që qarkullojnë sot në vend.

Harta e aktiviteteve përfshin Korçën, Durrësin, Shkodrën, po edhe Gramshin, Librazhdin, Permetin e Tropojën me shkollat e tyre.

Rose-Anne Bisiaux: Ka mjaft shkolla dhe mjaft nxënës që kanë dëshirë të bëjnë spektakle, të shprehin dashurinë e tyre për gjuhën, jo vetëm në një rreth të ngushtë familjar e shkollor por për një komunitet më të gjerë.

Më 21 mars organizohet darka e gastronomisë, ku 2 shefa francezë prezantojnë 5 pjata trandicionale të ushqimit francez.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat