Një kauzë e normalitetit?!…

Kultura

Një kauzë e normalitetit?!…

Nga: Av. Sergjio Mazreku Më: 26 tetor 2018 Në ora: 18:20
Av. Sergjio Mazreku

Shoqëria shqiptare, në përpjekjet e saj sizifiane për të ndërtuar një shtet të së drejtës, ka hasur vështërsi të mëdha, të cilat burojnë më së pari nga kthimi në model sjellje i trashëgimeve më negative të traditës. Një model i tillë, i aktivizuar me ngut dhe në mënyrën më cinike të mundshme, veçmas në disa zona perferike të vendit, është gjakmarrja. E shuar për një gjysëmshekulli, ajo u shfaq bashkë me hapjen e shoqërisë dhe krijimin e premisave politike e shoqërore për ndërtimin e një shoqërie demokratike. Përpjekja e shtuar dhe lufta e intesifikuar ndjeshëm dhe me efiktivitet i strukturave të policisë dhe të antikrimit për bllokimin dhe vënien në pranga të bandave dhe grupeve kriminale të “të fortëve”, duket se ka lënë në hije një çështje të mprehtë njëzet e tetëvjeçare, çështjen e gjakmarrjes që vazhdon të diktojë rregullat e saj “kanunore”, në kushtet e pretendimit tonë për të pasur një shtet të së drejtës.

Kur janë në veprim dhe funksionojnë të gjitha institucionet e shtetit, qoftë dhe një funksionim i mangët e me një problematikë të mprehtë si ky i yni, nuk duhet të ekzistonin konflikte të hapura, të njohura nga policia, të cilat janë eksplozivë në miniaturë, tentativa të deklaruara hakmarrjeje dhe gjakmarrjeje, vatra të krimeve të paralajmëruara. Duhet që vatrat e njohura të hakmarrjes dhe gjakmarrjes të ishin nën presionin e antikrimit dhe kësaj ‘ti paraprihej me një paketë të veçantë ligjore, që të ndëshkonte rëndë aplikuesit e hakmarrjes dhe gjakmarrjes.

Grupet shoqërisht të rrezikshme në Shqipëri ka gati tre dekada që tentojnë të përgjunjin ligjin dhe të drejtën në këtë vend, duke tentuar që të përshtasin kostumin kanunor të traditës, këtë relikte që ka vetëm vlera muzeale, – dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, – sipas qepjes së re të mafies. Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në pellgun e ndotur të instinkteve barbare, po shndërrohen në një normalitet të sëmurë në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi askund. Historia e Marian Rrokut, personit që ekzekutoi me shtatë plumba nënë e bijë dhe u dënua me burgim të përjetshëm, për familjarët e familjes Rroku në Shkodër, do të passhoqërohej me andrralla, frikë, dhunë e presion për gjakmarrje ndaj familjarëve të tij. Edhe pse shpallja e hakmarrjes dhe gjakmarrjes nga familjarët e viktimave ishte bërë në mënyrë të hapur dhe demonstrative, organet ligj-zbatuese nuk ia kishin dalë të siguronin një mbrojtje reale për familjet Rroku. Zef Rroku, vëllai i Marian Rrokut, së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, janë të vetmit që vuajnë pasojat e kësaj historie, pasi dy vëllzerit e tjerë janë larguar familjarisht në vende të BE, për t’i shpëtuar hakmarrjes. Zefi e do vendlindjen e tij dhe me të e lidhin rrënjët dhe degët e një jete të kaluar në vështirësi të shumta, por çdo ditë që kalon shtohet presioni dhe këcënimet dhe e ka të vështirë të punojë e të mbajë në kushte normale familjen e tij. Ai dhe familja e tij ndihen çdo ditë të përndjekur nga hijet e gjaksve dhe të kërcënuar me jetë. Janë të shumta “incidentet” e kërcënimet e bëra nga personë “anonimë”, por ai e di se gjithçka lidhet me këtë plagë që ka mbetur e hapur. Organet ligjzbatuese duken të pafuqishme për ta mbrojtur dhe kjo përbën një këmbanë alarmi për të gjithë ata që ndihen të rrezikuar nga hakmarrja dhe gjakmarrja. Megjithë kërkesat e vazhdueshme të Zef Rrokut për pajtim, mbështetur dhe nga nismëtarët e pajtimuit të gjaqeve në Shkodër, nuk ka pasur asnjë rezultat.

“Gjuetarët e gjakut” sillen vërdallë në ndjekje të viktimave të tyre, sikur të ishim në një shtet taleban dhe jo në një vend në zemër të kontinentit të vjetër, që pretendon së shpejti të jetë anatar i BE-së.Individë të kriminalizuar, grupe kriminale dhe banda të strukturuara në mënyrë krimianale, jo vetëm që nuk janë asgjesuar, por vazhdojnë të rriten dhe fuqizohen përditë, duke u bërë një rrezik serioz për jetën e qytetarëve, për pronat dhe biznesnin e tyre, për rendin dhe stabilitetin e këtij vendi.  Shoqëria shqiptare jeton periudhën e një krize vertikale, ku janë mpleksur të gjitha rrethanat e disfavorshme të një tranzicioni të çuditshëm, që po shtyhet në kalendat mitike të fqinjëve tanë të Jugut, por dhe shansin e fundit për të dalë nga tuneli i errët, ku duan ta mbajnë të mbërthyer vendin mafia dhe protagonistët me “jaka të bardha”.

Baronët e krimit, hakmarrjes dhe gjakmarrjes kanë kthyer vendin e shqiponjave në një tokë të rivalitetit të botës së keqbërjes, hashashit dhe krimit, duke e zhvendosur ofertën e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në kalendat greke. Bota e krimit ordiner dhe atij të organizuar lyp që t’i vesh krimit kostumin e traditës, një kostum moderniteti, por ky kostum i rri atij aq ngushtë, sa çdo përpjekje e tyre në këtë drejtim duket absurde dhe groteske. Si pasojë e gjithë kësaj, krimi, hakmarrja dhe gjakmarrja në disa treva shqiptare ndodhin me një përpikmëri logaritmike, si vdekje të paralajmëruara nga bota e krimit dhe të pandëshkuara nga institucionet e shtetit dhe të së drejtës. Shoqëria shqiptare, tejet e lodhur nga kjo histori, veçanërisht familjet e përndjekura nga hijet e frikës së ndëshkimit dhe hakmarrjes, familjet në gjak dhe të ngujuara nga frika e krimit, apelon që më në fund të bllokohet nga shteti ky dimension antishoqëror me pasoja të rënda sociale, ekonomike e humane, të ndërpritet ky makth keqbërje e krimi pa alibi, që po e çon Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë, të ndërpritet kjo aferë vdekjeje që kërcënon çdo ditë e me një agresivitet të rëndë rendin dhe stabilitetin qytetar.

Ka ardhur koha që jo vetëm strukturat e policisë dhe organet e drejtësisë, institucionet e antikrimit, por gjithë shoqëria të ngrihet në këmbë dhe të përballet me këtë dimension të frikshëm, sa nuk është vonë, me qëllim që t’i këputen hallkat këtij oktopodi kriminal. Një përballje e tillë duhet të ndodhë dhe shpejt, si kauzë e normalitetit, e një shoqëria që ka aftësinë të ngrihet mbi komplekset e saj negative të traditës dhe të shoh përpara drejt të ardhmes demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat