Thaçi: Nuk pranojmë asgjë përtej Pakos Ahtisari dhe Kushtetutës - Bota Sot
Thaçi: Nuk pranojmë asgjë përtej Pakos Ahtisari dhe Kushtetutës

Lajme

Thaçi: Nuk pranojmë asgjë përtej Pakos Ahtisari dhe Kushtetutës

Më: 14 janar 2013 Në ora: 16:35

Para shkuarjes në Bruksel, në takimin e radhës, më 17 janar 2013, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, takoi përfaqësuesit e partive politike: z. Isa Mustafa, z. Blerim Shala, znj. Mimoza Kusari-Lila, z. Mahir Yagxhillar, si dhe z. Sllobodan Petroviq.

Qeveria e Republikës së Kosovës në pajtim me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 18 tetorit 2012, për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me lehtësimin e Baroneshës Catherine Ashton, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të Qeverise së SHBA-ve, që prej 19 tetorit (2012) në Bruksel, po zhvillon bisedimet me Qeverinë e Republikës së Serbisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në këto bisedime respekton këto qëndrime në plotëni:

Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Martti Ahtisaari;
Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjet në fuqi;
Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Marrëveshjet e arritura në Bruksel, në Dialogun teknik, me lehtësimin e Robert Cooper-it, përfaqësuesit të Përfaqësueses së Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Prandaj, Qeveria e Kosovës, në këtë dialog, në asnjë mënyrë, nuk do të bisedojë për:

1. Statusin e Kosovës, apo, Pavarësinë e Republikës së Kosovës, të shpallur me 17 shkurt 2008.
2. Tërësinë territoriale të Kosovës, me kufijtë e njohur nga Propozimi Gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisaari (Mars 2007) dhe të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
3. Organizimin e brendshëm të Kosovës, që është kodifikuar me Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (Qershor 2008) dhe me Ligjet në fuqi.
4. Implementimin e të gjitha Marrëveshjeve të arritura në Dialogun Teknik të organizuar në Bruksel, prej 8 marsit 2011.

Temat dhe kërkesat:

Lidhur me temat dhe kërkesat, Qeveria e Kosovës është fuqimisht e interesuar që në këtë dialog, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përkrahur fuqishëm nga SHBA-të dhe shtetet më të mëdha perëndimore, brenda një periudhe të shkurtër kohore, të arrijë këto synime:

1. Fuqizimin e strukturave në Veri të Kosovës në fushën e arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale, në strukturave të qytetarëve të Veriut të Kosovës në pajtim me Propozimin e Presidentit Ahtisaari, me Kushtetutën e Kosovës dhe me Ligjet në fuqi,
2. Largimin e strukturave të sigurisë së Serbisë nga Veriu i Kosovës,
3. Krijimin e rrethanave për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në komunat e Veriut të Kosovës dhe për pjesëmarrjen e qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës.
4. Krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore,
5. Krijimin e rrethanave për organizimin e Regjistrimit të popullsisë dhe të pronës në këtë pjesë të Kosovës.
6. Trajtimin adekuat ekonomik dhe zhvillimor të Veriut të Kosovës, i cili midis tjerash do të nënkuptojë themelimin e Fondit për zhvillimin e Veriut të Kosovës.
7. Arritjen e një Marrëveshje ndërkombëtarisht obligative për normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e cila do të garantohej prej BE-së, SHBA-së dhe shteteve të Quintit.

Kosova me të drejtë pret që kjo marrëveshje e cila mund të arrihet në fund të këtij procesi të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duhet patjetër që t’i mundësoj Kosovës anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe në të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.

Natyrisht, ne e kuptojmë që Serbia nuk do të mund ta njohë pavarësinë e Kosovën në fund të këtij procesi, prandaj është e domosdoshme që Kosoves t’i sigurohet anëtarësimi në OKB, t’i hapet rruga e sigurt për anëtarësim në NATO dhe BE, me qëllim që të sigurohemi se Serbia nuk do të mund të bëhet pengesë në anëtarësimin e Kosovës në këta mekanizma ndërkombëtarë.

Po ashtu, Kryeministri Thaçi i njoftoi liderët e partive se në takimin e radhës, që do të mbahet më 17 janar 2013 në Bruksel, të diskutohet për:
1. Zhbërjen/largimin e strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë nga Kosova,
2. Krijimin e mekanizmit, i cili mundëson që ndihmat financiare të Serbisë për komunitetin serb që jeton në Kosovë, të bëhen në mënyrë transparente dhe të menaxhohen nga Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e komunitetit serbë dhe ata ndërkombëtare, dhe do të flitet edhe për:
3. Veprimet konkrete që do të ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit.
Në këtë kontekst, ne duhet të jemi të gatshëm që të ndërmarrim veprime konkrete në disa drejtime.

Në aspektin ekonomik, ne do të themelojmë Fondin Zhvillimor për Veriun, nga i cili do të financohen projektet e ndryshme infrastrukturore. Ky fond, do të jetë i hapur edhe për donatorët ndërkombëtarë por edhe për Serbinë. Fondi do të menaxhohet nga bordi i përbërë nga ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, një përfaqësues e përzgjedhur nga komuniteti i serbëve që jetojnë në veri, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë.

Në aspektin e sundimit të rendit dhe ligjit, Qeveria e Republikës së Kosovës, menjëherë pas shpërbërjes së strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë, do të normalizojë funksionimin e policisë së Kosovës në veri të vendit, dhe do të bëjë funksionale punën e gjykatës.

Në aspektin politik, Qeveria e Kosovës është e gatshme që të mundësojë zbatimin në praktikë të elementeve të dispozitave të propozimit të Ahtisaarit për vetë-qeverisje në nivelin lokal të komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
Këto dispozita ndër të tjera mundësojnë edhe krijimin e partneritetit ndërmjet komunave, duke iu mundësuar atyre që të kenë vendim-marrjen në nivelin lokal, në asambletë komunale, që do të jenë legjitime.
Kjo është e gjitha që do t'iu ofrohet serbëve në veri të vendit, dhe asgjë më shumë.

Propozimi i Serbisë që komunat me shumicë serbe të marrin Statusin e Komunave Autonome, është i papranueshëm dhe as që do të lejoj që të shtrohet për diskutim.

Të gjithë përfaqësuesit e pranishëm në takim u pajtuan me qëndrimet e prezantuara dhe i dhanë mbështetje kryeministrit për takimin e radhës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...