Forum në Shkup për Axhendën e Gjelbër Evropiane

Lajme

Forum në Shkup për Axhendën e Gjelbër Evropiane

Më: 25 shtator 2021 Në ora: 18:18
Forum në Shkup për Axhendën e Gjelbër Evropiane

Axhenda e Gjelbër dhe Marrëveshja e Gjelbër Evropiane për Ballkanin Perëndimor bashkoi në Shkup liderë ballkanik, politikanë e ekspertë evropianë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare për të diskutuar mbi gjendjen e ambinetit jetësor, mënyrat e zgjidhjes së problemeve rreth kësaj çështjeje, por dhe hapjen e vendeve të reja të punës në vendet e Ballkanit Perëndimor me zbatimin e kësaj axhende.

Folësit kryesorë në forum, kryeministrat e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut theksuan nevojën për investime në vendet e tyre në fushën e energjetikës për ndryshimin dhe tranzicionin e sistemit të burimeve të energjisë nga lëndët fosile në burime ekologjike.

Kryeministri Albin Kurti tha se kjo është veçanërisht e vështirë sepse duhet ta ndryshojmë mënyrën e bërjes së biznesit:

“Vërshimet, valët e të nxehtit dhe thatësirat e papara e kanë bërë të qartë se sistemi ekologjik nuk mund të trajtohet pavarësisht nga sistemi ynë ekonomik”. “Ne, tha zoti Kurti, na duhet një model i ri i qëndrueshëm që çon shtetet tona drejt përparimit social dhe ekologjik dhe që përmirëson mirëqenien e njerëzve dhe që krijon drejtësi sociale dhe ekonomike”.

Kryeministri i Kosovës tha se Marrëvesha e Gjelbër Evropiane mund të jetë e efektshme vetëm nëse ndërmerren veprime edhe në rajonin e Ballkanit, po ashtu.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se vendet e Ballkanit kanë potencial nga periudha e gjatë e ditëve me diell që mund ta shndërrojnë në energji, por se kanë nevojë për teknologji dhe përvojë evropiane.

Zoti Zaev theksoi nëvojën për investime të huaja në fushën e energjetikës dhe lehtësimet adminstrative që kompanitë do t’i kenë lidhur me këtë. Ai tha se vendi i tij është i përkushtuar ndaj “Axhendës së gjelbër”, ndërsa la të kuptohej se investimet e Maqedonisë së Veriut për lidhjen me gazsjellësin në Greqi, do të rezultojnë në një perspektivë më të mirë edhe për disa prej vendeve të rajonit.

“Të gjitha institucionet publike deri në vitin 2025 duhet të kalojnë në ngrohje me gaz ose kondicionerë - inverterë dhe me burime të tjera të ripërtëritshme të energjisë, ndërsa po punohet në projekte për efikasitet energjetik”, tha zoti Zaev.

Ndërkohë, zoti Kurti nënvizoi nevojën e reformave në arsim dhe të përfshirjes në kurikula të vetëdijes mbi ndryshimet klimatike dhe shqetësimet për ambientin e arsimit “sepse kjo ka të bëjë me gjeneratën tonë dhe gjeneratat që vijnë pas nesh”, theksoi ai.

Kryeministri Kurti nënvizoi rrezikun gjatë muajve të dimrit kur rritet ndotja e ajrit që shton edhe shkallën e vdekjeve të njerëzve të cilët preken me sëmundje kronike të mushkërive e që i kushton sistemit shëndetësor të Kosovës, “i cili edhe ashtu nuk është në një gjendje të mirë”, shpjegoi zoti Kurti.

“53 përqind të ndotjes së ajrit në Kosovë e shkaktojnë amvisëritë që djegin qymyr. Më tepër ndotje shkaktojnë amvisëritë se sa dy termo-centalet që kemi në vend”, tha Kryeministri Kurti, duke theksuar se shmangia e përdorimit të qymyrit nuk mund të ndodh brenda pak viteve dhe se për këtë nevojitet ndihmë.

Në panelin e parë të Forumit Socio-Ekologjik i organizuar nga Fondacioni “Fridrih Ebert”, Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe Instituti për Demokraci Sociale – Progres folën zyrtarë partiakë ose qeveritarë nga rajoni me orientim social-demokratik, teksa politikanë e ekspertë evropianë ndanë përvojat e vendeve të tyre lidhur me përpjekjet për përmirësimin e ambientit jetësor.

Knut Fleckensein, ish-deputet i Parlamentit Evropian tha se për reforma në fushën e energjisë duhet vullnet politik, bashkëpunim me opozitën, punë kompetente dhe konkurrencë, bashkëpunim dhe bashkërendim rajonal.

Dragana Rakiç e partisë Demokratike serbe lëshoi akuza të rënda ndaj pushtetit në Serbi duke thënë se vendi po drejtohet nga krimi i organizuar që lë pas, mes të tjerash edhe çështjet e ekologjisë. “Asnjëherë si në nëntë vjetët e fundit në Serbi nuk ka ndodhur që vendi të udhëhiqet nga njerëz në qeveri që haptazi janë të lidhur dhe bashkëpunojnë me kriminelët”, tha ajo./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat