Qalaj: Policia ka shqiptuar mbi 18 mijë gjoba që nga miratimi i Ligjit për pandeminë, kryesisht për mos-mbajtje të maskës

Lajme

Qalaj: Policia ka shqiptuar mbi 18 mijë gjoba që nga miratimi i Ligjit për pandeminë, kryesisht për mos-mbajtje të maskës

Më: 14 shtator 2020 Në ora: 16:09
Rashi Qalaj

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka njoftuar se që nga miratimi i Ligjit anti-COVID-19, Policia ka shqiptuar më shumë se 18 mijë gjoba për kundërvajtje, kryesisht për mos-mbajtje të maskës.

Qalaj tha se në 290 raste të tjera është zbatuar Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

“Që nga implementimi i këtij Ligji, Policia e Kosovës ka shkruar 18 mijë e 320 gjoba për kundërvajtje, që janë kryesisht gjoba për mos-përdorimin e maskës apo edhe disa rasteve tjera, dhe i kemi 290 raste ku është zbatuar Kodi Penal, pra nenet përkatëse të Kodit Penal”, tha Qalaj.

“Ndërsa që nga fillimi, këtyre 18 mijë gjobave i shtohen edhe 73 mijë e 226 fletëparaqitje që i kemi dërguar te inspektorët sanitar”, tha Qalaj.

Numri i policëve të infektuar me coronavirus, siç njoftoi Qalaj tashmë është shumë më i vogël, ku aktiv me COVID-19 janë edhe 117 policë nga 580 pjesëtarë të Policisë së Kosovës që ishin të infektuar me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat