Shqiptarët kanë shkruar me alfabetet e tyre së paku nga periudha ilire

Kultura

Shqiptarët kanë shkruar me alfabetet e tyre së paku nga periudha ilire

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 16:10
Manastir

Gjuha shqipe është shkruar me disa alfabete shumë më herët se të bëhej njësimi i alfabetit të saj në Kongresin e Manastirit, i cili u mbajt më 14-22 nëntor të vitit 1908. Me ato alfabete janë shkruar tekste të ndryshme, libra, gazeta, akte diplomatike, shkrime e mbishkrime të tjera. Gjuha shqipe nuk ka filluar të shkruhet me alfabetin e njësuar mbi bazë të alfabetit latin, nga Kongresi i Manastirit e këndej, por në këtë kongres u arrit marrëveshje historike që kjo gjuhë të shkruhet me një alfabet të përbashkët, të njësuar në nivel kombi dhe kjo ishte një arritje e madhe që i parapriu bashkimit gjuhësor, kulturor dhe politik të popullit shqiptar.

Alfabetet e mëhershme të gjuhës shqipe dhe alfabeti latin, nga Kongresi i Manastirit u pranuan si bazë për alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe, mes tjerash edhe për afirmimin më të lehtë dhe më të shpejtë të çështjes shqiptare. Kjo ide do t’i jep rezultatet vetëm pas 4 vitesh, me shpalljen e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, më 1912.

Në këtë pikëpamje, asnjëherë nuk duhet të pranohet nga vetë shqiptarët se nuk kemi pasur alfabetin tonë që nga koha kur kanë filluar të shkruhen edhe gjuhët tjera më të vjetra të botës, por duhet të punojmë dhe studiojmë me përkushtim për ta ndriçuar historinë e alfabeteve dhe të shkrimit të gjuhës shqipe, që nga kohët më të hershme, sidomos nga periudha ilire e këndej.

Përveç faktit që tanimë dihet për disa alfabete shumë më të hershëm të gjuhës shqipe, si mund të shpjegohet gjithë trashëgimia kulturore, shpirtërore dhe materiale e shqiptarëve, pa pasur një alfabet dhe gjuhë të shkruar? Në cilën gjuhë dhe me cilin shkrim kanë komunikuar të parët tanë ilirë e pellazgë, mbretërit ilirë, udhëheqësit e principatave shqiptare të mesjetës, shteti i Skënderbeut, i Lekë Dukagjinit dhe në periudhat e mëvonshme? Me cilët alfabete është shkruar gjuha për zhvillimin e riteve fetare, familjare, marrëdhënieve tregtare me të tjerët, marrëveshjet e luftës dhe paqes? A mund të paramendohet që një popull i cili ka ditur të organizohet në nivel të mbretërisë, të principatave dhe formave të tjera të organizimit shtetëror dhe të mos ketë alfabetin dhe shkrimin e vet? Shumë nga alfabetet e njohura deri më sot, jo vetëm që janë përdorur nga paraardhësit tanë, por disa nga ato alfabete janë krijuar nga vetë dijetarët ilirë. Kjo na mbetet ta dëshmojmë përmes hulumtimeve shkencore, studimeve të thelluara, dëshmive dhe analizave të argumentuara në të ardhmen.

Se si u manipulua me historinë e alfabeteve të gjuhës shqipe, ju përkujtoj se shkrimi i njohur kirilik, të cilin e përvetësuan edhe popujt sllavë, që më vonë u përhap përmes fiseve sllave të ardhura në Gadishullin Ilirik në fillim të shekullit VII të erës së re, i cili njihet si vepër e Kirilit dhe Metodit, për të cilët janë hedhur teza se e krijuan këtë alfabet, dhe sipas emrit të njërit prej këtyre dijetarëve, Kirilit, siç e ka marrë edhe emrin ky alfabet. Sipas dëshmive tona, burimeve historike dhe analizave, e vërteta është krejt ndryshe. Vëllezërit Kirili dhe Metodi ishin vetëm misionarë kishtarë, jo edhe krijues të këtij alfabeti. Krijuesit e vërtetë të këtij alfabeti kanë qenë ilirët, edhe pse nga disa studiues sllavë kjo i përshkruhet një dijetari armen. Mendimtari armen ka qenë vetëm mjeshtër i mirë i gdhendjes së shkronjave të këtij alfabeti dhe jo krijues i tij. Mjafton të përkujtojmë faktin se, jo rastësisht këta dy vëllezër nga Selaniku u ngarkuan me mision nga kisha bizantine, me emra të koduar sipas parimit të njohur të kësaj kishe, për ta përhapur shkrimin dhe fenë krishtere të lindjes në disa rajone të Evropës Qendrore. Po të lexohen mbrapshtë emrat e këtyre dy misionarëve, Kirili dhe Metodi (emrat e vërtetë të këtyre misionarëve nuk i kishin të tillë), do të vijmë në përfundimin se, ata ishin vetëm misionarë të kishës bizantine dhe përhapës të shkrimit cirilik, por jo krijues të këtij alfabeti.

Leximi i saktë dhe deshifrimi i emrave të këtyre dy misonarëve na sjell në këtë rezultat: Kirili-Metodi = Idotem-Ilirik, që në gjuhën latine domethënë Misionarë të Ilirikut.

Alfabeti kirilik u krijua në bazë të një alfabetit të mëparshëm, të njohur si alfabeti glagolik, i cili u krijua mbi bazë të tri figurave të alfabeteve dhe shkrimeve të mëhershme, rrethit, trekëndëshit dhe kryqit.

Duhet të përkujtojmë me këtë rast se themeluesi i Perandorisë Bizantine dhe i kryeqytetit të saj Kostandinisë (Konstandinopojës), Stambolli i sotëm, ka qenë Shën Kostandini, me prejardhje ilire nga qyteti i Nishit, i cili sigurisht ka pasur ndikim kryesor edhe në krijimin dhe përhapjen e shkrimit dhe alfabetit kirilik.

Ilirët, si popull më i vjetër autokton i këtij gadishulli, ku ishin edhe dominues absolut, të gjendur në mes të ndikimeve të kulturave dhe civilizimeve të atëhershme; të ndrydhur nga të katër anët nga fise barbare dhe pushtues të mëvonshëm, sigurisht që e kanë shtrirë ndikimin e vet dhe e kanë pranuar ndikimin e tyre. Është shumë e natyrshme që popujt e ardhur më vonë në këto vise, bashkë me territorin i kanë përvetësuar edhe vlerat materiale dhe shpirtërore të trashëguara nga banorët autoktonë të këtyre viseve. Popujt e ardhur më vonë, këto vlera i kanë pranuar si të vetat, i kanë trashëguar brez pas brezi, që më vonë të mohojnë çdo gjurmë tjetër para tyre, përveç asaj që është pranuar dhe përhapur si vlerë e gjuhës, kulturës dhe identitetit të tyre. Gjuhët dhe alfabetet me të cilët janë shkruar ato, sigurisht që e kanë pasur shtratin e tyre të mëhershëm. Kështu, edhe gjuhët dhe alfabetet kanë përjetuar transformime, ndryshime dhe përtëritje gjatë periudhave të mëvonshme, por një fakt është i pamohueshëm se, ilirët si banorë më të lashtë të Gadishullit Ilirik kanë ndikuar në gjuhët dhe alfabetet me të cilët popujt e ardhur në këto vise kanë komunikuar dhe i kanë shkruar gjuhët e tyre më vonë.

Nga ajo që njihet deri më sot, mund të thuhet se gjuha e të parëve tanë ka qenë ilirishtja, edhe pse ilirët kanë komunikuar edhe në gjuhë të tjera të popujve fqinjë, me të cilët kanë pasur marrëdhënie tregtare dhe raporte të tjera shoqërore.

Alfabetet e njohura deri më sot nuk janë përdorur vetëm nga një popull, por nga grupe popujsh të cilët kanë jetuar në një territor të përbashkët. Kështu mund të thuhet je gjuha greke, latine, arabe, hebraishtja e vjetër, më vonë edhe gjuha osmanishte dhe persiane, si dhe alfabetet me të cilat janë shkruar këto gjuhë, nuk kanë qenë vetëm gjuhë të popujve të caktuar, por gjuhë komunikimi e shumë popujve të cilët kanë jetuar në territore të përbashkëta.

Pellazgët, Ilirët dhe më vonë pasardhësit e tyre shqiptarët, përveç gjuhës dhe alfabetit të tyre kanë përdorur gjuhë dhe alfabete të tjera, siç është ai latin, grek, arabo-turk, kirilik etj. Megjithatë, shqiptarët nuk kanë reshtur në përpjekjet e tyre që edhe gjatë periudhave të mëvonshme, sidomos në fillimet dhe gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, të krijojnë alfabete të reja me të cilët do ta shkruanin gjuhën shqipe. Në këto përpjekje dallohen sidomos Teodor Shkodrani (1210), Anonimi i Elbasanit, Teodor Haxhi Filipi (Dhaskal Todhri), Konstantin Kristoforidhi dhe Naum Veqilharxhi, të cilët i krijuan alfabetet e tyre, me të cilët në një masë u shkrua dhe dokumentua gjuha shqipe gjatë kësaj periudhe.

Dijetarët shqiptarë, edhe kur i kanë përdorur alfabetet tjera, si atë latin, arabo-turk ose ndonjë alfabet tjetër, përherë janë kujdesur që këto alfabete të modifikohen dhe t’i përshtaten natyrës së gjuhës shqipe, me plotësimin dhe shtimin e shkronjave të reja. Kështu, edhe alfabeti latin i Shoqërisë së të shtypurit shkronja, e Stambollit, edhe alfabeti i shoqërive ,,Agimi” dhe ,,Bashkimi” të Shkodrës, të cilët u morën në shqyrtim në Kongresin e Manastirit, iu përshtatën natyrës fonetike të gjuhës shqipe, duke u plotësuar me shkronja të reja, i cili u pranua si alfabet i vetëm, i njësuar dhe i përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Nga të gjitha këto alfabete që i përdorën shqiptarët deri në atë kohë, me të cilët u shtypën edhe libra, gazeta, tekste shkollore, u organizuan shkollat e asaj kohe, u predikuan fetë dhe u komunikua mes tyre, si në Atdhe edhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit, në Stamboll, Bukuresht, Sofje, Egjipt dhe në kolonitë shqiptare në Evropë dhe SHBA, në Kongresin e Manastirit, më 14-22 nëntor 1908 u përpilua një alfabet i njësuar dhe i përbashkët me të cilin do të shkruhej gjuha shqipe në të ardhmen. Këtë gjuhë që sot e përdorin mbi 30 milionë shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Çamëri, arvanitasit në Greqi, arbëreshët në Itali, arbëreshët e Zarës në Kroaci, shqiptarët në Turqi, Ukrainë, Rumani, Bullgari, Egjipt, Kroaci, Evropë, SHBA, Argjentinë, Australi, si dhe në mërgatën shqiptare anekënd botës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat