LDK-ja fituese e zgjedhjeve lokale, VV-ja pësoi debakël!

Lajme

LDK-ja fituese e zgjedhjeve lokale, VV-ja pësoi debakël!

Nga: I. Morina Më: 14 nëntor 2021 Në ora: 23:18
Përparim Rama

Përpjekjet anormale të disa analistëve që patjetër ta shfrytëzojnë numrin për ta fshehur simpatinë e tyre politike apo përkatësinë, janë të zbulueshme lehtësisht, por irrituese për publikun.

LDK-ja tashmë e ka siguruar fitoren në 7 komuna, e PDK-ja në 8, ndërsa pritet ndryshimi eventual në rezultatin final në Dragash, ku prin PDK-ja me një numër minimal votash, lehtësisht e përmbytshme nga votat me postë dhe me kusht.

LDK-ja me fitoren në Prishtinë me përmbysje të disavantazhit të thellë, arriti fitoren më të bujshme në këto zgjedhje. Vlera e kryeqytetit në qeverisje është e pakrahasueshme, jo vetëm për Kosovën, por për shumë shtete në botë, dhe kudo në rajon.

Në Maqedoni u rrëzua Qeveria, vetëm pse partia dhe koalicioni qeverisës e humbën Shkupin. Kjo nuk do të thotë që të zhvillohet një skenar i njëjtë apo se është një ndodhi brenda këtij skenari.

Por, Prishtina qeveriset me ligj në veti, ka buxhetin gati dyfish më të madh se sa qyteti i dytë, Prizreni. Prishtina ka numrin gati dyfish më të madh të banorëve, ka jetën politike, institucionale, kulturore, universitare, shëndetësore, të të punësuarve, të gjenerimit të të hyrave për ekonominë, investimet etj., pra një qendër gravitacionale e shumëfishtë, dhe si një udhërrëfyes i jetës në përgjithësi në Kosovë.

Pra, në aspektin cilësor, ajo është ‘mbretëreshë’ e qyteteve dhe qytetarisë në Kosovë.

Por, gjithashtu kjo fitore nuk duhet të abuzohet, përkundrazi duhet të përkrahet Përparimi dhe të lihet i lirë dhe të mbrohet nga ndikimet e grupeve kriminale, që të mos viktimizohet ai dhe Prishtina, por edhe vetë prishtinasit.

Ndërsa, humbja e VV-së ishte një debakël i vërtetë, krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve nacionale! I takon asaj të studiojë gabimet dhe shkaqet që e sollën një përmbysje masive të votave.

Ndërsa, PDK-ja kishte një rritje të jashtëzakonshme, duke u mbështetur në resurset e saj, kryesisht të pasurisë së figurave të saj të komprometuara, të cilat të alarmuara nga ndodhitë me specialen, janë përpjekur t’i kthejnë ato me çdo kusht në votë dhe pushtet.

AAK-ja po ashtu ka arritur një rezultat tejet të mirë krahasuar me rezultatin e shkurtit, duke fituar numër kaq të madh të komunave, 5 dhe duke pasur një qendër rajonale si Gjakova!

Ajo siç kam thënë në një analizë tjetër, mbetet e pakapërcyeshme në çifligun e saj.

Rezultati zgjedhor

PDK-ja ka fituar në Prizren, Drenas, Kaçanik, Vushtrri, Mitrovicë, Skenderaj, Hani i Elezit dhe në Ferizaj.

LDK-ja ka fituar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Istog, Viti, Junik, Pejë dhe Lipjan.

AAK-ja në Gjakovë, Klinë, Rahovec, Therandë, Deçan.

VV-ja në Gjilan, Podujevë, Kamenicë, Shtime.

Nisma në Malishevë.

Xhafer Gashi, si i pavarur në Obiliq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat