Dita e çlirimit të Kosovës, reagon vajza e Jakup Krasniqit - kritikon institucionet e vendit

Lajme

Dita e çlirimit të Kosovës, reagon vajza e Jakup Krasniqit - kritikon institucionet e vendit

Më: 12 qershor 2022 Në ora: 12:30
Jakup dhe Gresa Krasniqi

Sot shënohet 23-vjetori i çlirimit të Kosovës nga okupatori serb, mirëpo krerët e UÇK-së, asaj që ndihmoi në arritjen e lirisë, po akuzohen për krime lufte në Gjykatën Speciale në Hagë. Një ndër ta është edhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Vajza e Jakup Krasniqit, Gresa, ka ndarë një postim në Facebook, ku e ka pyetur babain e saj se a duhet të festojmë sot pasi që është Dita e Çlirimit.

Ajo ka thënë se sot e gëzojnë lirinë ata që nuk deshtën të largohen nga robëria dhe vuajnë ata që i dhanë fund Serbisë fashiste.

“Shoh fëmijë të dëshmorëve të harruar, e veteran të një lufte të eger, të poshtruar nga institucionet e shtetit, të cilit i falën gjithçka”, ka shkruar Krasniqi.

Gresa, poashtu, ka pyetur se a jemi të çliruar kur çlirimtarët po ‘mbahen padrejtësisht në qendër të paraburgimit ndërsa gjykimi po zvarritet”.

Ajo ka kritikuar edhe qeveritarët se nuk po i përkushtohen mjaftueshëm të paraburgosurve në Hagë. Gresa ka thënë se kryeministri i Kosovës në SHBA ka amnistuar krahun e djathtë të Millosheviqit, Vuçiqin, ndërsa për Jakup Krasniqin nuk ka folur asnjë fjalë. 

“Kryeministri i Republikës së Kosovës në mes të SHBA-së amniston krahun e djatht të Millosheviçit, Vuçiçin ndërsa për homolgun e atëhershëm të tij në Kosovë, Jakup Krasniqin, asnjë fjalë!”, ka shkruar ajo.

E bija e ish-zëdhënësit të UÇK-së tha se ministrja Haxhiu nuk e ka ndjekur seancën ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

“Dy nga drejtuesit e OVL-së së UÇK-së në emër të popullit të Kosovës u dënuan, ndërsa ende nuk ka asnjë hetim të brendshëm se si dolën dokumentet nga zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë dhe arritën deri tek zyra e OVL-së së UÇK-së në Prishtinë. Dita e çlirimit sot, por seancen gjyqësore ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt që e ndoqën shumë shqiptarë kudo nëpër botë, nuk e ndoqi ministrja e Drejtësisë”, ka shkruar Krasniqi.

Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë heshtur për këtë çështje, mirëpo nuk kanë heshtur për luftën në Ukrainë

“Heshtje nga institucionet e Kosovës të cilët, megjithatë, nuk heshtën për luftën e Ukrainës ani pse asnjëherë nuk e lartësuan luftën e UÇK-së.”

“Lavdi të rënëve që dhanë gjithçka për lirinë që sot gëzojmë dhe nderime deri në përulje juve pak të gjallëve që i dhat shumëçka këtij vendi! Babi uroj dhe shpresoj që shumë shpejt, bashkë ta gëzojmë lirinë!”, ka përfunduar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat