Ulja e nivelit të lumit Shkumbin nxjerr në sipërfaqe rrënojat e një ure 2200 vjeçare në Sulzotaj të Divjakës.

Kultura

Ulja e nivelit të lumit Shkumbin nxjerr në sipërfaqe rrënojat e një ure 2200 vjeçare në Sulzotaj të Divjakës.

Nga: Dr. Niko Ferro Më: 29 tetor 2018 Në ora: 16:39
Ura

Stina e thatë dhe mungesa e reshjeve ka ndikuar në rënien e nivelit të lumit Shkumbin. Ku për pasojë në sipërfaqe kanë dalë rrënojat e një ure antike. Për urën nuk ka shumë të dhëna, tek tuk e ndeshim në ndonjë rresht tek libri Apolonia e Ilirisë shkruar nga profesori i nderuar Z. Neritan Ceka, i cili na jep vetëm moshën e saj diku mes shekujve. II – I p. Kr. Vlen të theksohet se ndonjë studim i veçantë për këtë urë nuk është botuar ende dhe se dalja në sipërfaqe e rrënojave na jep mundësinë e artë për njohje dhe dokumentim e plotë të saj. Nuk do ishte e tepërt nëse rrënojat e kësaj urë të përfshiheshin si destinacion turistik për zonën e Divjakës.

Rrënojat e urës ndodhen në lindje të fshatit Sulzotaj tek vendi i quajtur “Pylli Taçes”. Prej saj ruhet vetë shpatulla jugore dhe një këmbëz. Për shpatullën veriore nuk mund ta themi me siguri nëse ajo ruhet apo jo për shkak të bimësisë dhe vendit tepër të thepisur.

Ajo që të kap menjëherë syri është vendi në të cilën është ndërtuar ura, këtu lumi kthen lehtë në të djathtë dhe terreni nuk gërryet. Shpatulla jugore e urës ka këto përmasa është e lartë 2.97 m (pjesa e dukshme ka mundësi të jetë edhe më e lartë por rrënjët e një peme e pengojnë të dallohet më mirë bimësia). Gjerësia është 4.5 m. Ajo përbëhet nga 11 radhë blloqesh guri lartësi dhe 7 blloqe gjerësi. Blloqet përbëhen prej guri gëlqeror dhe konglomerat. Gurët kanë këto përmasa 52 x 33 x 40, 80 x 60 x 60, 75 x 33 x 38. Ka edhe blloqe me përmasa më të vogla. Teknika e përdorur pseudo-izodomike. Gurët janë të punuar mirë. Blloqet janë lidhur midis tyre me shufra hekuri. (dallohet një e tillë). Për këmbëzën e urës mund të thuhet që edhe ajo është e punuar me gurë. Por duke qënë se ajo ndodhet në mes të lumit është vështirë të kuptosh profilin e saj. Në vija të përgjithshme mund të themi se kjo urë ka qenë ndoshta 55 metra? Dhe përbëhet nga vetëm një këmbëz. Ka mundësi që struktura e sipërme të ketë qenë me trarë? Megjithatë është ende herët të jepet një përshkrim i plotë. Në lidhje me urën Muzeu i Lushnjës ka njoftuar ASHA dhe pritet të bëhet një dokumentim i plotë i saj.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat