Me Forcën e Diasporës në pushtet, nuk do të jetë i mundur bashkëpunimi nënshtrues dhe shkombëtarizues

Lajme

Me Forcën e Diasporës në pushtet, nuk do të jetë i mundur bashkëpunimi nënshtrues dhe shkombëtarizues

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 19:30
Foto ilustrim

Partia më e re politike e Kosovës "Forca e Diasporës për Kosovën" jo vetëm që do të zhvillojë marrëdhënie të përzemërta, të dobishme dhe konstruktive politike dhe diplomatike me të gjitha qendrat më të fuqishme botërore, por edhe do t'i zgjerojë ato në fushat sociale, ekologjike, industriale, ushtarake, ekonomike, tregtare, kompjuterike, kibernetike, infrastrukturore, kulturore, arsimore, shëndetësore, energjetike, bujqësore dhe shkencore, e veçanërisht në fushën e investimeve dhe të sigurisë.

Ndërsa ndaj Moskës dhe Pekinit, ne do të harmonizojmë dhe koordinojmë qëndrimet, qasjet dhe sjelljet tona me interesat e vendit tonë dhe ato të partnerëve tanë më të rëndësishëm perëndimor dhe veri-atlantik.

Unë si Kryetar i Partisë jam i vetëdijshëm për rëndësinë e marrëdhënieve të mira dhe gjithëpërfshirëse me Turqinë, por gjithashtu jam i vetëdijshëm se nuk kemi nevojë për marrëdhënie zvarranike dhe nënshtruese, si ato që rezultuan me shitjen e aseteve tona më të shtrenjta shtetërore për pesë qindarka në "aksham-pazarin e Mamushes", si dhe me ndërtimin e xhamive të panumërta shkombëtarizuese.

Sepse për mrekullinë e Zotit, Turqia e mbushi Serbinë me fabrika dhe vende të reja të punës, ndërsa Kosovës ia bleu të gjitha asetet kryesore për pesë qindarka dhe në këmbim e mbushi çdo qytet dhe fshat të saj me xhami të panumërta shkombëtarizuese.

Me Forcën e Diasporës në pushtet, jo vetëm që nuk do të jetë i mundur bashkëpunimi nënshtrues dhe shkombëtarizues me Turqinë, por edhe Bashkësia Islame e Kosovës do të reformohet dhe do të kombëtarizohet përmes financimit dhe monitorimit të punës dhe veprimtarisë së saj ekskluzivisht nga shteti.

 

Lirim Gashi, kryetar i Forcës së Diasporës për Kosovë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat