Gani Geci: Padinë e kam bë gati, ja për kënd (Dokument)

Lajme

Gani Geci: Padinë e kam bë gati, ja për kënd (Dokument)

Nga: N.Sh Më: 12 mars 2019 Në ora: 08:04
Gani Geci

Ish-deputeti i Kosovës dhe ish-ushtari i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Geci, thotë se padinë kundër transmetuesit publik e ka tashmë gati.

Kjo padi kundër RTK-së, ka ardhë pasi bordi i ankesave pranë Komisionit të Pavarur të Mediave, e ka refuzuar si të pa bazë ankesën e RTK-së kundër vendimit që KPM-ja e kishte marrë javë më parë, kur e ka dënuar RTK-në me 5 mijë euro për Gani Gecin.

Komisioni i Pavarur për Media e ka dënuar Radio Televizionin Publik të Kosovës, në shumën prej 5 mijë euro për shkak të transmetimit të të dhënave personale rreth gjendjes shëndetësore të Gani Gecit.

E pas kësaj, ishte ankuar RTK-ja mirëpo, kjo ankesë tashmë është refuzuar si e pa bazë.

“PADIN E KAM BA GATI

Bordi i ankesave pranë KPM ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e RTK kundër vendimit që KPM kishte dënuar RTK-në me 5000 euro për rastin e Gani Gecit.

Me këtë rast më është hapur rruga ligjore që unë Gani Geci ta padis RTK për të kërkuar dëmshpërblim të cilin do ta kërkoj me padi të veçantë kundër RTK 1, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Dëmi jo material që do ta kërkoj nga RTK do të jetë bukur i madh në mënyrë që mjetet e informimit në Kosovë të mësohen që ti zbatojnë ligjet e aprovuar në Republikën e Kosovës”, shkruan Geci në Facebook.

Ndryshe, vendimi i KPM-së, ka ardhur pas ankesës së Gecit, për një storie të transmetuar me 27 tetor.

Geci në ankesën e tij, të dorëzuar në KPM me 14 tetor, pretendonte se televizioni publik kishte shkelur të drejtat e tij. Dhe se në kronikën e saj, “nuk kishte përmbajtje informuese, përveç se me qëllime tendenciozë për cenimin dhe denigrimin e personalitetit të tij”.

KPM, pasi ka pranuar ankesën e Gecit e kishte njoftuar përmes shkresës RTK-në duke kërkuar që brenda tri ditësh të jepeshin sqarime rreth pretendimeve të Gani Gecit. Televizioni Publik me 20 nëntor i ishte përgjigjur kërkesës së KPM-së, duke pretenduar se kishin vepruar sipas standardeve profesionale të gazetarisë dhe “konformë rregullativës ligjore gjatë transmetimit të kronikës”.

Faktet e prezantuara nga të dyja palët ishin analizuar nga Komisioni i Pavarur për Media. Ky komision kishte gjetur se Radio Televizioni i Kosovës ka vepruar në kundërshtim me Kodin e Etikës. Saktësisht shkelje të nenit 7 të drejtat Individuale, paragrafi 1 dhe 5 të Kodit të Etikës.

“E drejta e privatësisë së individëve duhet të respektohet. Ndërhyrja në çështjet thjesht provat dhe personale të cilat nuk kanë ndikim në interesin publik është e ndaluar. Ata që janë prekur nga tragjedia apo pikëllimi duhet të trajtohen me ndjeshmëri, respekt dhe mature duke e respektuar privatësinë e plotë të tyre”.

Bazuar në këtë nen, komisioni ka gjetur se RTK ka publikuar të dhëna të ndjeshme, përkatësisht pjesë të raportit mjekësor të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të siguruar nga gjykatat kosovare, rreth gjendjes psikiatrike shëndetësore të palës ankuese.

Paragrafi 5 i kodit të etikës përcakton se “sulmet personale, duke përfshirë por duke mos u kufizuar vetëm në sulmet në ndjeshmërinë, integritetin apo cilësinë personale të një personi, institucioni apo grupi të identifikuar, në çështjet që nuk kanë të bëjnë me interesin publik, janë të ndaluar”.

Komisioni ka gjetur se RTK në këtë rast nuk ndërmarrë asnjë veprim për ta mbrojtur dinjitetin e palës ankuese duke transmetuar të dhënat të cilat lidhen me cilësitë personale të Gecit si palë ankuese.

Bazuar në vendimin e KPM-së, RTK ka të drejtë ankese Brenda afatit 30 ditor, por se ankesa duhet të përcillet me dokumente ose dëshmi, në të kundërtën thuhet se nuk do të merren parasysh.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat