Sokol Hoda-krijues që premton

Kultura

Sokol Hoda-krijues që premton

Nga: Zymer Mehani Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 10:17
Kopertina e librit

Poeti Sokol Hoda tanimë veç se është duke lënë gjurmë në fushën e poezisë. Poezitë e tij na e tërheqin vëmendjen në dy drejtime: së pari, ngase ajo është poezi me fushë të gjerë tematike dhe së dyti, poezia e tij vjen krejt unikate për nga ndërtimi dhe motivet.

Vëllimi poetik “I flas lotit” i autorit të talentuar Sokol Hoda përmban shumë poezi temash të ndryshme: poezi për dashurinë, për kurbetin, për gjendjen sociale,  për nënën, poezi refleksive etj. etj., pa e harruar edhe temën për atdheun dhe figurat tona kombëtare, siç është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, flamuri ynë kombëtar, Drini ujëdëlirë etj.,duke mos e anashkaluar edhe gjysmën tjetër të kombit-Kosovën dhe heroizmin e saj për liri e pavarësi. Pra, nëse e shohim vëllimin në punë të larmisë e të shumanshmërisë tematike, mund të konstatojmë se “Libri “I flas lotit” është mjaft i pasur edhe për tematikat, edhe për motivet. Ky fakt është për t’u admiruar, pasi që autori Sokol Hoda është zë i ri në qiellin poetik të atdheut. Ne do të shtonim se larmia e shumanshme tematiko-motivore e vëllimit në fjalë, vlen si dëshmi e fuqishme se mosha e re mund t’i kapërcejë me vullnet dhe angazhim pengesat “e pakapërcyeshme” për ta njohur jetën, për të pasur një horizont të gjerë, ngase s’i mungon as vullneti, as dëshira.

Poeti ynë, Sokol Hoda jeton në ngjarjet e përditshme të kohës dhe të aktualitetit, prandaj temat që i ka shtjelluar në vargjet e veta, e kanë interesuar së tepërmi dhe me sukses i ka konceptuar, duke bërë përpjekje që të mos ripërsërisë ide dhe figura të përdorura, por të japë diçka të veten, duke e ndërtuar poezinë me mbresa të drejtpërdrejta, vetiake. Kështu poezia e tij ka fituar më shumë konkretësi e reliev, dhe si e tillë, sigurisht se do të ushtrojë ndikim në mendjet e lexuesve.

Për çdo temë dhe motiv që është shtjelluar në këtë vëllim poetik të autorit Hoda, janë shkruajtur poezi të mira e me pjesë të bukura, e posaçërisht përsa u përket dy kryemotiveve (lajtmotiveve): të dashurisë (intime) dhe të atdheut.

Një pjesë e lirikave të dashurisë janë shkruar me frymëzim, me ndjenjë, duke u përshkuar nga një frymë optimizmi. Këto poezi me motivin dashuror janë shkruar me senzibilitet artistik, me përkushtim, pa stoli të kota e me sinqeritet, prandaj në këtë shpirtbardhësi, përplot sinqeritet, thjeshtësi e natyrshmëri të pasqyrimit të ndjenjave e të mendimeve, autori Sokol Hoda ia ka arritur që të ndërtojë poezi të mirëfillta sipas urdhërit teoriko-letrar. Por, në këto poezi vërehet edhe përpjekja e autorit për t’iu shmangur modeleve të gatshme, pra, kemi të bëjmë me përpjekjen e tij për origjinalitet, gjë që edhe vërehet në vargjet e tij.

Poezi me tematikë dhe motiv të dashurisë, mjaft të bukura janë: “Për ty, “Një letër anonime”, “Dashuria” e ndonjë tjetër.

Këto dhe poezi të tjera si këto, na ngazëllejnë me bukurinë e tyre, na pëlqejnë për dritën, shendin, optimizmin për jetë që i dallon dhe për nivelin e kënaqshëm artistik. Prandaj, kjo është rruga që poeti i ri Sokol Hoda tanimë veçse e ka gjetur në poezinë e dashurisë.

Edhe motivi atdhetar është trajtuar në shumë poezi të autorit Hoda. Vlen të përmendim se edhe zërat e rinj të artit të fjalës, nuk po e anashkalojnë këtë motiv, e kështu ka vepruar edhe autori Sokol Hoda. Tema e atdheut pasqyrohet mjaft mirë në poezitë “Festa e Famurit”, “Gjak e gjuhë, të njëjta i kemi”, “Fol shqip”, “Je heroi ynë, o Gjergj Kastrioti” etj. Në këto poezi, por edhe në ndonjë tjetër me motiv atdhetar, autori përpiqet të japë dashurinë e tij dhe të bashkëkombësve të tij për truallin amtar, për simbolin kombëtar, flamurin kuqezi, për kryeheroin tonë, Gjergj Kastriot-Skënderbeun, për gjuhën e ëmbël shqipe etj.

Nga poezitë që kanë të bëjnë me tematikën atdhetare është mjaft e bukur “Kush je ti, që m’thua barbar?”, që është më kuptimplota dhe më sintetikja. Kjo vërehet pak më shumë, ngase autori këtu shpërfaq edhe shpirtin revoltues të tij ndaj zërave të çjerrë që duan të hudhin pluhur e baltë ndaj emrit shqiptar. Autori në të shtjellon me origjinalitet, thuajase tërë historinë e kombit, duke përmendur figurat markante të tij, që lanë gjurmë në historinë tonë kombëtare, siç janë shkrimtarët e vjetër Budi e Bogdani, atdhetarët Ismail Qemali e Isa Boletini, si dhe viset e atdheut tonë, si Luma, Gjalica (mal) e Drini (lumë), që janë parajsa jonë kombëtare.

Në ca poezi autori e ruan lidhjen me figurën e nënës (“8 Marsi”, “Nënës”, “Eh, ta kisha nënën!”) dhe të babait (“Më fal, baba”), ku ndaj të dyve autori shpreh dashurinë dhe admirimin e thellë, sidomos ndaj nënës, që tani prehet e qetë në amshim, duke e ravijëzuar figurën e saj me ndjenjë të thellë poetike.

Megjithëse vëllimi është titulluar “I flas lotit” duhet theksuar se në libër hasim tablo të dhembjes, të mallit, me sentimentalizëm(e motivi dashuror), por hasen edhe tablo të krenarisë, të guximit, të heroizmit (te poezitë e motivit atdhetar).

Gjuha e përdorur nga autori Sokol Hoda është e pastër, me fjalor të qartë. Poezitë janë të pasura me figuracion poetik dhe me laryshi rimash e lloje të ndryshme vargjesh. Prandaj, si e tillë, përmbledhja “I flas lotit” është një kontribut i çmueshëm i poetit Sokol Hoda, dhënë letërsisë shqipe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat