“E ofendojnë dhe e quajnë kriminel lufte” – flasin familjarët e Nezirit që po qëndron në burgun e Serbisë

Lajme

“E ofendojnë dhe e quajnë kriminel lufte” – flasin familjarët e Nezirit që po qëndron në burgun e Serbisë

Më: 14 janar 2020 Në ora: 18:05
Valon Mehemetaj

Nezir Mehmetaj, tash e 11 ditë po qëndron në burgun e Gjykatës Speciale në Beograd, nën akuzën për krime lufte. Më 3 janar, Mehmetaj deri sa po kthehej nga Nishi ishte ndalur nga policia serbe në pikën kufitare në Merdare.

Për Sinjali, ka folur vëllai i Nezirit, Valon Mehemetaj, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë informacion se kur do t’i lirohet vëllai. Ai ka njoftuar se nuk ka mundur që ta takojë ende vëllain dhe se për gjendjen e tij në burg informohet vetëm nga tre avokatët e angazhuar.

“Janë të angazhuar 3 avokatë. Jemi në kontakt me ata. Pardje e kanë vizitu. Sipas tyre, Neziri është mirë”, ka thënë Valon Mehmetaj.

Familjarët nuk e dinë nëse Nezir Mehmetaj do të shpallet i pafajshëm, shpresat e tyre janë tek Institucionet e Shtetit të Kosovës si dhe te Bashkësia Ndërkombëtare.

“Tash po presim edhe nga faktorët e brendshëm dhe ata të jashtëm se çka në realitet po ndikojnë. Sipas avokatëve shpresojnë që del në shesh pafajësia e tij”, ka thënë vëllai i Nezirit, Valon Mehmetaj.

Nezir Mehmetaj në ditët e para të ndalimit të tij në Serbi është ofenduar nga gardianët, si dhe të burgosurit e tjerë duke e quajtur “kriminel lufte”.

“Jo nuk kemi pas ndonjë informacion në lidhje me këtë. Vetëm se në fillim si provokim verbal ka pas. Prej gardianeve dhe nga të burgosurit se e kanë quajt kriminel lufte”, ka thënë Valon Mehmetaj.

Për ofendimet, familjarët e Nezir Mehmetajt kanë njoftuar avokatët dhe institucionet e Kosovës dhe sipas familjarëve, presioni ndaj Nezirit është më i vogël.

“Por kemi reaguar dhe është kontaktuar nga zyra e Kosovës, atje dhe nga avokatet tani është më mirë. Në dhomat e mbajtjes, objekti i Gjykatës Speciale në Beograd. Ende nuk dimë asgjë kur do të lirohet”, ka thënë ai.

Valon Mehmetaj përmes një letre publike i është drejtuar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes të cilës ka kërkuar nga ai që ta përkrah lirimin e Nezir Mehmetaj ose ekstradimin e tij në Kosovë.

“Besoj se jeni në dijeni për rastin e Nezir Mehmetaj që po mbahet padrejtësisht në dhomat e mbajtjes në Beograd nën akuzën për krime lufte në territorin e Republikës së Kosovës gjatë periudhës qershor 1999, ku Serbia nuk ka pasur juridiksion në territorin tonë. Familja dhe populli kërkon nga ju që ta përkrahni me këmbëngulje deri në lirimin e tij, ose të kërkohet ekstradim dhe rasti i pretenduar dhe i imagjinuar të gjykohet nga gjykatat tona!” ka thënë ai.

Nezir Mehmetajt i është caktuar masë e paraburgimit prej 30 ditësh nga autoritetet serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat