Kurti: Ne shqiptarët e Kosovës, do t´i jemi gjithnjë mirënjohës Kadares

Lajme

Kurti: Ne shqiptarët e Kosovës, do t´i jemi gjithnjë mirënjohës Kadares

Më: 28 janar 2021 Në ora: 19:30
Ismail Kadare

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka uruar ditëlindjen shkrimtarit Ismail Kadare, të cilin e ka vlerësuar duke përmendur se është ndër personalitetet intelektuale të nivelit botëror.

Kurti u shpreh se edhe gjatë luftës në Kosovë, Kadareja vetëdijësoi një pjesë të rëndësishme të opinionit botëror mbi masakrat që po bënte ushtria serbe.

“Gjatë Luftës së Kosovës Kadareja vetëdijësoi një pjesë të rëndësishme të opinionit botëror mbi masakrat që po bënte ushtria serbe, dhe mbi domosdoshmërinë e ndërhyrjes ushtarake prej perëndimit. Librat «Ra ky mort e u pamë» dhe «Tre këngë zie për Kosovën» shënojnë atë moment të rëndësishëm për historinë tonë. Gëzuar ditëlindjen Kadare, përpiqemi të të nderojmë sa mundemi, sepse ti e ke nderuar Kosovën”, shkruan ndër të tjera Kurti.

Postimi i plotë

Një ndër personalitetet intelektuale të nivelit botëror, që e vuri autoritetin dhe famën e vet prej shkrimtari të shquar në funksion të çlirimit të Kosovës dhe të ndaljes së politikave spastruese e diskriminuese ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, është Ismail Kadareja, i cili sot ka ditëlindjen. Shkrimtari mbush 85 vjet, dhe ne jemi të lumtur që e kemi e i urojmë një jetë të gjatë plot me krijimtari.

Diku në një intervistë ai thotë se letërsia nuk mund të zgjidhë problemet e kësaj bote, së paku jo pa reshtur së qeni e tillë. Dhe ajo e tija mbeti gjithnjë letërsi, por duhet thënë se ndikoi shumë në zgjidhjen e problemit tonë më të madh, dhe ne shqiptarët që kemi jetuar të shtypur nën Jugosllavi e Serbi, e sidomos ne shqiptarët e Kosovës, do t´i jemi gjithnjë mirënjohës.

Kadare ka shkruar shumë për Kosovën, në shumë vepra e në shumë zhanre. Por, një poezi e shkurtër e tij, me titullin «Kosova» (1966), përshkruan mallin e dëshirën e tij për pjesën e atdheut që ishte e ndaluar. Në pamundësi të vizitonte dheun e Kosovës, Kadare përmallet teksa fluturon me aeroplan mbi këtë pjesë të vendit të tij. Sheh piklat që rrjedhin prej krahëve të aeroplanit e bien poshtë drejt Kosovës, si lot atmosferikë, por as ato pikla nuk i prek dot, sepse edhe ato janë pjesë e jashtësisë së paarritshme, pjesë e Kosovës së ndaluar. Një vëmendje e tillë e bëri Kadarenë të shkruajë për eleminimet e intelektualëve shqiptarë prej shërbimeve serbe në perëndim, për demonstratat e studentëve të Kosovës në ´81, dhe sigurisht, të hyjë në debat me shkrimtarë e intelektualë serbë që mbështesnin haptazi apo fshehurazi platformat si ajo e Çubrilloviçit, për zgjidhjen e çështjes shqiptare përmes spastrimit. Më pas ai zhvilloi edhe një bisedë në letërkëmbim me mendimtarin e madh të Kosovës, Ukshin Hotin.

Qasja e tij humaniste e bëri Kadarenë që kurrë të mos e pranojë, madje ta kritikojë atë bindjen «jeta ime vdekja jote», që shumë shpesh në Ballkan është aktualizuar prej fqinjëve në kurriz të shqiptarëve. Vepra e tij thërret për bashkëjetesë e për ndërprerje të pretendimeve për sundim e dominim mes popujve. I dalë prej shqiptarëve, Kadare nuk mund të mendonte ndryshe: ne kurrë nuk e kemi synuar sundimin apo spastrimin e të tjerëve.

Gjatë Luftës së Kosovës Kadareja vetëdijësoi një pjesë të rëndësishme të opinionit botëror mbi masakrat që po bënte ushtria serbe, dhe mbi domosdoshmërinë e ndërhyrjes ushtarake prej perëndimit. Librat «Ra ky mort e u pamë» dhe «Tre këngë zie për Kosovën» shënojnë atë moment të rëndësishëm për historinë tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat