Ndalimi i peshkut, Shala paralajmëron masa reciprociteti ndaj Maqedonisë së Veriut

Lajme

Ndalimi i peshkut, Shala paralajmëron masa reciprociteti ndaj Maqedonisë së Veriut

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 13:08
Endrit Shala

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, njoftoi se i ka dërguar letër ministrit të Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshit, të cilit i ka kërkuar të largohen barrierat të cilat i ka vendosur ky shtet ndaj produkteve kosovare, saktësisht për rasadin e peshkut.

Shala i ka kujtuar shtetit fqinjë obligimet që rrjedhin nga marrëveshja e CEFTA-s, ndërsa kërcënoi me masa reciprociteti për të gjitha prodhimet e Maqedonisë së Veriut që eksportohen në Kosovë.

“Me lejoni të theksoj rëndësinë e të bërit tregti pa barriera në mes të dy vendeve tona dhe obligimet që të dyja vendet kanë ndërmarrë në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s. Këto shkelje nga Maqedonia e Veriut për angazhimet e saj në CEFTA përbëjnë një shqetësim të madh për Qeverinë time dhe ju ftoj që të gjeni një zgjidhje për këtë çështje sa më shpejtë të jetë e mundur. Jemi në pritje nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut që do t’i heqin këto barriera tregtare në të kundërtën do të jemi të detyruar të reagojmë, ku si reagim do të jetë trajtimi i njëjtë i produkteve të Maqedonisë së Veriut që hyjnë në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Shalës dërguar ministrit Bekteshi.

Ministri kosovar tha se ky shqetësim fillimisht është ngritur në nivel teknik nga zyrtarët përgjegjës dhe çështja është adresuar te Komiteti Nacional për Lehtësimin e Tregtisë së Maqedonisë së Veriut, pastaj në takimin e Pikave të Kontaktit të CEFTA-s në Vlorë, në data-bazën e CEFTA-s për raportim të barrierave tregtare dhe e në fund është tentuar të gjendet një zgjidhje edhe përmes komunikimit të drejtpërdrejtë mes zyrtarëve të të dyja vendeve, por të gjitha këto pa sukses.

Përmes një vendimi që hyri në fuqi më 1 qershor të këtij viti, Maqedonia ndaloi importin e peshkut të gjallë që dedikohet për rritje ose mbushjen e hurdhave me peshq të vegjël me prejardhje nga Kosova.

Për më tepër është vendosur edhe një taksë prej afër 700 euro për çdo hyrje të kamionëve të peshkut në Maqedoninë e Veriut.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat