Ngjarja tragjike e ndodhur në Fushë-Kosovë, i akuzuari dëshmon për vrasjen e shokut

Lajme

Ngjarja tragjike e ndodhur në Fushë-Kosovë, i akuzuari dëshmon për vrasjen e shokut

Më: 12 korrik 2016 Në ora: 11:52
Ilustrim

Shaban Tërmkolli ka dhënë versionin e tij për ngjarjen në të cilën mbeti i vrarë shoku i tij Labinot Gashi.

Në gjyqin ndaj Shaban Tërmkollit, i cili akuzohet për vrasjen e Labinot Gashit, ka dëshmuar vetë i pandehuri.

Me lot në sy, i akuzuari është përpjekur që nga këndvështrimi i tij ta sqarojë ngjarjen në të cilën mbeti i vdekur shoku i tij.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në Bardh të Madh të Fushë-Kosovës më 2014.

Shaban Tërmkolli tha se i kishte kërkuar Gashit që të gjente një revole, të cilën do t’ia blinte, sepse e kishte pasur dasmën afër dhe ka dashur të festonte më të, ndërsa theksoi se ishin marrë vesh që paratë t’ia jepte tashmë të ndjerit pesë ditë pas dasmës.

“Dy ditë pas rastit e kam pasë dasmën. Revolen e kam blerë për të gjuajtur në dasmë. Me 5 shtator 2014 i kam thënë hajde ma bjerë revolen se i kam paret. Kur ka ardhur ai ishte i acaruar, me sy të skuqur. Ai ishte më armë në dorë, unë isha duke ushtruar në thesin e fitnesit dhe ka ardhë me ka goditë me armë pas koke dhe më ka thënë hip në kerr”, ka theksuar Tërmkolli, transmeton kallxo.

I akuzuari tregoi edhe për momentin kritik.

“Kur kemi shku te Kalaja e ka ndal kerrin dhe unë kam dalë prej aty dhe jam mundu me ikë. Ai ka gjuajtur në ajër. Kur e ktheva kokën e pashë që kishte armën e drejtuar në drejtim timin. Pasi jam afruar, ai e ka kthyer kokën në anën e majtë dhe unë menjëherë jam munduar t’ia largoj armën nga dora, por Labinoti e ka pasur dorën në kamëz dhe plumbi e ka goditur në këmbë. Ai është rrëzu dhe jam munduar t’ia largoj prej dorës por në stres të madh, pa dashje pasi e kam marrë revolja ka kërsitë dhe ai është shtrirë. Mua më ka ra mundi”, ka thënë Shaban Tërmkolli.

Sipas dëshmisë së dhënë në gjykatë, ai e ka marrë armën dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. “Armën e kam shti në çantë dhe e kam gjuajtur pas 20 metrash”, dëshmoi i akuzuari.

Shaban Tërmkolli gjithashtu tregoi se ka shkuar në vendin e ngjarjes pas dy orësh për ta parë a është gjallë Labinoti, por nuk kishte guxuar t’i tregojë askujt dhe ishte mbyllur në zyrë të një lokali të fitnesit ku edhe kishte punuar.

Prokurori e ballafaqoi të akuzuarin me disa deklarata që ai kishte dhënë në Polici por i pandehuri tha se në atë kohë ka qenë në stres të madh.

Trupi gjykues kërkoi të dijë se pse i akuzuari nuk e kishte njoftuar dikë e as Policinë për vdekjen e të ndjerit. “Nuk e kam lajmëruar askënd sepse jam frikësuar se mos po më vret najkush”, tha Tërmkolli.

Seanca tjetër u caktua të mbahet më 14 korrik, në të cilën do të jepet fjala përfundimtare e palëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat