E kujt ishte ideja për Samitin e Diasporës, e Thaçit apo Ramës?

Lajme

E kujt ishte ideja për Samitin e Diasporës, e Thaçit apo Ramës?

Më: 19 nëntor 2016 Në ora: 12:53
Edi Rama dhe Hashim Thaçi

Në Samitin e Diasporës të organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në të cilën ka marrë pjesë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në deklarimet e dy të lartpërmendurve meritat se kush e hodhi i pari idenë, u thanë ‘çuditshëm’.

Thaçi nuk ishte i qartë se nëse e kishte dhënë ai idenë e organizmit të këtij samiti, duke ‘kaluar’ ndonjë fjalë lidhëse tek pjesa se si u hodh ideja e organizimit. Megjithatë më i qartë ishte kryeministri Rama i cili e tha troç se idenë e këtij samiti e dha bashkëshortja e tij.

Presidenti i Kosovës gjatë fjalimit të tij tha se iniciativa për këtë samit është rezultat i një bashkëbisedimi me kryeministrin Rama  para një viti në New York.

“Për fund më duhet të theksoj se jam shumë i lumtur, që së bashku me kryeministrin Rama, faleminderit shumë Edi, për idenë e këtij samiti që u hodh në New York në vitin 2015 dhe sot kjo po jetësohet edhe njëherë Edi më duhet të ju falënderojë shumë që jetësuat këtë projekt madhor kombëtar. Ky është samiti i parë dhe po mbahet në Tiranë“, tha Thaçi.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se duke e parë suksesin e kësaj nisme e pranon që i pëlqejnë më shumë  idetë e gruas së tij sesa të tij.

“Edhe tamam në New York që është kryeqytet i të gjitha diasporave, e  shtyu Lindën gruan time që ishte me ne në tryezë , të hidhte idenë fillestare të këtij samiti. Nuk është sekret që unë jam njeri kokëfortë por duke parë suksesin e fillesës të kësaj nisme, nuk dua që të jetë më e fshehtë e vërteta se idetë e gruas më pëlqejnë më shumë se ato të miat dhe prandaj, do më falni që si burrë atipik shqiptar në këtë rast ta falënderojë Lindën,  që nuk ishte dot këtu, sepse duhet të përkujdeset për Shqipërinë e gjeneratës tjetër që kemi në shpi dhe falënderoj shumë vëllazërisht, mikun tim Hashimin që menjëherë sapo ajo ide u hodh më tha GO FOR IT”, tha Rama.

Ky samit është mbajtur në Pallatin e Brigadave në Tiranë dhe në të  morën pjesë rreth 1000 përfaqësues të diasporës nga 40 shtete të ndryshme të botës. Samiti po i zhvillon punimet edhe gjatë ditës së sotme. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat