Kurti: Zgjedhje sa më parë, Qeveria e re të krijohet nga VV dhe LDK

Lajme

Kurti: Zgjedhje sa më parë, Qeveria e re të krijohet nga VV dhe LDK

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 15:17
Albin Kurti

(E plotësuar) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, në mënyrë që të hapet rruga drejt zgjedhjeve të reja.

Ai këto komente i bëri gjatë një prononcimi për media, pas takimit që pati me bashkatdhetarët tanë në Kuvendin e Kosovës.

Kurti tha se duhet të thirret një seancë për shpërndarjen e Kuvendit dhe se votimi me dy të tretat e deputetëve do të duhej të jetë vetëm çështje teknike.

Ai e ka quajtur të dëmshëm njoftimin e kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj për mbledhje të qeverisë, pas kthimit të këtij të fundit nga Haga, ku ishte marrë në pyetje nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

"Qeveria ka rënë. Besoj që Kuvendi duhet të shpërndahet dhe sa më parë të shkojmë në zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike, në mënyrë që të kemi një qeveri të re dhe legjitimitet për institucionet e shtetit... Unë nuk besoj se duhet të ketë pengesa për një seancë në të cilën do të shpërndahej Kuvendi. Meqenëse subjektet politike janë deklaruar për zgjedhje të parakohshme, atëherë ose duhet të shpërndahet Kuvendi ose do të kuptohet se dikush nuk e ka pasur njëmend ", paralajmëroi Kurti.

Ai tha se Kosova duhet të jetë mirënjohëse ndaj bashkatdhetarëve të saj, pasi ata e duan atdheun e tyre pavarësisht gjendjes politike dhe socio-ekonomike që po mbizotëron.

Sipas tij, qeveria e re duhet t'iu mundësojë bashkatdhetarëve që të votojnë lirshëm në ambasadat e Republikës të Kosovës.

"Këta bashkatdhetarë e mundësuan luftën çlirimtare para më shumë se dy dekadave, ndërkaq edhe para luftës, edhe pas luftës po e mirëmbajnë paqen sociale. Ne kemi obligim ndaj tyre, së pari duke ua mundësuar që të votojnë lirshëm nëpër ambasadat e Republikës të Kosovës, së dyti duke u siguruar arsimtarët më të mirë që ka kombi shqiptar të gjuhës shqipe për fëmijët e tyre dhe së treti, duke siguruar lehtësime tatimore për bashkatdhetarët tanë", tha Kurti.

***

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka më hapësirë për manovrime dhe se Kuvendi duhet të shpërbëhet sa më parë për të shkuar në zgjedhje të reja, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Ai ka thënë se e ka vërejtur se të gjitha partitë tashmë janë pajtuar që të thirret seanca për shpërbërjen e kësaj legjislature derisa ka thënë se Qeverinë e re duhet ta përbëjnë opozita e tanishme, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket mundësisë që Qeveria nesër të mbajë mbledhje të rregullt, ndërkohë që Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme, Kurti ka thënë se kjo thirrje është e kotë sepse Qeveria ka rënë.

I pari i Vetëvendosjes këto deklarata i ka bërë në ditën e dytë të aktivitetit tradicional që e organizon Kuvendi i Kosovës “Bashkatdhetarët në Kuvend”, në pritje të bashkëatdhetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat