Banesat e ish pushtetarëve të LDK-së në Prishtinë rreth 3 vite pa kontrata

Lajme

Banesat e ish pushtetarëve të LDK-së në Prishtinë rreth 3 vite pa kontrata

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 21:27
Prishtinë

Disa ish zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe disa kategori të dala nga lufta e UÇK-së po qëndrojnë në banesat e Komunës së Prishtinës me kontratë të skaduar.

Në bazë të vendimit të kuvendit komunal të Prishtinës, në vitin 2007 ishin dhënë me qira 21 banesa për ish këshilltarët komunal. Ndërsa, me vendimin e komisionit për çështje banesore në vitin 2008 ishin dhënë edhe 22 banesa tjera me qira për punëtorë administrativ. Këto banesa janë pronë e Komunës së Prishtinës dhe gjenden në lagjen “Bregu i diellit”.

Ka mbi dy vite që këtyre pronarëve u kanë skaduar kontrata me Komunën e Prishtinës që i kishin për 10 vite.

Pos që u ka skaduar kontrata, shumë prej pronarëve nuk po e pagunë as shumën simbolike të qerasë, të cilët janë të obliguar ta paguajnë në bazë të marrëveshjes që e kanë pasur me Kuvendin e Prishtinës. Deri më tani ata kanë hyrë 15 mijë euro borxh te komuna.

Prona komunale e cila jepet në shfrytëzim rëndom duhet të kalojë nëpërmjet asamblesë. Kjo çështje akoma nuk ka shkuar asnjëherë në Kuvend, madje as ekzekutivi nuk e ka gati një dokument nëse do t’ua vazhdojë këto kontrata, apo nëse do t’ua marr dhe do ti lëshojë me qera me procedurë të re.

Brahim Mehmetaj, drejtor i Pronës në Komunën e Prishtinës, thotë se kanë dalë në terën për të identifikuar të gjitha këto prona, pastaj do të procedojnë sipas ligjit.

“Është e vërtetë që u ka skaduar që mbi dy vite, por nuk kemi marr akoma vendim. I kam autorizuar zyrtarët për të bërë një incizim të gjendjes në teren, atëherë do të diskutojmë më tutje”, tha drejtori Mehmetaj.

Kjo çështje është adresuar edhe në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare të Komunës së Prishtinës për vitin 2019 i cili është publikuar dje.

Auditori ka shkruar se në këtë rast ka testuar katër raste dhe ka gjetur se këto kontrata kanë skaduar dhe të njëjtat nuk janë vazhduar më. “Qiramarrësit vazhdojnë të shfrytëzojnë banesat. Përveç kësaj edhe pse kompensimi ishte minimal pagesa e qirasë nuk ishte bërë në kohë të rregullt dhe figuronin borxhe në vlerë 15,874 euro kurse një qiramarrës edhe pse me kontrate të skaduar ka bërë pagesën prej 297 euro”, thuhet në raport.

Auditori thotë se, shfrytëzimi i pronave komunale me kontrata të skaduar apo në mungesë të tyre, ndikon që komuna të humb të drejtën për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e proceduarve gjyqësore në raste të mos arkëtimit të të hyrave. Kjo po ashtu tregon që komuna nuk ka arritur që të ketë nën menaxhim pronën e saj.

Lajmi e ka siguruar listën e stafit politikë dhe familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, ku këto kategori janë në një listë të përbashkët.

Nga këto banesa kanë përfituar familja e Adem Jasharit, komandantit të UÇK’së, familja e Ahmet Krasniqit, dëshmor i kombit, familja e Jusuf Gërvallës, familja e Zahir Pajazitit dhe ajo e Xhemajl Mustafës. Në këtë listë janë edhe disa nga këshilltarët komunalë të Prishtinës, të pozitës dhe të opozitës.

Ndërkohë, përfituesit e banesave të ndërtuara nga Komuna e Prishtinës në Bregun e Diellit nga të cilat kishte përfituar  stafi civil dhe ekzekutiv janë emrat e ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Halim Halimi, pastaj ish drejtorët Agim Dibrani, Qazim Çunaku e Muhamet Gashi etj. Banesa kanë përfituar edhe anëtar bordesh të ndërmarrjeve komunale, siç është Sabedin Haxhiu, për një kohë kryetar bordi në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Me 24 majë 2005 Kuvendi i Komunës së Prishtinës i ka ndarë banesë edhe sekretarit të tanishëm të LDK-së, Ismet Beqirit, i cili në atë kohë ishte kryetar i Kuvendit të Prishtinës. Bile, kjo përbënte edhe një rast të pa precedent, ngase ne fund të vendimit të  miratuar në asamble ishte nënshkruar vetë Beqiri. Por, çuditërisht, këtë pronë komunale, duke shfrytëzuar ligjet aktuale në fuqi Ismet Beqiri këtë pronë e ka futur nën emrin e tije. Mandej, vendimin për kalimin e pronës komunale në private ia ka lëshuar ekzekutivi i Komunës së Prishtinës konkretisht ish drejtoresha e Kadastrit, Nora Kelmendi, e cila tash është anëtare në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat