​Përmbyllet projekti “Akademia për Lidership”

Lajme

​Përmbyllet projekti “Akademia për Lidership”

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 14:33
Pamje nga takimi

Forumi për Lidership dhe Diplomaci ka përmbyllur projektin “Akademia për Lidership” të mbështetur nga GIZ në Kosovë, i cili ka për qëllim fuqizimin dhe përkrahjen e grave në lidership.

Drejtoresha ekzekutive e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini, tha se rrugëtimi i përbashkët ka nisur para një viti me një grup vajzash të kthyera tashmë në lidere.

"Përkundër se kemi qenë në një periudhë të vështirë, ju e keni dëshmuar se së bashku kalojmë në çdo vështirësi. Lideret e sotme janë ato që do të udhëheqin, janë ato që na kanë mësuar gjëra të reja. Lidershipi, prezantimi publik dhe tema të tjera kanë qenë disa nga modelet që kemi realizuar së bashku me korin diplomatik. Ne vetëm sa kemi filluar një rrugëtim të gjatë në barazi gjinore", tha Emini.

Krahas përgatitjes për lidership, vajzat e reja të angazhuara në Forumin për Lidership dhe Diplomaci kanë pasur mundësi të kryejnë praktikë në institucione publike.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka folur për ndryshimin e rolit të gruas në të kaluarën në shoqërinë gjermane.

"Para 50 vjetësh ka qenë anomali se një grua do të mund të udhëhiqte. Shtetet të cilat janë udhëhequr nga gratë, kanë qenë shumë të suksesshme në luftimin e COVID, por nevojitet ende progres. Ka progres 50 për qind, por ende nuk jemi aty ku duhet", tha ai.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skender Krasniqi theksoi se janë të gatshëm të jetësojnë në praktikë fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore. Nga 600 mija femra të cilat janë në moshë pune, ai tha se vetëm 13 për qind prej tyre janë duke punuar.

"Nga 1,2 milion persona në moshë pune, 350 mijë janë të punësuar, ku 70 për qind e personave në moshë pune janë të papunë. Krahas fuqizimit të grave në biznes nevojitet promovimi medial. Agjencia e Lajmeve KosovaPress ka mbështetur dhe do të mbështesë personat në rini dhe sport. Kërkoj nga të gjithë që të rrisim përkrahjen dhe presionin pozitiv ndaj institucioneve për përkrahjen e femrave", ka theksuar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat