Dënimi i Oliver Ivanoviqit e shokon Serbinë, dialogu merr fund këtu?!

Lajme

Dënimi i Oliver Ivanoviqit e shokon Serbinë, dialogu merr fund këtu?!

Më: 21 janar 2016 Në ora: 15:38

Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se aktgjykimi kundër Oliver Ivanoviqit “nuk ka lidhje me të drejtën, e as më drejtësinë”.

Sipas tij, është koha që Beogradi ta rishqyrtojë pjesëmarrjen e tij në dialog me Prishtinën.

Gjuriq, pas vendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë që të dënohet me 9 vjet burg për shkak të krimeve ndaj shqiptarëve, ka thënë për RTS se aktgjykimi është edhe mesazh politik për Serbinë dhe mënyrë që të përulet i tërë shteti.

Sipas tij, me këtë aktgjykim po tentohet që të binden përfaqësuesit e Prishtinës që të vazhdojnë dialogun me Beogradin, pasi që krijohet “balanc i rremë para formimit të tribunalit për krime lufte ndaj serbëve”.

Gjuriq ka shtuar se Prishtina nuk po e implementon asnjë segment të marrëveshjes me Beogradi dhe për këtë tash është koha që Qeveria e Serbisë dhe vet kryeministri të deklarohen për situatën e re të krijuar.

“Kjo është vija e kuqe e cila na thotë neve që duhet të mendojmë se a të vazhdojmë tutje dhe si të vazhdojmë”, ka thënë Gjuriq.

Sipas tij, Beogradi gjatë gjithë kohës të procesit i ka ndihmuar Oliver Ivanoviqit dhe të akuzuarve të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat