Kush është avokati i presidentit Thaçi në Hagë?

Lajme

Kush është avokati i presidentit Thaçi në Hagë?

Nga: D.RR Më: 15 korrik 2020 Në ora: 10:50
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot e mërkurë do të intervistohet për herë të tretë në tribunalin e Hagës, pas ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale, shkruan “Bota sot”.

Kjo intervistë po bëhet pas dorëzimit të aktakuzës kundër tij nga prokurorët e dhomave të specializuar.

Ndonëse nuk është i akredituar si avokat nga Gjykata Speciale, avokati amerikan Pierre-Richard Prosper do t’a mbrojë Thaçin në Hagë.

Prosper është avokat i diplomuar në Peperdine University School of Law. Ai ka shërbyer si Zëvendës-Prokuror i Distriktit, në Los Angeles, për të vazhduar si Ndihmës-Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Distriktin e Kalifornisë.

Image
Pierre-Richard Prosper

Nga 1996 deri më 1998, Prosper ka shërbyer si prokuror për krime të luftës në Tribunalin Ndërkombëtar Kriminal të Kombeve të Bashkuara për Ruandën. Ai ishte caktuar prokuror udhëheqës i rastit të parë gjyqësor ndonjëherë të gjenocidit nën Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të vitit 1948. Përveç që e fitoi rastin pas 14 muajsh gjyq, Prosper solli risi në ligjin ndërkombëtar, ku e bindi tribunalin që ta njohë dhunimin seksual në kohë konflikti si akt gjenocidal dhe krim kundër njerëzimit.

Prosper, po ashtu, ishte nominuar për një pozitë në Komitetin për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara nga ambasadorja Nicki Haley.

Aktualisht, Prosper është partner në kompaninë Arent Fox LLP, me zyra në Los Angeles, ku është marrë me shumë raste të profilit të lartë.

Avokati Prosper është “krahu” i djathtë i ish-presidentit amerikane George Bush.

Avokati Luka Misetiq

Por, më herët është raportuar se avokat i Thaçit në Hagë do të jetë kroati Luka Misetiq, shkruan “Bota sot”.

Më parë në Hagë, Misetiq e ka mbrojtur Ante Gotovinën, komandant i forcave kroate, i cili kishte udhëhequr në operacionin “Stuhia” kundër forcave serbe. Gotovina ishte dënuar me 24 vjet burgim, por u lirua një vit më vonë, në 2012-n, duke u shpallur i pafajshëm.

Image
Luka Misetiq

Misetiq shkruante se Thaçi ka të drejtë dhe e lidhte njoftimin për dorëzim të aktakuzës si interferim në takimin në Shtëpinë e Bardhë, ku do të shkonte Thaçi për rinisje të dialogut me Serbinë.

“Thaçi ka të drejtë. Thembra e Akilit në drejtësinë ndërkombëtare për afro 30 vjet kanë qenë akuzat për interferim politik. Kështu që, cili është hapi i parë i madh i Zyrës së Prokurorit të Specializuar? Zbulimi i një informate të rëndësishme vetëm për ta ndaluar një proces paqësor politik. Fillim i keq për Gjykatën Speciale” , ka shkruar avokati në Twitter.

Avokati Misetiq është pjesë e firmës ligjore amerikane “Squire Patton Boggs”, me të cilën shteti i Kosovës ka pasur disa kontrata gjatë qeverisjes Thaçi, e më pas edhe kontrata lobuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat